Aktualitet

Palmer: SHBA-të nuk i mbajnë anën askujt në Kosovë





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 18:50 - 27/05/20 |
mapo.al

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Matthew Palmer, njëherësh i dërguar i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara shpresojnë që Kosova dhe Serbia do t’u rikthehen bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.


Gjatë një debati mbi Angazhimin Strategjik të Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor, Egje dhe në Turqi gjatë pandemisë së koronavirusit, të organizuar nga Fondi Gjerman Marshall, ai tha se normalizimi i marrëdhënieve është thelbësor për të hapur rrugën evropiane për të dyja vendet. Por, tha ai, ende ka shumë punë për të bërë.


“Kosovës i duhet një qeveri. Ne po presim për vendimin e Gjykatës Kushtetuese që do t’i hapte rrugën zgjidhjes së çështjeve që kanë të bëjnë me formimin e qeverisë. Dua të nënvizoj se Shtetet e Bashkuara nuk duan të ndikojnë procesin në asnjë mënyrë, nuk duam të zgjedhim qeverinë e re të Kosovës, nuk kemi favorit, nuk mbajmë anë. Ajo çfarë duam të shohim është një proces që është i mbështetur në Kushtetutën e Kosovës dhe kuadrin ligjor të Kosovës, që prodhon një qeveri që është përfaqësuese dhe ka fuqi të angazhohet në procesin e bisedimeve”, tha ai.


Zoti Palmer nuk deshi të flasë për afatet dhe lidhjen e mundshme të zgjidhjes së kësaj çështjeje me zgjedhjet presidenciale amerikane, por theksoi se “po përpiqemi të ndihmojmë palët që të gjejnë një zgjidhje”.


Bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian janë pezulluar që nga nëntori i vitit 2018, për shkak të tarifave të vendosura nga Kosova ndaj mallrave serbe. Tashmë këto tarifa janë hequr dhe zëvendësuar me masa të reciprocitetit nga ana e qeverisë së Kosovës, një hap që nuk është mbështetur nga Shtetet e Bashkuara. Në fillim të muajit mars Korporata “Sfidat e Mijëvjeçarit”, pezulloi programet për Kosovën ndërsa theksoi se rifillimi i tyre do të varet nga qëndrimi i qeverisë së Kosovës për tarifat ndaj mallrave serbe.

“Me sa di unë Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit po pret demonstrim nga autoritetet e Kosovës që janë të interesuara për të ndjekur një hapje më të gjerë ekonomike që siguron mundësi më të mira për zhvillim ekonomik dhe vende pune. Ajo që duam të shohim është jo vetëm pezullimi i tarifave por edhe heqjen e masave reciproke. Shpresoj se do të shohim përparim në këto çështje dhe Korporata do të rikthehet me programet e saj”, tha zoti Plamer.

Shtetet e Bashkuara ndanë 20 milionë dollarë për Ballkani në kohë pandemie

Duke folur për situatën rreth pandemisë së COVID-19, zoti Palmer vlerësoi, siç tha, frymën bashkëpunuese, duke veçuar mënyrën se si “Serbia dhe Kosova lanë anash dallimet politike dhe punuan së bashku për ofrimin e ndihmës përtej kufijve për të lehtësuar lëvizjen e personelit mjekësor e pajisjeve dhe furnizimeve humanitare, përfshirë ushqimet”.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara kanë investuar miliarda dollarë për të nxitur qeverisjen e mirë, transparencën, llogaridhënien, sundimin e ligjit dhe ky është themeli mbi të cilin qeveritë në rajon ishin në gjendje të përgjigjen në mënyrë të efektshme kundrejt koronavirusit.

“Vetëm për të përballur krizën me COVD-19 Shtetet e Bashkuara kanë ndarë rreth 20 milionë dollarë si ndihmë e drejtpërdrejtë për vendet e Ballkanit”, tha ai.

Por,tha zoti Palmer, në rajon ka ende sfida dhe tensione, ndërsa “Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara të punojnë në partneritet me vendet e rajonit dhe me partneret dhe aleatët tanë evropian për të mbështetur zhvillimin e Ballkanit Perëndimor dhe integrimin në familjen e kombeve evropiane”.

Zoti Palmer vlerësoi me rëndësi historike vendimin e BE-së për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa theksoi se procesi i integrimit të rajonit do të jetë një proces i gjatë.

“Mendoj se kemi investuar kohë dhe përpjekje për të mbështetur integrimin ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor, qoftë nëpërmjet mekanizmave ekzistues sic është CEFTA por edhe nismave të reja siç është ajo për mini Shengenin që është nismë rajonale”, tha ai.

Perëndimi përballë Rusisë dhe Kinës në Ballkan

Zoti Palmer tha se Rusia dhe Kina kanë dëshmuar se “janë të paturpshme” në fushën e dezinformimit, posaçërisht Rusia e cila sipas tij ka pasur njëfarë suksesi përgjatë viteve duke “ngritur tensionet, mosbesimin, duke ngritur mure aty ku njerëzit duhet të ndërtojnë ura. Ky ishte një shqetësim për një kohë dhe mendoj se pandemia e COVID-19 i ka shtuar shqetësimet”.

Megjithatë, ai tha se është inkurajuese që vendet e rajonit janë të ndërgjegjshme për këtë sfidë dhe janë të interesuar të rrisin mundësitë për t’iu kundërvënë.

Zoti Palmer ngriti edhe çështjen e cilësisë së ndihmës së ofruar nga Rusia dhe Kina në rajon, një pjesë e së cilës tha ai, madje nuk është as ndihmë por tregti.

“E kuptojmë vlerën e diplomacisë publike të avionëve me flamuj në bisht, që aterrojnë në fazat e hershme të krizës dhe shkarkojnë pako. Nganjëherë nuk ka rëndësi se cfarë ka në ato pako. Ka rëndësi demonstrimi i dukshëm i mbështetjes dhe për të krijuar argumentin se përgjigja nga perëndimi, nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa, nuk ishte e shpejtë sa duhet”, tha ai duke nënvizuar se ajo që është ofruar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë ofruar për këto vende lë nën hije çdo gjë që Moska apo Pekini kanë ofruar.

Zoti Palmer tha se Pekini që nga fillimi nuk pati qëndrim të drejtë. “Ata nuk ishin të vullnetshëm të ndajnë ato që dinë me pjesën tjetër të botës rreth sëmundjes, çfarë po ndodhë në Kinë. Ata fshehën dhe nuk deshën të jenë transparent rreth natyrës së kësaj sfide dhe të gjithë ne po paguajnë çmim për këtë”./VOA/


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas