Kryesore

Pandemia do e ndryshojë përfundimisht mënyrën e të bërit biznes





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 18:09 - 05/04/20 |
Nga Beata Javorcik

Edhe kur të jemi në gjendje ta vemë nën kontroll pandeminë e koronavirusit, efektet e saj ka të ngjarë të mos nxisin asgjë tjetër më shumë sesa një rishikim të mënyrës sesi bota bën biznes.


Pandemia erdhi në një kohë kur globalizimi ishte nën një kërcënim serioz nga lufta tregtare midis SHBA dhe Kinës, dhe kur pasigurisë mbi të ardhmen e tregtisë së lirë në përgjithësi ishin në rritje.


Në të kaluarën, tronditjet në rrjetet globale të tregtisë nga ngjarje të tilla si tërmeti i 2011 apo tsunami në Japoni, ishin ngjarje kalimtare. Ishin shqetësime të përkohshme që nuk e kërcënonin seriozisht modelin e suksesshëm dhe të qëndrueshëm të biznesit, duke supozuar se globalizimi gjithësesi nuk rrezikohej.


Tani është ndryshe. Tronditjet që po përjeton globalizmi ka të ngjarë ta dëmtojnë atë. Konflikti SHBA-Kinë nuk është zgjidhur dhe mund të mbretërojë në vijim. Kompanitë nuk mund ta marrin më si të arsyeshme që rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë do të parandalojnë ngritje të papritura të proteksionizmit. Mekanizmi i mosmarrëveshjeve të OBT-së ka pushuar së punuari.


Në të njëjtën kohë, Covid-19 ka ekspozuar atë që shumëkush e konsideron një varësi të tepruar nga Kina. Provinca e Hubeit, ku filloi shpërthimi, është një qendër prodhuese e teknologjisë së lartë, baza e firmave lokale dhe të huaja që janë shumë të integruara në industrinë e automobilave, elektronikës dhe farmaceutikës.

Provinca jep 4.5 përqind të produktit të brendshëm bruto kinez; 300 nga 500 kompanitë më të mira në botë kanë filiale në Wuhan, kryeqyteti i Hubeit. Përhapja e koronavirusit shkaktoi ndërprerje të furnizimeve nga atje, në të gjitha kontinentet e tjera, që para se të mbërrinte pandemia.

Përpjekja për të gjetur furnizues me kosto efektive ka lënë shumë kompani pa një plan B. Më shumë se gjysma e firmave të anketuara nga Klubi i Tregtisë dhe Industrisë Japoneze në Shanghai raportoi se zinxhirët e tyre të furnizimit ishin prekur nga shpërthimi.

Më pak se një e katërta thanë se kishin plane alternative të prodhimit ose blerjeve në rast të një ndërprerjeje të zgjatur. Efektet goditëse mund të jenë më të mëdha pasi kompanitë shpesh nuk e dinë ku gjenden furnizuesit e furnitorëve të tyre.

Shumë vende tani po zbulojnë se sa të varura ishin nga Kina. Për shembull, pothuajse tre të katërtat e holluesve të gjakut në Itali vinin nga Kina. E njëjta gjë është e vërtetë për 60 përqind të antibiotikëve të importuar nga Japonia dhe 40 përqind të importuara nga Gjermania, Italia dhe Franca.

Tensionet politike do të rriten ndaj udhëheqësve, veçanërisht atyre që nuk kanë bërë sa duhet për t’i përgatitur vendet e tyre për një reagim të fortë. Kjo do të shtojë pasiguritë edhe për politikat tregtare.

Bizneset do të detyrohen të rimendojnë marrëdhëniet e tyre globale, të cilat gjithësesi kanë qenë forma e tyre efikase për të rritur fitimet.

Në mungesë të një përgjigje të kordinuar globalisht, ne mund të presim më shumë tronditje në formën e ngjarjeve ekstreme të motit ose shpërthime të tjera infeksionesh. Kompanitë që do të dështojnë të ndërmarrin veprime mund të pësojnë fatin e bretkosës që vlon gradualisht. Rezistenca do të bëhet tema e ditës.

Firmat do të mendojnë më shumë për diversifikimin e bazës së tyre të furnitorëve për t’u mbrojtur nga ndërprerjet në një prodhues të veçantë, rajon gjeografik ose ndryshimet në politikat tregtare.

Kostot me siguri do të rriten. Por në botën pas-Covid, shqetësimet për brishtësinë e zinxhirit të furnizimit do të rëndojnë menjëherë kostot. Firmat pritet të vlerësojnë edhe qëndrueshmërinë e furnizuesve të tyre të nivelit të dytë dhe të tretë gjithashtu.

Rivlerësimi mund të bëhet duke u bazuar në faktin se automatizimi ul kostot e punës. Shtetet e reja anëtare të BE-së dhe Spanja mund të shohin një rritje të punësimit në prodhim.

Mund të krijohen mundësi për vendet që më parë nuk kanë qenë në krye të listave të investitorëve. Në një botë post-pandemike, në bordet e kompanive do të përmenden më shumë vende të tilla si Bjellorusia, Ukraina ose Mongolia, ndërsa drejtuesit do të kërkojnë këshilla për Tiranën apo Kisinau.

Në korridoret e Brukselit do të ketë diskutime më në fundit për një integrim më të thellë tregtar në drejtim të lindjes dhe jugut. Coronavirusi nuk do të jetë fundi i globalizimit, por do ta ndryshojë atë. Kompanitë do të duhet të përshtaten për të pasur sukses. Kjo është ajo që virusi do të na detyrojë të bëjmë ekonomikisht. /Financial Times

Autorja është kryeekonomiste në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, BERZH

/Përktheu: Mapo.al/


Etiketa: , , ,

Pas