Op Ed

Palca e kurrizit, Triptiku miks






               Publikuar në : 09:22 - 05/07/19 |
Erion Kristo

Nga Erion Kristo


Në kohën e qeverisjes së Berishës, kur unë bëja protesta apo shkruaja dhe flisja në media, shoqet e mamasë shkonin dhe e bezdisnin: “Thuaji Erionit të mos flasë, se do ta vrasë Saliu”. Mamaja ime qante; unë qeshja dhe e qetësoja. Edhe sot e kësaj dite shumë njerëz më pëshpëritin: “Erion, mos u merr me këta, se janë të rrezikshëm”. Dhe përsëri shkojnë e i thonë mamasë time, të njëjtat fjalë. Ndërsa unë përsëri qesh dhe e qetësoj.

Jeta e shqiptarëve shkon në shenjën e frikës. E çfarë duhet të bëjmë o motra e vëllezër? Po këta, dhe ata, dhe kushdo, na e kanë bërë të keqen. Po jetojmë një jetë pa dimensione, pa qetësi, pa siguri, pa inteligjencë, pa bukuri. Po jetojmë në një vend ku nuk dimë se çfarë hamë, ku nuk ka një trotuar pa gropa, ku jeta kërcënohet çdo çast.

Dhe ajo që është më e rëndësishmja, më makabrja, më e patolerueshmja: kemi larguar palcën e kurrizit nga vendi, tharmin, pra fëmijët. Dhe këtë e kemi bërë sepse na kanë detyruar ta bëjmë, jo thjesht sepse kemi dashur më të mirën për fëmijët tanë. Kemi qenë të detyruar të largojmë fëmijët sepse jemi sulmuar si të ishim armiq të kombit, ndërkohë që armiqtë e kombit zënë kryet e vendit dhe na shesin mend. Të këqija më të mëdha se këto nuk mund të ketë. Plus një, minus një, nuk ka ndonjë kuptim real. Pra, fakti që na kanë bërë të jetojmë këtu, për ta është njëlloj sikur të na e kishin bërë tashmë të keqen drejtpërdrejt. Përveç kësaj, shumë njerëz majtas apo djathtas e kanë eksperimentuar në kurrizin e tyre drejtësinë e shtetit apo të politikës së këtij vendi: janë hequr nga puna dhe janë flakur në rrugë për një llaf goje, për një status në fejsbuk, për një paraqitje në miting ose jo.

Por ajo, palca e kurrizit, ardhmëria e fikur, ajo është se ç’është. Sepse nëse një pjesë i kanë dërguar fëmijët nëpër shkolla, ata nuk duan të kthehen. Dhe nuk është kjo marrëveshja fillestare, kontrata sociale, pakti social. Nuk kemi lindur fëmijë thjesht për të larë haletë e Evropës. Kemi lindur fëmijë që t’i rrisim dhe të na kujdesen kur të kemi nevojë për ta, sipas cikleve të jetës. Nuk po përmend shumë në këtë fushë, por thjesht raportin e çuditshëm të pensioneve. E kemi kaluar prej vitesh pragun e rrezikut. Skema nuk digjet thjesht sepse subvencionohet nga shteti. Po dhe kjo bomba e pensioneve nuk do vonojë të plasë.

Për t’u kthyer te palca e kurrizit, po ia hoqe palcën e kurrizit një personi, nuk mund t’i thuash: vrapo tani. Po ia preve krahët një shpendi, nuk mund t’i thuash fluturo. Neve nuk na lejohet as vrapimi, pale fluturimi. Neve thjesht na lejohet zvarritja. Na kanë hequr gëzimin e jetës.

Në përgjithësi, njerëzit ikin sepse këtu nuk ka shtet, ose më mirë të themi se është vetëm dukja e shtetit. Këtu nuk merr as nga jeta as nga shteti atë që çdo njeri e mendon qoftë dhe si minimale. Njerëzit ikin sepse përdhosen. Ata janë të gatshëm të bëjnë mijëra sakrifica, vetëm të ikin që këtu. Janë gati të martohen dhe me pleq, të shtiren dhe si LGBTIQ, vetëm që të mos rrinë më këtu. Dhe s’po flasim për futjen poshtë kamionëve, e plot çudira të tjera.

