Pandemia koronavirus në botë nuk po frenohet, madje përhapja është rritur në shumë vende. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kryesojnë listën me mbi 3,5 milionë të infektuar që prej shpërthimit të Covid-19.
Vetëm në 24 orët e fundit janë raportuar më tepër se 73 mijë raste të reja, një rekord tepër i zymtë. Bilanci i viktimave shkoi në mbi 138 mijë. Shtetet amerikane më të goditura po marrin staf mjekësor nga vende të tjera për të përballuar emergjencën shëndetësore, teksa autoritetet paralajmërojnë se shumë shpejt do të mbarojnë shtretërit në spitale.
Në Arizona, disa persona kanë humbur ndjenjat duke pritur në radhë për t’u testuar. Brazili është një tjetër shtet që është gjunjëzuar nga pandemia.
Dhjetëra mijëra raste regjistrohen çdo ditë, ndërsa në total të infektuarit janë mbi 2 milionë dhe bilanci i viktimave raportohet të jetë mbi 76 mijë. Qeveria po kritikohet vazhdimisht për shkak të keq menaxhimit të emergjencës shëndetësore. Presidenti i Brazilit Bolsonaro, i cili u infektua nga Covid-19, ka minimizuar ashpërsinë e virusit duke kërkuar rihapjen e plotë të ekonomisë së vendit të Amerikës Latine.
Ndërkohë, India arriti një rekord tepër të zymtë. Autoritetet shëndetësore raportuan se bilanci i të infektuarve në total i tejkaloi 1 milion. Humbjet e jetëve nga koronavirusi i ri janë 25600. Shtimi i rasteve të reja është kthyer në një shqetësim serioz për Indinë pasi po çon strukturat spitalore drejt kolapsit. Lagjet më të varfra janë më të goditura.