Ndryshimet në Kodin Penal për parandalimin e Covid-19 në Shqipëri nuk duken të domosdoshme në funksion të situatës e nuk janë proporcionale. Opinioni publik u vu para një fakti të kryer, thotë për DW juristi Ledi Bianku.
DW: Pak ditë më parë, Parlamenti shqiptar votoi ndryshime në Kodin Penal që lidhen me situatën pandemike. A mendoni se ndryshimet në këtë situatë ishin të nevojshme?
Ledi Bianku: Është e vështirë, ose të paktën e parakohshme, të arrihet sot në një vendim përfundimtar nëse ndryshimet e miratuara në Kodin Penal me Ligjin 35/2020 janë apo jo të nevojshme. Megjithatë për mendimin tim ka dy elemente që tregojnë mangësi në miratimin e këtyre ndryshimeve. Së pari për sa i përket formës – Megjithëse ndryshimet në kode gjatë një periudhe të jashtëzakonshme nuk ndalohen nga neni 170 § 5 i Kushtetutës është gjithmonë tepër delikate që gjatë një periudhe të tillë të bëhen ndryshime në akte me karakter normativ të përhershëm. Siç mund të shihet edhe nga materialet e disponueshme në faqen e internetit të Kuvendit, ndryshimet, për pjesën që u përket sanksioneve ndaj personave që shkelin masat që merren nga autoritetet për parandalimin e Covid-19 janë bërë në mënyrë të përshpejtuar.
Ato nuk shoqërohen me një relacion të detajuar të arsyeve që e kanë shtyrë Kuvendin të propozojë masa të tilla. Vetëm 10 rreshta duket se mjaftojnë për të justifikuar miratimin e dispozitave që vetë janë më të gjata se shpjegimi për miratimin e tyre. Nga ana tjetër, mund ta kem gabim por nuk rezulton nga materialet publike, që të ketë pasur një debat të mirëfilltë parlamentar dhe as analizë apo shkëmbim mendimesh me strukturat shtetërore të specializuara, si Ministria e Drejtësisë, ajo e Rendit Publik, e Shëndetësisë etj., në lidhje me nevojën e këtyre masave.
Gjithashtu, nuk duket të ketë pasur asnjë konsultim me grupe interesi apo organizata të të drejtave të njeriut, për këto ndryshime, dhe opinioni publik është gjendur përpara një fakti të kryer. Për sa i përket analizës së nevojës, pra një aspekt më thelbësor, nuk kam arritur të gjej asnjë argument që të shpjegojë se masat e marra ndërkaq nga autoritetet, pra sanksionet administrative, nuk kanë qenë të mjaftueshme deri tani. Pra është e pamundur të arrihet në përfundimin se kujtoj që parimi i proporcionalitetit, që duhet të udhëheqë këtë analizë, është jo vetëm një parim i përgjithshëm legjislativ, por edhe i parashikuar shprehimisht për situatat e jashtëzakonshme nga neni 170 § 4 i Kushtetutës. Për sa kohë një analizë të tillë unë nuk e shoh në materialet e disponueshme, këto ndryshime nuk mendoj se e kalojnë testin e justifikueshmërisë të tyre në kuptimin e kritereve të shtetit të së drejtës siç i rendit Komisioni i Venecias.
Sa i përligjur është votimi brenda një kohe tepër të shkurtër dhe me procedurë të përshpejtuar?
Argumentet e mësipërme vlejnë në një masë të madhe edhe në lidhje me këtë pyetje. Natyrisht që masat që ndërmerren në një situatë emergjente kanë gjithmonë një karakter emergjent. Por që gjithmonë ato duhet të përpiqen të justifikohen edhe në kuadër të kësaj situate.
Dënimi më i ashpër në ndryshimet e reja të Kodit Penal është ai me heqje lirie deri në 10 vjet, kur personi i infektuar përhap me dashje virusin dhe rrezikon jetën e të tjerëve. Si mund të provohet që dikush ka infektuar dikë me dashje në rastin e një pandemie?
Së pari, në lidhje me masën e dënimit, përsëri duhet që autoritetet të justifikojnë që një masë e tillë, sidomos ajo maksimale prej 8 vjetësh (neni 89/b/3), ishte e domosdoshme në situata të tilla. Mua nuk më rezulton që të jetë ofruar një justifikim i tillë. Po të krahasohet ky sanksion maksimal me atë që parashikon neni 96 § 2 i Kodit Penal i cili për mjekimin e pakujdesshëm nga mjeku parashikon maksimumi 5 vjet dhe për infektimin me HIV/SIDA maksimumi 7 vjet, atëherë dënimi maksimal i parashikuar nga neni 89/b/3 me duket joproporcional.
