Ish-deputeti i Partisë Demokratike dhe njëherazi nënkryetari i kësaj force politike, Edi Paloka ka reaguar në lidhje me deklaratën e Taulant Ballës pas postimit të kryedemokratit Lulzim Basha për vrasjen e 4 policëve, Dëshmorë të Atdheut.
Paloka i drejton Ballës disa pyetje në postimin e tij si: Çfarë di për komunikimet e shefit të tij me Dritan Dajtin në burg?
“Ndarja e politikës nga krimi, duke nisur me Taulant Ballën dhe goditja pa mëshirë e krimit të organizuar është detyrimi ynë më i madh. Drejtësia do të bëhet“, shkruan në statusin e tij nënkryetari i PD.
Statusi i plotë:
Pse i dogji Taulant Ballës reagimi i Lulzim Bashës?
Pse kërkoi Balla ta heqë vëmendjen nga politikanët qe po blejnë lirinë e Dritan Dajtit përmes gjyqtarëve dhe prokurorëve të kapur prej tyre?
Kë po mbron Taulant Balla dhe pse i intereson kaq shumë lirimi i Dritan Dajtit?
Çfarë di ai për komunikimet e shefit të tij me Dritan Dajtin në burg?
A ka lidhje me tenderat që Dritan Dajti po fiton nga burgu?
Sa për të tjerat, 7 vite në pushtet kanë qenë të mjaftueshëm për të zbardhur gjithçka lidhet me këtë ngjarje, pas të cilave Taulant Balla kërkon të fshehë krimin e lirimit të Dritan Dajtit dhe rivrasjen për së dyti të 4 oficerëve të policisë.
Ndarja e politikës nga krimi, duke nisur me Taulant Ballën dhe goditja pa mëshirë e krimit të organizuar është detyrimi ynë më i madh. Drejtësia do të bëhet!