Mungesa e rezultateve pozitive në fushën e blertë duket se është refleksion i arkave financiare te Barcelona.
Klubi katalanas ka miratuar një buxhet shumë të ulët për sezonin 2021-2022. Vetëm 765 milionë euro do të ketë në dispozicion klubi spanjoll për pagat, shpenzimet e udhëtimeve, apo dhe bonuset në kontratat me lojtarët.
Ndërkaq, nga sezoni i shkuar, Blaugranët kanë raportuar 481 milionë euro humbje, duke e dërguar borxhin total në 1.35 miliardë euro. Një çlirim për arkat e klubit janë padiskutim heqja dorë nga pagat e larta gjatë kësaj merkato vere, ku natyrisht ajo e Lionel Messi peshonte shumë në buxhet.
Mes largimeve të kësaj merkato ishte edhe ajo e Antua Grizman dhe Miralem Pjanic. Të dy lojtarët, shtuar këtu edhe lojtarin e kombëtares shqiptare, Rej Manaj janë larguar për një sezon nga “Camp Nou’, por nëse bindin klubet respektive, mund të qëndrojnë në skuadrën e tyre të re.