Panairi i Librit ka hyrë dje në vjeshtën e 17-të. Është çelur si përherë me një ceremoni zyrtare në ‘zyrën ovale’ (kështu lexonte ftesa) të Pallatit të Kongreseve. Emri apo forma e zyrës nuk thonë e as i heqin asgjë thepave të shumtë të ceremonisë, botës së librit, krizës së saj, numrit të lexuesve, librarive, e në-radhë-problemeve të tjera që kanë pllakosur mbi gjithçka që lidhet me institucionin e librit.
Ndër këta thepa nuk mund të mos vije re për shembull fjalët brenda fjalës së mbajtur nga kryetari i Akademisë së Shkencave, Myzafer Korkuti. Të tilla si ‘kjo festë në Nëntorin e Festave’, ‘piedestale’, ‘epokale’, e plot hala të tjera në syrin e një gjuhe që kërkon të shëndoshet duke dalë nga tuneli i territ të ‘njeriut të ri’ të Partisë. Blasfemia është e plotë në këtë rast dhe nuk i duhet lënë thjesht faji newspeak-ut komunist ende gjallë e i fortë në fjalorin e akademikëve, historianëve, shkrimtarëve shqiptarë. A është çliruar libri dhe libërshkruarja nga ky newspeak orwell-ian? është pyetja. Duket se jo dhe kjo është një nga rrënjët e krizës. A janë më relevante institucione të tilla si Akademia e Shkencave? është pyetja tjetër. Çfarë shkence bën kjo dhe me çfarë kriteresh akademike? Për më shumë, a duhet institucioni i Panairit të Librit të kërkojë partneritet me institucione vegjetative dhe të pareformuara?
Nuk se mentaliteti i asokohe dha frymë te fjalët e akademikut e na e çliroi pamjen. Ja ku u dha konferencierja, një vajzë e re, që u hodh mbi përfundimin ‘shkrimtar i madh’ për autorin Ben Blushi sikur të ishte shansi për një muaj mjalti në Karaibe. Pa u menduar. Ben Blushi është shkrimtar, po, por ‘madhorja’ është një kategori për shumë pak shkrimtarë në botë. Madje shkrimtarët janë një klub më vete dhe ekskluziv dhe nuk krijohen si dikur: as me leje krijimtarie e as me kuota nga fshatarësia e proletariati. Shkrimtarët nuk planifikohen. Dhe, as mund të emërohen. Aq më pak të pajisen me titullin ‘e madh’, edhe më herët se atyre ua lejon stima për veten dhe Letërsinë me L të madhe. Ben Blushi duhet të jetë ndjerë keq. Për fat të mirë, i papenguar për të mbajtur një fjalë me mend në vijim të ceremonisë, jo si shkrimtar, siç tha vetë, duke prekur me guxim disa ndjeshmëri të shoqërisë shqiptare në raport me librin dhe leximet.
Blushi vuri në dukje mungesën e zyrtarëve të Ministrisë së Kulturës duke e kontrastuar atë me praninë në ceremoninë e hapjes së përfaqësuesve, deri në nivel ambasadori, të shteteve si Franca, Amerika e Italia. Për një deputet që vjen nga krahu politik që ka aktualisht pushtetin, kjo përbën një akt guximi intelektual.
Mungesën e përkrahjes së institucioneve kulturore e ka vënë në dukje në një intervistë të gjatë për MAPO edhe kryetari i Shoqatës së Botuesve, Petrit Ymeri. Këtë ‘ikje në drejtim të paditur’ të mecenatit shtetëror mbi kulturën na duhet ta shpjegojmë.
Pushteti i ri me sa duket ka vendosur krijimin e një veprimtarie paralele të librit. Spikamën e parë ia kemi parë në prill të këtij viti, nën titullin Festivali i Librit. Një aktivitet i dytë veç i gëzon e nuk ka pse t’i mërzisë ata që e duan librin. Habia fillon me ‘ndërhyrjen shtetërore’ dhe bëhet më e thekshme kur pushteti që është në krye të shtetit rrjedh nga një qeveri e majtë. E cila, në frymë të ideologjisë së vet, duhet të ishte për barazinë. Pra, t’i trajtonte me fonde të dy panairet. Etatizmi i çuditshëm përzgjedhës është ndoshta një skajim i luftës ndaj privates. Me pak kujdes e menaxhim Panairi i Librit si sipërmarrje private mund t’ia dalë të fitojë mbi Festivalin e Librit si fondacion shtetëror. Ky i fundit duhet të ruhet nga dy gjëra: lehtësia e shpenzimit të parave qyl, por edhe lakmia e ndarjes së këtyre parave.
Privatët duhet të gjejnë një mekanizëm që i çon drejt një joint venture. Sepse, në qytet sapo ka mbërritur një aktivitet konkurrent. Nuk duhet parë si fundi i botës, por si shpluhurosje e traditës në biznes e kulturë. Konkurrenca e lirë (dhe e ndershme), me prova, fiton gjithmonë mbi etatizmin.