Ikin njerëzit që duan të shkollohen, sepse arsimi ynë nuk ofron cilësi. Pjesa më e madhe e tyre, mirë që ikin, por nuk duan as të kthehen më. Ikin njerëzit që bashkohen me familjarët e tyre të ikur më herët ose të nxitur nga farefisi i tyre. Ikin njerëzit që kanë para, kanë biznese, po nuk kanë siguri. Ata shesin çdo gjë, ndoshta dhe i detyrojnë të shesin çdo gjë. Ikin njerëzit që shkojnë për të vjedhur, pra kriminelët e vegjël. Ikin njerëzit që i bashkohen krimit ndërkombëtar, pra kriminelët e mëdhenj. Ikin intelektualë, shkrimtarë, pedagogë. Ikin njerëzit për probleme shëndetësore, me shpresën se duke bërë dokumentet do kenë më shumë fat me jetën e tyre. Ikin njerëzit që nuk janë me partitë se nuk kanë asnjë shans për punë, madje as në privat, se privati parapëlqen fisin e vet (kuptohet kur ka plot njerëz që pastrojnë para, askush nuk do të huaj nëpër këmbë). Ikin njerëzit për shkak të gjakmarrjes. Ikin njerëzit për shkak se bien në konflikt me shtetarët. Ikin njerëzit për punësim sezonal në Greqi, Itali e gjetkë. Punojnë pak muaj e kthehen. Lënë tokat e tyre djerrë dhe punojnë tokat e të huajve. Këta të fundit janë dhe ata që shkelin më shumë afatet e qëndrimit duke marrë ekspulse nga të gjitha llojet. Ikin ata që duan të ndërrojnë shtetësinë, se nuk e duan më këtë pasaportë. Ndoshta ata nuk e dinë se ne tani mund të ikim pa viza në Ukrainë. Ikin pleqtë dhe plakat me muaj të tërë për të mbajtur nipat dhe mbesat e fëmijëve të tyre. Ikin mjekët dhe infermierët në mënyrë masive, aq sa shumë shpejt do duhet të bëhemi doktorë të vetvetes, ose të shërohemi te magjistarët. Ikën e kush nuk ikën. Vetëm politikanët tanë nuk ikin, ata kanë hedhur rrënjë. Nuk shkulen.

Kjo është pak a shumë ikja, por më e keqja është ikja e palcës së kurrizit, fëmijët, të rinjtë që nisen nga prindërit, edhe në mënyra klandestine, veç të shpëtojnë. Ka shumë syresh nëpër kampe, ndërsa fëmijët e pushtetarëve jetojnë në konvikte super të shtrenjta nëpër botë. Ikja ka marrë përmasa biblike, përmasa eksodi. Dhe vazhdon pareshtur për 30 vjet.

Kujdesi për të rinjtë dhe fëmijët, duhet të jetë thelbi i jetës sonë, dhe jo një detaj më shumë ose më pak i festave vjetore. Me politika të mangëta ne do ta vuajmë plakjen aktuale të popullsisë, një alarm që ka rënë, por që çuditërisht nuk shqetëson kurrkënd. Nuk jemi të qartë se me çfarë merren kokat e kombit tonë kur nuk merren me këtë situatë tritolike. Sot ka më shumë vdekje se sa lindje. Po prapë askush nuk diskuton për këtë.

Palca e kurrizit ka rëndësi të madhe. Por më shumë rëndësi ka marrëdhënia e kësaj palce me dijen. Kjo marrëdhënie është duke u shuar. Nëse mijëra nxënës të mirë ikin nëpër botë, bie cilësia e arsimit, bie konkurrenca, bie dëshira për të ecur përpara. Prandaj kjo është një çështje e sigurisë kombëtare, prandaj me këtë çështje duhet të merren mentarët e kombit, e jo thjesht ta përmendin.

Duhet të jemi seriozë me ardhmërinë, sepse po përjetojmë një lloj gjenocidi shpresëfikës. Duhet të lëmë pak kohë për të menduar, sepse deri më tani jemi marrë me logje politike, gjëra pa vlerë reale, cicmice. Palca e kurrizit mban shtyllën kurrizore dhe shtylla mban gjithë trupin.

Por një jetë e jetuar me frikë nuk është një jetë e denjë. Frika duhet të menaxhohet. E ardhmja duhet të shpëtohet. Ndaj rrini të qetë o shoqe të mamit dhe shokë të babit. Rrini të qetë dhe ju spiunë e idhujtarë, se tek unë s’ka asgjë për të marrë askush. Boll të këqija na keni bërë. Prandaj, duke e mbyllur, po sjell fjalët e Nikos Kazantzakisit: “Nuk shpresoj askund, nuk kam frikë askënd, unë jam i lirë…”.


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas