Denoncimi i kreut të opozitës Lulzim Basha, në lidhje me fshehjen e numrit të viktimave nga COVID-19, ka tronditur jo pak opinionin publik. Por si qëndron e vërteta? A janë reale pretendimet e qeverisë se e ka situatën nën kontroll dhe pse prokuroria nuk i është përgjigjur ende thirrjes për të kryer hetim. Deri më tani, qeveria mohon dhe tenton të vërë mjekët kundër Opozitës. Por akuzat në fakt nuk ishin për ta. A ndodhemi përpara një skandali të madh për efekt zgjedhor me përmasa të frikshme, dhe pse u injoruan paralajmërimet e mëparshme nga mediat në lidhje me shifrat reale të vdekjeve.
Lulzim Basha për ata që e njohin, e dinë mirë sa i vëmendshëm është ndaj fakteve. I formuar në perëndim, përpara se të hedhë diçka në publik ai iu kërkon bashkëpunëtorëve të tij ta verifikojnë deri në detaje. Një “huq” ndoshta që i vjen dhe nga e kaluara e tij në lëmin e së drejtës. I qetë dhe i përqendruar në problemet e vendit, atij i duhet të operojë në terrenin shqiptar përballë një propagande të pacipë, sajesash e intrigash. Një pushteti që në kushtet e paaftësisë që e mbizotëron përpiqet me çdo kusht që të përbaltë kundërshtarin, me batuta që s’bëjnë të qeshin askënd, me shpifje deri në kufijtë e marrëzisë, me dëshmitarë të rremë që do i kishte zili dhe sistemi komunist.
*******
Të enjten në mbrëmje, kreu i opozitës do plasi bombën. Shifrat e COVID nuk janë ato që pretendon qeveria, por gati dyfish. Deri në tetor institucionet shtetërore sipas Bashës kanë fshehur rreth 440 vdekje, ndërsa vetëm për muajin nëntor ishin më shumë se 180 të tilla, gjithsej rreth 620 persona që kanë humbur jetën dhe nuk janë raportuar. Të gjithë ata kishin një familje, ishin prindi i dikujt, motra apo vëllai, fëmija i dikujt. Por për të mos e marrë të mirëqenë denoncimin e tij, Basha nuk ngurroi t’i bënte thirrje prokurorisë që të hetonte në lidhje me këtë çështje, duke i vënë në dispozicion dokumentat.
Institucioni i hetimit, që nuk ngurron të zbarkojë në studiot televizive dhe për një gjethe hashashi, ose për një video gazetarësh të enjten nuk lëvizi. Një reagim anemik nga SPAK, na mësoi se kjo çështje nuk ishte në kompetencat e tij. Se me çfarë merret SPAK deri më tani nuk e kemi mësuar, shpresojmë ta mësojmë në të ardhmen.
******
Por deri më tani nuk kemi dëgjuar dhe ndonjë reagim të mirëqenë nga qeveria. Ditën e djeshme ajo u mjaftua të nxirrte një grup mjekësh të infektivit, të cilët në mënyrë të dëshpëruar u munduan të përgënjeshtrojnë atë që kishte denoncuar Basha. Vetë Rama do reagonte në rrjetet sociale me deklaratën e mjekëve, ndërkohë që akuzat nuk janë për ta, por për qeverinë. “Babai” i karantinës në rast se s’ka asgjë për të fshehur, duhej të kërkonte hetime, por ka paralajmëruar se do t’i drejtohet popullit me mesazhe. Si për ironi ditën e djeshme disa foto që qarkulluan në media tregonin pamjet brenda morgut. Pamje tronditëse që gazeta MAPO për arsye etike preferoi të mos i publikonte. Frigoriferët nuk kishin më vende dhe ata që kishin humbur jetën, ishin akomoduar në dysheme. Rolin e ftohësit e luante dritarja që qëndronte e hapur.
******
Në fakt bomba e Bashës në opinion ishte lajmëruar disa ditë më parë nga revista prestigjioze Monitor, e cila kishte bërë një analizë duke iu referuar të dhënave të INSTAT. Sipas kësaj reviste, shifrat krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, arrinin në 1288 vdekje më shumë. Tabelat e kreut të opozitës, tregon për rreth 1238 humbje jetë nga COVID 19. Qeveria me gjithë përditësimin e datës 20 nëntor ka raportuar jo më shumë se 622 vdekje, pra më pak se 50%. Gjithsesi lufta e deklaratave do vazhdojë në ditët në vijim, dhe pyetja që duhet t’i jepet përgjigje nga organet kompetente është se: A është fshehur numri real i viktimave? Në një rast të tillë atëherë jemi vërtet para një skandali i cili nuk ka të bëjë më vetëm me shpërdorimin e parave publike, me të cilat jemi mësuar disi, por me fshehjen e një realiteti të dhimbshëm për efekt zgjedhjesh. Dhe duke njohur Ramën dhe përpjekjet e tij frenetike e të palimitshme për të mbajtur pushtetin, ekzistojnë të gjitha gjasat që të ndodhemi para një pritshmërie të frikshme.
Nga mbyllja absurde në pranverë, te humbja e kontrollit
Lufta absurde që bënë shqiptarët me armikun e padukshëm në pranverën e këtij viti, është kthyer me gjithë fuqinë e saj në një betejë të vërtetë me një armik të dukshëm dhe vdekjeprurës. Pandemia e shkaktuar nga virusi COVID-19 nuk është më një ngjarje televizive kur spektatorët ftohen të rrinë në shtëpi dhe të duartrokasin nga ballkonet për sakrificën e mjekëve ndërsa statistikat trumbetojnë për 1 ose 2 vdekje në ditë. Ky ishte filmi i luajtur në pranverë. Kur makinat e ushtrisë pushtuan rrugët për të “ruajtur” jetën e shqiptarëve. Në këta muaj vjeshte lufta po luhet në terren nga njerëzit e thjeshtë që po rrinë në ambulanca në oborrin e spitaleve në pritje të lirimit të një shtrati, nëpër shtëpitë e tyre ku gurgullon oksigjeni i blerë privatisht, në radhën për vizita pranë klinikave dhe spitaleve private… dhe epilogu i kësaj lufte që po e lufton secili për vete po shkruhet në morgun e QSUT-së. Në këtë vend të mbramë ku jeta është dorëzuar përfundimisht duket se po luhet absurditeti i fundit me pandeminë; mohimi i vdekjes për qindra qytetarë.
Ndërsa shteti po dorëzohet çdo ditë para përmasave të pandemisë me shifrat e infektimeve në nivele rekord dhe ezaurim të kapaciteteve spitalore një akuzë e fortë është ngritur për fshehjen e vdekjeve nga COVID-19. Akuza, që vjen nga opozita e cila bazohet në një dokument të morgut ka përforcuar dyshimet e ngritura në media se qeveria po manipulon numrin e vdekjeve. E gjendur në një moment elektoral vetëm disa muaj para zgjedhjeve qeverisë aktuale nuk do t’i leverdiste të kishte një situatë katastrofike të pandemisë. Një gjë e ngjashme ndodhi në Serbi në muajin Maj disa javë para zgjedhjeve parlamentare, ku qeveria u akuza se kishte fshehur numrin e vdekjeve nga COVID për të paraqitur një situatë normale dhe të mirëmenaxhuar nga qeveria. Ajo që po ndodh në Shqipëri me shifrat e raportuara zyrtarisht bie në kundërshtim, jo vetëm me situatën që po jetojnë njerëzit në terren, ku dëshmitë tregojnë se shteti nuk u vjen në ndihmë as për t’u bërë tamponin në kohë, duke i lënë kështu në mëshirë të fatit ose të sektorit privat, por bie ndesh dhe me situatën në vendet fqinje dhe tendencat e vdekjeve nga covid në këto vende, që janë më të larta se vendi ynë. Për habi ne jemi vendi me vdekshmërinë më të ulët pas Serbisë në rajon. Qeveria shqiptare dhe pse ka pranuar se situata po përkeqësohet këmbëngul se e ka nën kontroll atë dhe ka tentuar të hedhë poshtë edhe informacionet e mediave për situatën e rënduar në spitalet e posaçme, nga ku vinin pamje dhe dëshmi për të sëmurë që prisnin në ambulanca.
A po fshihen vdekjet nga COVID?!
Numri i vdekjeve nga Covid mund të jetë dyfish më i lartë se sa raportimi zyrtar i qeverisë. Ky konstatim erdhi së pari nga një analizë e Monitor mbi rritjen e numrit të vdekjeve krahasuar me vitet e mëparshme në këtë periudhë, si dhe nga një akuzë e fortë e opozitës për fshehje të qëllimshme të vdekjeve nga listat e morgut të QSUT-së. Por akuzat janë pohuar dhe nga mjekë të infektivit. Në kundërshti me deklaratën e shefes së infektimit, Najada Çomo, e cila mohoi fshehjen e vdekjeve, mjeku Renato Osmënaj thotë se ka manipulim shifrash. “Shifrat i manipulon qeveria jo spitali! Ne jemi në punë 24 orë në ditë, por pa keqardhje po të them se Basha ka të drejtë. Edhe unë në infektiv punoj”, shkruan Osmënaj duke pranuar fshehjen e numrit të vdekjeve nga COVID.
Disa ditë më parë në një analizë krahasuese shifrash për vdekjet revista Monitor ngriti e para dyshimin se numri i vdekjeve nga COVID mund të jetë dyfish më i lartë nga ai që është raportuar zyrtarisht. Duke iu referuar shifrave të vdekjeve dhe një eksperti nga Instituti i Shëndetit Publik Monitor del në konkluzionin se “vdekjet nga Covid-19 në vend mund të jenë të paktën dy herë më të larta se ato të raportuara deri tani”. “Të dhënat e INSTAT treguan se në periudhën korrik-shtator u shënuan gjithsej në vend 6,294 vdekje, me një rritje prej 25.7% në të njëjtën periudhë të një viti më parë, ose 1,288 vdekje më shumë, duke arritur nivelin më të lartë rekord të dekadës së fundit. Në krahasim me mesataren historike të pesë viteve të fundit (periudhës 2015-2019) prej 5,005 personash po të tremujorit të tretë ka një rritje 26% mbi mesataren historike 5-vjeçare (1,289 persona më shumë). Historikisht, të dhënat tregojnë se periudha kur ka më shumë humbje jete është tremujori i parë, ku për shkak të motit të ftohtë bie imuniteti kryesisht i të moshuarve. Në tremujorin e dytë e të tretë numri i vdekjeve bie dhe në tetor-dhjetor, kur fillon e ftohet moti, rritet sërish, por duke mbetur nën nivelin e janar-marsit” raporton Monitor.
Sipas analizës faktori i vetëm i ri, që mund të shpjegojë shtimin e ndjeshëm të vdekjeve, është pandemia. “Të dhënat sugjerojnë se numri i vdekjeve reale nga Covid-19 mund të jetë të paktën dy herë më i lartë se ai i raportuar zyrtarisht. Në raportimet zyrtare jepen vetëm vdekjet në spitale, që ishin të konfirmuar me tampon, ndërkohë që ka të tjerë, që edhe pse mund të kenë humbur jetën nga Covid-19, nuk janë të raportuar të tillë, pasi nuk kishin konfirmimin me tampon. Ka dhe shumë raste të vdekjeve në Turqi, apo të tjerë që kanë humbur jetën në shtëpi, apo që Covid-19 u ka dëmtuar organizmin dhe kanë pasur arsye të dukshme sëmundjen e qarkullimit të gjakut (zemra apo tensioni p.sh).” Tendencën e rritjes së vdekjeve si arsye e epidemisë së koronavirusit e konfirmon dhe Alban Ylli, eksperti i Institutit të Shëndetit Publik i cili shprehet për monitor se “për tremujorin e tretë, arsyeja kryesore e rritjes së vdekjeve është Covid. Tipike si në gjithë vendet e tjera”. E ndërsa kjo analizë e bazonte përfundimin e saj vetëm në krahasimin e shifrës së vdekjeve në vitin 2020 krahasuar me vitin 2019, nga opozita ka ardhur një akuzë direkte për qeverinë; fshehje e qëllimshme e vdekjeve!
Denoncimi i opozitës
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tërhoqi vëmendjen me një akuzë të fortë që ngriti të enjten në emisionin “Opinion”. Sipas tij qeveria fsheh numrin real të viktimave të koronavirusit. Për të vërtetuar këtë akuzë ai publikoi një fletore shënimesh me shifra nga morgu i QSUT-së, dhe i bëri thirrje Prokurorisë të nisë menjëherë hetimin duke e cilësuar këtë një krim të rëndë. Duke shfaqur siguri në fjalët e tij Basha tha se kishte me vete edhe listën e emrave, të cilat sipas tij kanë ardhur nga morgu ku janë raportuar si vdekje nga COVID-19, por që nuk janë raportuar në shifrat zyrtare. “Qeveria ka fshehur vdekjet në morgun e Tiranës. Kjo është e vërtetuar nga njerëz me emër me mbiemër, që janë konfirmuar nga morgu. Unë po i bëj thirrje prokurorisë të shkojë në këtë moment në morg dhe të marrë evidencat e plota, dhe të vërtetojë këtë që po them. Kjo që keni përpara, ka ardhur nga një denoncim që është verifikuar me vdekjet e raportuara dhe vdekjet e vërtetuara në morgun e Tiranës. Vetëm në spitalet Covid, jo atyre që kanë vdekur në shtëpi. Ne disponojmë edhe emrat e viktimave. Ndërkohë që në këtë moment unë kam qindra mesazhe denoncuese nga të afërm të viktimave, këta nuk janë thjesht numra por janë jetë njerëzish”, tha Basha. Dokumenti i publikuar prej tij fliste për një shifër dyfish më të lartë. Sipas këtyre shifrave deri në tetor janë raportuar 509 viktima, por në morg janë regjistruar 923 viktima. Manipulimi më i madh është bërë me muajin nëntor, ku numri i viktimave i raportuar nga qeveria është 128, por sipas shifrave të morgut janë 315 humbje jete nga covid. Në total, sipas dokumentit të publikuar nga Basha, që nga fillimi i pandemisë deri më 17 nëntor të këtij viti kanë vdekur 1238 persona, ndërsa janë raportuar rreth 601 viktima nga ana e institucioneve përgjegjëse. Basha i ka qëndruar edhe gjatë ditës së djeshme akuzës së tij duke kërkuar që të nisin hetimet për këtë krim nga ana e qeverisë.
Qeveria nxjerr mjekët në barrikadë
Mbrojtja më e mirë është sulmi. Kësaj aksiome nuk i ka shpëtuar dje qeveria e cila në vend të niste hetimet për nxjerrjen e së vërtetës për akuzën e opozitës ka preferuar të hidhet në sulm duke nxjerrë mjekët në barrikadë. Pasi nxori shefen e Spitalit Infektiv, Najada Çomo, e cila i konsideron deklaratat e Bashës të pavërteta dhe goditje ndaj punës së tyre, kryeministri Edi Rama e kanalizoi këtë akuzë të opozitës si akuzë për punën e mjekëve. Çomo tha dje: “Janë akuza tronditëse që vënë në goditje profesionalizimin tonë si mjekë, por dhe janë goditje të befasishme të përpjekjeve tona në luftën kundër covid. Përballë akuzash të tilla e shohim të domosdoshme të informojmë publikun se, nuk është kurrsesi e vërtetë që janë fshehur vdekje nga covid, është praktikisht e pamundur, pasi çdo pacient që ndërron jetë përcillet për në morg bashkë me kartelën shoqëruese që përmban dhe arsyen e vdekjes, e cila është firmosur dhe vulosur me përgjegjësi profesionale dhe ligjore nga mjeku që e ka trajtuar deri në momentin e fundit”. Mjekja Çomo vijon deklaratën duke thënë se janë të gatshëm ndaj hetimeve për çdo kartelë mjekësore. Deklarata e saj u pasua nga një reagim i Ramës i cili po ashtu e fokusonte mbrojtjen e tij me dinjitetin e bluzave të bardha. “U shpreh të gjithë solidaritetin dhe mbështetjen time, profesoreshë Najada Çomos e të gjithë skuadrës së saj shembullore, duke u përulur me mirënjohje përpara stërmundimit të tyre të përditshëm prej nëntë muajsh me radhë, si edhe duke u thënë që historia e mjekësisë shqiptare do të flasë për ta kur Lulëzim Bashës e xhagajdurëve të tjerë të botës mizerabël të shpifjeve e të thashethemeve, t’u jetë harruar emri, nami e nishani!”, thuhet në reagimin e kryeministrit.
Dëshimtë dhe denoncimet
Dy dëshmi të forta erdhën dje, për rsate me covid që kanë ndërruar jetë, por që nuk janë raportuar zyrtarisht. Nenkryetari i PD, Edi Paloka, tha se kishte humbur vajzën e tezes nga koronavirusi, po ajo nuk u permend në asnjë buletin. Sot, Paloka ka reaguar sërish, ku sipas tij disa media të qevrisë janë perpjekur ta hedhin poshtë rastin e tij, duke thënë se derisa eshte bere mediatike, skish pse të ishte në buletinin zyrtar.
Për Palokën, kjo është një arsye më shumë që ai rast të perfshihej.
Mjeku i njohur, Renato Osmenaj, ka deklaruar dje se shifrat janë të tjera, dhe se ato nuk manipulen nga bluzat e bardha, por nga qeveria.
Anëtari i Keshillit Kombetar të PD, Jolio Dine, denoncon humbje jetësh që nuk janë në raportimet ditore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe në njërin prej rasteve ai kishte si dokument vërtetësie raportimin e autoriteteve lokale. Bëhej fjalë për të moshuarin L. K. 78 vjeç, vdekja e të cilit është bërë publike përmes një komunikate të autoriteteve lokale më 11 nëntor, por që nuk është raportuar nga Ministria e Shëndetësisë në raportimet e asaj dite dhe as të ditëve më pas.
Gazetari Erjon Skendaj, vazhdimisht ka ngritur zërin, se ka më shumë fatalitete se sa raportohen, dhe se gjendja është shumë më e renda sa thuhet nga autoritetet.