Nëse ky dënim do krahasohej me dënimet që, për shembull, Italia dhe Franca, zbatojnë në një situatë të tillë, situata duket ndryshe. Sipas informacioneve që kam unë Italia fillimisht e rregulloi me një nen të përgjithshëm të Kodit Penal, nenin 650, i cili parashikon gjobë ose burg deri në 6 muaj. Kurse Franca, për t’iu përgjigjur situatës Covid-19, ka miratuar dispozita të reja në Kodin e Shëndetit Publik duke parashikuar në nenin L3136-1 sanksione që konsistojnë kryesisht në gjoba, pezullim të patentës dhe burg deri në 6 muaj.
A është ky ligj i zbatueshëm në praktikën penale apo më tepër një akt deklarativ kërcënues ndaj qytetarëve?
Çdo sanksion penal ka në vetvete dy aspekte, atë parandalues dhe atë ndëshkues. Në një nga traktatet më të vjetra mbi politikat penale, “Krime dhe dënime”, të vitit 1764, Cesare Beccaria shprehej se “është gjithmonë më mirë t’i parandalosh krimet sesa të të duhet t’i ndëshkosh ato”. Pra edhe nëse ndryshimet në Kodit Penal kanë një qëllim parandalues, që mund edhe ta quajmë kërcënues, kjo është plotësisht e pranueshme për legjislacionin penal. Problemi është nëse në rastin konkret kërcënimi në fjalë i është përgjigjur testit të nevojës në funksion të situatës konkrete dhe nëse masa e kërcënimit, ose më saktë sanksioni që parashikohet për veprat penale përkatëse, është proporcional. Për arsye të përgjigjeve në të cilat arrij, të paktën tani për tani, në lidhje me pyetjet 3 dhe sidomos 1, nuk më duket se autoritetet shqiptare të kenë treguar se i kanë vlerësuar si duhet këto elemente.
Ndryshimet në Kodin Penal janë kundërshtuar nga shoqëria civile dhe organizata që mbrojnë të drejtat e njeriut. Në këndvështrimin tuaj, a cenojnë këto ndryshime, liritë dhe të drejtat e individit?
Duhet pasur parasysh që ka disa elemente juridikë që luajnë rol në dhënien e përgjigjes pyetjes suaj. Disa nga to unë i përmenda më sipër. Së pari, duhet theksuar se apriori, nisma për këto ndryshime ka një qëllim krejt legjitim që është mbrojtja e jetës dhe e shëndetit të personave dhe të publikut në tërësi. Megjithatë analiza vazhdon duke u ndalur, së dyti, te procedura e miratimit të ligjit, e cila është bërë në mënyrë të precipituar dhe paargumentuar, dhe lidhur me të, mungesa e shpjegimeve përse këto ndryshime në Kodin Penal ishin të domosdoshme, për t’iu përgjigjur situatës. Së treti është elementi i karakterit proporcional të masës. Siç e thashë më sipër krahasimet që mund të bëhen ngrenë dyshime legjitime mbi këtë pikë, dyshime për të cilat deri tani autoritetet nuk kanë ofruar argumente për t’i hedhur poshtë.
Prej kohësh Shqipëria ka një Gjykatë Kushtetuese jofunksionale. A rrezikon kjo parimet demokratike, në një vend ku ndryshimet në Kodin Penal bëhen kaq lehtësisht?
Kontrolli parlamentar dhe ai gjyqësor janë dy elemente themelore të funksionimit të shtetit ligjor edhe në situata të jashtëzakonshme, sipas Komisionit të Venecias. Mungesa e një kontrolli të mirëfilltë parlamentar, është një garanci shumë e fortë në mënyrë që ekzekutivi të mos marrë masa që shkelin të drejtat themelore. Por nuk besoj se kontrolli i ushtruar nga Kuvendi i Shqipërisë, në përbërjen aktuale dhe pa dashur të analizoj arsyet, i përmbush kriteret për një kontroll të tillë. Procedura e miratimit të ndryshimeve në Kodin Penal, pa një analizë dhe pa një debat të mirëfilltë, qoftë edhe online, është prova e radhës, pavarësisht arsyeve që mund të ketë.