Kryeredaktori i gazetës Mapo, Enton Palushi, komentoi në studion e Syri TV zhvillimet më të fundit në vend, duke nisur nga pretenca e prokurorisë për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Palushi tha se rasti në fjalë është tregues se, edhe mandati i parë i qeverisjes së Edi Ramës ka qenë i mbushur me skandale, ndryshe nga sa pretendohet se qeverinë e ka zënë ‘mallkimi i mandatit të dytë’.
Duke ritheksuar tezën se një qeverisje vlerësohet më së pari nga skandalet, Palushi tha se Rama ka rënë politikisht dhe moralisht, pavarësisht se nuk është rrëzuar juridikisht. Sipas tij, kjo është një tjetër goditje për Edi Ramën, që vazhdon të mos mbajë asnjë përgjegjësi, duke rrezikuar që edhe për rastin e Tahirit të thotë se është përgjegjësi personale. Palushi solli në vëmendje edhe lajmin se kryeministri ka kritikuar deputetët e tij, duke thënë se po humbasin pushtetin për shkakun e tyre.
Kryeredaktori i gazetës Mapo tha se raporti me të vërtetën është ai që ndan vendet e botës së tretë apo të botës në zhvillim, me vendet e zhvilluara. Duke theksuar sërish rastin e Tahirit, Palushi tha se u deshën kaq shumë vite ‘luftë’ për të vërtetën që të arrihej deri tek një pretencë, ndërkohë që historia e lidhjeve të Tahirit me krimin dhe Habilajt ishte denoncuar prej kohësh nga opozita dhe nuk kishte si të mos dihej nga kryeministri. Edhe në rastin e pretencës, Palushi tha se sërish jemi në kushtet e paragjykimit, pasi kjo prokurori është akuzuar si e njëanshme në favor të qeverisë, njësoj si drejtësia e vjetër.
Palushi tha se lufta për të zbardhur të vërtetat në Shqipëri po bëhet shumë e vështirë. Mjafton të shihet sa energji u konsumua për rastin e Valdrin Pjetrit, apo për atë të Agim Kajmakut. Sipas tij, problemi është se sa zbardhet një e vërtetë apo një skandal, ekziston rreziku i raportit 1/10, pra që dhjetë skandale të kenë kaluar pa u pikasur.
Duke u ndalur tek kriza politike në vend, Palushi tha se opozita shqiptare i ka numrat për të fituar zgjedhjet në vend. Por ai tha se qëllimi i opozitës në këtë momente duket maksimalizimi i votave nga ‘hambari’ i madh i elektoratit që refuzoi të merrte pjesë në votimet e ’30 qershorit’. Se sa do ia dalë opozita të fitojë vota nga ky ‘hambar’ votuesish, kjo nuk dihet, por Palushi tha se Shqipëria është në një pikë vlimi, që i ngjan një pike kthese. Sipas kryeredaktorit të Mapos, dy gjëra janë më të sigurta: e para, që kryeministri Edi Rama dhe PS janë në kuotat më të ulëta pas vetëm dy vitesh kur shënuan një rezultat të fortë në zgjedhje; dhe e dyta, që në Shqipëri nuk është shfaqur ndonjë lëvizje apo forcë që do merrte vota tek ‘hambari’ i të pavendosurve, duke e lënë opozitën më të favorizuar për të mbledhur votues.
Duke folur sërish për opozitën, Palushi tha se Basha duket se po e zhvesh ‘idenë opozitare’ nga njollat, duke u përpjekur ta prezantojë atë të pastër ose të virgjër para syve të opinionit, ndryshe nga Edi Rama, që idesë opozitare i bashkoi krimin dhe të tjerë faktorë për të ardhur në pushtet. Por, theksoi Palushi, edhe ideja opozitare, si çdo ide tjetër, ndonjëherë duket shumë e brishtë, por ndonjëherë bëhet shumë e fortë.
Palushi tha se tashmë është momenti që të arrihet një marrëveshje për zgjedhje të reja, me ndikimin e të huajve, pasi raporti i ODIHR tregoi se institucioni i zgjedhjeve në Shqipëri ka vdekur dhe duhet të ristartohet gjithçka nga e para. Sipas Palushit, fajin për vdekjen e zgjedhjeve nuk e ka mungesa e reformës zgjedhore. Madje sipas tij, as reforma në drejtësi nuk do e zgjidhë problemin me ‘vdekjen’ e zgjedhjeve dhe as krizën politike në vend, çka duhet të bëhet e qartë për ndërkombëtarët.
Duke komentuar daljen e presidentit Ilir Meta përpara Komisionit Hetimor, Palushi tha se ajo erdhi në momentin kur ODIHR publikoi raportin, që i jep të drejtë kreut të shtetit, duke rrëzuar edhe nismën për shkarkimin e tij. Sa kohë që e kemi pranuar ODIHR si një arbitër asnjanës, dhe sa kohë nuk kemi arbitrin e brendshëm, pra Gjykatën Kushtetuese, atëherë duhet ta pranojmë edhe verdiktin e ODIHR, tha Palushi.