Aktualitet

Pandemia – Komiteti i ekspertëve pranon situatën e rëndë














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:00 - 02/02/21 |
mapo.al

Komiteti i Ekspertëve ka pranuar dje se ka rritje të numrit të infektimeve dhe të viktimave nga COVID-19. Është rritur përhapja me raste të rënda mes moshave të reja. Komiteti, i paqartë nëse ka hyrë në vend varianti anglez i koronavirusit. Masat e parandalimit të pandemisë nuk do të ndryshojnë. Fluturimet me Anglinë mbeten të pezulluara.






Situata nga përhapja e pandemisë në vendin tonë është e rëndë. Këtë e pranoi edhe Komiteti Teknik i Ekspertëve pasi të shtunën e të dielën infektimet kapën shifra rekord 901 dhe 876. Komiteti doli dje në një komunikim për mediat ende pa u raportuar shifrat e ditës, të cilat, pak orë më vonë përforcuan alarmin. 13 ishte numri i vdekjeve, dhe 865 të infektuar për 24 orët e fundit.


Koronavirusi po përhapet edhe në moshat e reja me raste të rënda që kërkojnë hospitalizim, por komiteti nuk e ka akoma të qartë nëse në vendin tonë ka hyrë varianti anglez i COVID-19, edhe pse përhapja e tij është konfirmuar tashmë në vendet fqinje. Kryetarja e komitetit, Mira Rakacolli, e cilësoi “një moment delikat” situatën me përhapjen e pandemisë. Ndërsa shefja e spitalit infektiv Najada Çomo ngriti shqetësimin për përhapjen në moshat e reja.







“Edhe moshat e reja të shtruara në spitale paraqesin forma të rënduara të shëndetit”- tha ajo. Gjithsesi komiteti nuk ka liruar masat që janë në fuqi edhe pse nuk kanë marrë masa shtesë për parandalimin e përhapjes. Fluturimet me Britaninë e Madhe do të vijojnë të mbeten të pezulluara, ndërsa nuk ka një vendim të ri për hapjen e auditoreve të universiteteve. Anëtarët e komitetit pranuan se situata është e rëndë edhe në bashkitë e vogla dhe se numri i fataliteteve është në rritje të konsiderueshme. Në mesin e kësaj situate të vështirë qeveria shqiptare nuk ka asnjë plan konkret për vaksinimin e popullsisë.




Ishte kryeministri Edi Rama që pranoi dje se do të vijë një furnizim i ri me vaksina por sasia është shumë e vogël në krahasim me atë që ishte parashikuar. Komiteti u mblodh dje për të vlerësuar ecurinë e pandemisë në vend, ku u ngrit shqetësimi për rritjen e numrit të infektimeve, që sipas tyre ka ardhur si rezultat i mosrespektimit siç duhet të masave, duke i vënë ‘fajin’ neglizhencës së treguar gjatë periudhës së festave të fundvitit të 2020-ës e javëve të para të këtij viti.



Por vetë kryetarja e Komitetit Mira Rakacolli u kap në flagrancë duke thyer këto rregulla pasi u fotografua në një takim elektoral në një sallë të mbyllur me më shumë se 10 veta. Ajo u justifikua dje duke thënë që ishte një keqkuptim pasi fotoja u bë kur po ndërroheshin grupet.

Fatalitetet dhe infektimet
Silva Bino, drejtore e ISHP-së tha dje se java që lamë pas ka pasur rritje të rasteve të rasteve të vdekjeve nga COVID-19. “Incidenca javore është rritur në 209 raste për 100 mijë banorë. Duket rritje drastike, rritje e rëndësishme, sepse ka qenë poshtë 200”, pranoi ajo. “Vëmë re rritje të incidencës 2-javore. Kjo kombinohet edhe me rritje të shtrimit në spitale e kemi edhe rritje të numrit të vdekjeve. Rritja më e madhe është në Tiranë, por rritje ka edhe në Durrës, në Fier. Rritja më e madhe është në Sarandë. Vihet re rritje graduale në të gjitha bashkitë e vendit.

Kreu i Urgjencës Kombëtare Skënder Brataj informoi se vihet re një rritje e thirrjeve në numrin 127 dhe se vetëm nga 1 janari janë kryer 2580 vizita për COVID-19, nga këto 1240 persona kanë përfunduar në spital. Ai deklaroi se në tre ditët e fundit janë 60-70 raste në ditë. “Janë rreth 742 mijë thirrje që nga fillimi i pandemisë, të përkthyera në 125 mijë vizita, nga të cilat 37 mijë janë vetëm për COVID-19. 18397 vizita në banesa, 47% janë shtruar në spital, 53 % janë trajtuar në banesë. Në 24 orët e fundit vëmë re një rritje edhe pavarësisht numrit të thirrjeve që janë gjithmonë te 1800-2000, vizitat në banesë janë shtuar. Për 24 orët e fundit janë 443, 156 vetëm për COVID-19, nga të cilat 67 kanë përfunduar në spital dhe 89 janë trajtuar në banesë. Ajo që na shqetëson është fakti i muajit janar. Nga 1 janari janë 11691 vizita të kryera në banesë, nga të cilat 2580 janë vetëm për COVID-19 dhe në spital kanë përfunduar 1240 persona.

Ndërsa 1340 janë trajtuar në vendngjarje. Me një shtrim rreth 280 drejt QSUT-së dhe 184 te “Shefqet Ndroqi”, plus ato rajonale që janë 776”, raportoi Brataj. Edhe shefja e Infektivit, Najada Çomo deklaroi se ditët e fundit rastet me koronavirus janë rritur, çka ka sjellë kështu dhe rritjen e numrit të shtrimeve në spitale. Gjatë fjalës së saj në mbledhjen e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Çomo tha se grupmoshat e shtruara janë nga 30 vjeç deri në 90. “Sikurse është referuar, është parë një shtim i numrit të personave të infektuar, dhe kjo pasqyrohet dhe në shtimin e personave të shtruar në spital. Të shtruarit në spitale janë pacientët në formën mbi atë të moderuar, të rëndë apo kritike. Ditët e fundit evidentohen raste të shtuar të shtrimeve të COVID. Kjo tregon një trend në rritje. Informacioni që dua t’ju jap është se kemi persona të shtruar në spital nga mosha 30-90 vjeçare. Mosha më e prekur është 50-60 vjeçare. Një thirrje kam për popullatën është se arma që kemi në dorë është mbajtja e maskës, ruajta e distancimit fizik, pasi jemi nga të paktat vende që nuk e respektojmë atë”, tha Çomo.

Masat
Zv.ministrja e Shëndetësisë Rakacolli theksoi se për momentin do të mbetet në fuqi pezullimi i fluturimeve me Britaninë e Madhe. Gjithashtu ajo u ndal dhe te hapja e universiteteve. Rakacolli konfirmoi se janë në komunikim të vazhdueshëm me Ministrinë e Arsimit dhe brenda kësaj jave do të ketë një vendim lidhur me mundësinë që të paktën provimet të zhvillohen në auditoret e universiteteve. “Nga diskutimet e bëra nga ekspertë, mendohet se kjo rritje ka lidhje me moszbatimin e duhur të masave gjatë festave të fundvitit dhe ditëve të para të janarit.

Nuk janë respektuar masat siç duhet e maskave, distancimit fizik. Me rritjen e këtyre indikatorëve po vlerësohet shfaqja e mutacionit të ri. Deri më tani situata vijon të jetë e kontrolluar dhe për këtë arsye është vendosur që universitetet po punojmë së bashku me Ministrinë e Arsimit për të vlerësuar diçka konkrete për këtë realizim dhe do të kemi maksimumi një vendim brenda kësaj jave. Gjithashtu do të mbetet në fuqi pezullimi i fluturimeve me Britaninë e Madhe deri në një moment të dytë. Jemi në një moment delikat që lidhet me shirat, kemi mundësinë e ndryshimit të virusit siç dihet ka një shtim të infektueshmërisë së tij. Qytetarët duhet të zbatojnë me rigorozitet mbajtjen e maskave, respektimin deri në detaj të distancimit social dhe fizik, sepse ajo të mbron nga të gjitha maskat”, tha Rakacolli.

1170 vaksina mbërrijnë në Shqipëri – Rama: Vendi i origjinës mbetet konfidencial

Kryeministri Edi Rama në një dalje për mediat nga Aeroporti i Rinasit, deklaroi se 1170 doza vaksine kanë ardhur në Shqipëri.

Më tej Rama deklaroi se vaksinat e tjera të Pfizer do vijnë në shkurt, duke qenë i rezervuar për datat, pasi e quan një proces dinamik atë të negocimit.

Gjithashtu, Rama nuk tregoi vendin e origjinës se nga vijnë vaksinat në vendin tonë.

Ai theksoi se janë drejt kontratës me kompaninë AstraZeneca edhe pse nuk dha shumë detaje.

“Për muajin, mars, prill, qershor kemi diskutuar me Pfizer. Por nuk e kemi varur veten vetëm në duart e Pfizer, të BE apo në duart e një pale apo të një pale tjetër. Me të gjithë kemi kontakte, unë jam shumë i bindur se jemi në lartësinë e detyrës”, tha ai.

Gjatë fjalës së tij kryeministri kundërshtoi reagimet se Pfizer ka shkelur kontratën, duke i quajtur reagime të ‘qafirit digjital’.

“As nuk e mendojmë që t’i shkojmë Pfizer nëpër gjykata sepse me Shqipërinë është sjellë si s’ka më mirë. Sa na takon neve dhe mënyra se si e lexojmë ne kontratën, Pfizer nuk ka shkelur kontratën.

Disa qafira që ishin pjesë e një turpi të madh me komentimin e disa faqeve të shkëputura të kontratës vrapuan për ta helmuar këtë popull dhe për t’i thënë se çdo gjë këtu është vetëm e zezë, duke keqinterpretuar kontratën dhe duke thënë se vaksinat po vijnë për fushatë, apo show, sepse një pjesë e madhe nuk do të vijë duke përjashtuar kështu nga vaksinimi 2 milionë shqiptarë. Deri këtu shkoi qafiri digjital”, tha Rama.

1


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas