Në aktin normativ të datës 2 korrik, qeveria pranon se deficiti i krijuar në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, është rreth 1.2 miliard euro, më i madhi në dy dekadat e fundit. Humbje më të mëdha kanë ardhur nga doganat e tatimet, ndërsa për dy paketat e ndihmës COVID-19 u dhanë vetëm 100 milionë euro. Ish-ministri i Financave Arben Malaj, thotë për MAPO se shumë shpejt vendi do shkojë drejt krizës financiare: Ky borxh rrezikon të na kthejë në “tokë të djegur”
Buxheti i shtetit do të përballet me një deficit prej gati 1.2 miliard eurosh për vitin 2021. Qeveria me një akt normativ që mban datën 2 korrik ka bërë ndryshime në buxhetin e shtetit, ku parashikon një rritje borxhi me gati 10 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndër borxhet më të larta të 20 viteve të fundit.
Arben Malaj ish-ministër i Financave, thotë në një prononcim për MAPO, se ky borxh po e dërgon me shpejtësi vendin drejt krizës.
“E para, akti normativ nuk ka transparencë pasi nuk shpreh qartë se sa janë humbjet nga tatimet dhe doganat, dhe botimi i tij në Fletoren Zyrtare nuk shoqërohet me relacionin përkatës. E dyta, borxhi i parashikuar është sa 8.4% e PBB dhe së bashku me financimin e munguar prej 1.6 për qind të parashikuar në buxhetin e këtij viti, shkon në 10%, çka do të thotë se borxhi është rritur ndjeshëm. E treta, qeveria nuk thotë se si do e financojë këtë borxh që duket se do t’i rëndojnë shumë taksapaguesve. E katërta, do të na duhet të rrisim të ardhurat dhe të shkurtojmë shpenzimet. Rritja e të ardhurave dhe reduktimi shpenzimeve jo produktive do të jenë pjese e rikthimit dhe ruajtjes së stabilitetit afatmesëm dhe afatgjatë. Shkurtimi apriori i shpenzimeve për rikthim te stabilitetit më parë ka prekur më rëndë shëndetësinë dhe mbrojtjen sociale. Pra, me pak fjalë, rrezikon të na kthejë në një “tokë të djegur”, thotë Malaj.
Doganat dhe tatimet
Shpenzimet qeveritare në buxhetin e shtetit, ishin parashikuar diçka më shumë se 509 miliardë lekë dhe shpenzimet 549 miliardë lekë me një deficit prej 39.7 miliardë lekësh. Por ndryshimi në aktin normativ të korrikut është drastik. Të ardhurat nga doganat e tatimet rezultojnë se janë ulur me rreth 516 milionë euro, ndërsa shpenzimet kanë pasur një rritje prej gati 200 miliardë lekë ose 160 milionë euro.
Rritje të shpenzimeve ka pasur dhe në sektorë të tjerë të ekonomisë. Pra, peshën më të madhe të këtij deficiti historik e mbajnë humbjet në dogana e tatime, ku vetëm në dogana shteti ka humbur më shumë se 350 milionë euro nga mosmbledhja e të ardhurave. Pjesa tjetër, u përket tatimeve, ku 17 milionë euro rezultojnë të pambledhura nga TVSH.
Lista më tej vazhdon me tatimin mbi të ardhurat, tatimin e fitimit, taksat nacionale etj. Për financimin e borxhit qeveria ka parashikuar që gjysma të paguhet nga financimi i brendshëm, dhe 49% do të jetë huamarrje e huaj, grante e të tjera, çka e çon deficitin e përgjithshëm në gati 10 miliardë euro në total, ose në 80% të Prodhimit të Përgjithshëm Bruto.
Shpenzimet
Por nuk është vetëm kjo. Sipas projeksioneve, prodhimi kombëtar bruto pritet të ketë një tkurrje prej gati 1.7 miliardë eurosh e cila nuk do të injektohet në ekonomi. Kriza e COVID ka prekur të gjithë sektorët, ndërsa për dy paketat qeveria dha vetëm 12 miliardë lekë ose rreth 100 milionë euro. Duket se dëmi më i madh i ekonomisë i ka ardhur nga vetë strukturat shtetërore.
Duket se vetë qeveria nuk ka lëvizur nga shpenzimet e saj në prokurime apo pagesa PPP, megjithëse shifrat në mbledhjen e të ardhurave, sidomos përgjatë dy muajve të pandemisë po shkonin drejt gropës. Nga ana e saj opozita e ka akuzuar shpesh për zhvillime tenderash të panevojshëm në kohë pandemie, të cilat duket se kanë rritur dhe artificialisht faturën financiare.
Shifra prej 100 milionë dollarësh që u shpërndanë në formë ndihme për ata që humbën vendet e punës, është shumë larg nga deficiti që pretendon qeveria se është shkaktuar për shkak të pandemisë. Për rritjen e borxhit qeveria ka ndryshuar dhe ligjin e vitit 2008, në nenin 4/1 ka shtuar paragrafin
“Masa e deficitit buxhetor nuk mund të tejkalojë masën e shpenzimeve kapitale të parashikuara çdo vit në ligjin e buxhetit, përveçse në rastet e rrethanave të jashtëzakonshme që parashikohen në nenin 4/4, të këtij ligji.”
Qeveria
Por ndërkohë që përballet me një problem të tillë, sjellja e qeverisë një vit para fushate duket si ajo e një qeverie e cila jo vetëm ka realizuar objektivat e buxhetit, por i ka tejkaluar ato. Për shembull Kryeministri del dhe premton hapjen e tunelit të Llogarasë, apo ndërtimin e rrugës Milot-Fier e cila do kushtojë 1.2 miliard euro.
Një premtim tjetër është dhe ndërtimi i teatrit Kombëtar me fonde shtetërore, ndërtimi i hidrocentralit të Skavicës apo dhe ai i Aeroportit të Vlorës, investime këto shumë ambicioze për buxhetin e rrënuar të shtetit siç rezulton nga akti normativ. Nga ana tjetër, janë ende pa u stabilizuar shumica e personave të cilëve iu rrënuan shtëpitë nga tërmeti i 26 nëntorit të kaluar.
Vërtet Shqipërisë iu alokuan 1.2 miliard euro grante dhe borxh nga vendet e BE dhe institucione të tjera financiare, por nuk ka ende një informacion se çfarë do bëhet me alokimin e tyre, ndërkohë që vendit i shtohen dhe 1.2 miliard të tjera borxhe në një vit të vetëm, jo vetëm për shkak të pandemisë.