Reshat Grembi, 69 vjeç, i prekur nga koronavirusi prej disa ditësh, tentoi t’i japë fund jetës sot duke u hedhur nga ballkoni i katit të dytë të spitalit Infektiv, i kthyer në spital COVID1.
Gazeta MAPO siguron pamjet e para nga momenti kur forca të shumta policie dhe ekipet e mjekëve, i kanë dhënë ndihmën e parë si dhe kanë bërë transportin e 69-vjeçarit nga Infektivi drejt Urgjencës së QSUT.
I moshuari mësohet se ka marrë plagë të shumta në trup dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Në vendin e ngjarjes i pranishëm është edhe mjeku Dhimitër Kraja i cili i ka dhënë ndihmën e parë pacientit.
69-vjeçari me koronavirus që tentoi vetëvrasjen ishte nga Fieri dhe vetëm një ditë më parë kishte mbërritur te Infektivi pas komplikimeve shëndetësore. Ky është rasti i katërt kur një i infektuar me COVID-19 shkon drejt aktit të vetëflijimit, ndërsa tre rastet e mëparshme te spitali “Shefqet Ndroqi” kanë rezultuar fatale.
Mes pacientëve që i kanë dhënë fund jetës tragjikisht është edhe 29-vjeçari Xhino Koça, në gjendje të rënduar psikologjike. Ndërsa 10 ditë më parë, ishte 52-vjeçari nga Tropoja, Preng Gjonaj që u hodh nga kati i katërt i COVID2.
Vetëvrasje kreu edhe 65-vjeçari nga Klosi, Hasan Mira, njëkohësisht vjehrri i deputetit socialist, Gjetan Gjetani.