Kryefjala e ditës mbetet virusi. Ai ka ngërthyer vendet më të zhvilluara të botës, në darën e ankthit dhe panikut. Njerëzit i trajton të gjithë njëlloj, nuk bën dallime në atë që prek, i pasur apo i varfër qoftë, i ri apo i vjetër. Eshtë inteligjent dhe i pabesë. Se di kurrë kur mund të godasë, apo se kur mund të rikthehet. Shenjestron kombet më të forta. Deri më tani më së shumti ka goditur simbolet e qytetërimit, të shkencës, artit dhe modës. New York, Milano, Paris, Madrid, Londër e Berlin, mbajnë frymën, kanë pushuar së ekzistuari.
E vetmja kurbë që ngrihet është ajo e të prekurve dhe vdekjeve të regjistruarava. Trilona dollarë dhe euro humbje, i lenë shteg teorive konspirative se më shumë se me një virus të ardhur nga kafshët, kemi të bëjmë me një bioterrorizëm të mirëmenduar. Pamjet që vijnë janë të dhimbshme. Sisteme shëndetësore që rrënohen dhe viktima që shtohen çdo ditë në Itali, Spanjë e SHBA.
Por që “haka të shkojë tek i zoti” deri më tani smund të thuhet se këtu tek ne është menaxhuar mire kjo situatë. Kjo dhe për faktin se qeveria është e ndërgjegjshme për situatën skandaloze të sistemit tonë shëndetësor. Shqipëria vazhdon të ruajë një shifër të moderuar të prekjeve dhe numri 8-të i rasteve të personave që kanë humbur jetën, korespondon me rreth 4.5% të të prekurve.
Qeverisë të një vendi si ky i yni, ku korrupsioni, arroganca dhe autoritarizmi janë në majë, COVID 19 i dha një mësim të mirë. Ia përplasi fytyrës propagandën që ka tash 7 vjet që e durojmë, për mënyrën se si bëhet shteti. E nxori zbuluar. Sot nuk na duhet të durojmë më OFL-ra e KPK-ra, që sbënin gjë tjetër veçse rendnin turra vrap drejt sigurimit të pushtetit. Na kursen të paktën lodhjen mendore të daljeve të ulsinjve, taulantëve dhe elisave që na flasin për mrekullitë e Skendërbeut.
Shmangu tam- tamet e Veliajt që natyrisht sdo mungonin për hapjen e negociatave, të cilat në këtë moment duket se nuk i interesojnë kujt. Shmangu një andrallë zhurmuese të përditshme, nga ata që i paguajmë për të bërë punën e tyre dhe jo për tu sjellë si çingie ekraneve. Madje dhe dalja e Ahmetajt, i emëruar për menaxhimin e situatës (Ramës sa herë i del ndonjë emergjencë emëron Ahmetajn), në Opinion ishte për turp. Jo vetëm që nuk e dinte se ishtë shpallur gjendja e Fatkeqësisë Natyrore, por u mundua t’a fuste diskutimin në hullinë e propagandës, duke i rënë dhe një herë fyellit të Saliut, aq sa detyroi drejtuesin e emisionit t’i kthehej me një gjuhë të pazakontë. Ai, Ahmetaj, për tërë këto vite ka qenë ideatori kryesor i PPP-ve që shkonin tek të preferuarit e Ramës.
Pandemia tregoi se, në rast se nuk do ishin abuzuar ato 1.2 miliardë euro në vit, që flet KLSH, pasojat nuk do ishin kaq të dhimbshme. Në rast se paratë nuk do përdoreshin për luks qeveritar, koncensione që nuk ua pamë kurrë hajrin, apo plane urbanistike pa bereqet nëpër qytete të braktisura nga njerzit, sot do ishim në një tjetër realitet. Në rast se nuk do na ishin larguar në masë mjekët e infermerët, si pasojë e mungesave të politikave shëndetësore, apo pagave të uleta, sërish do e kishim më të lehtë.
Po të ishin të gjitha këto, të gjithë e dimë se gjithçka do ishte shumë më e menaxhueshme, dhe populli skish pse izolohej 16 orë. Pensionistëve dhe shtresave vulnerabël sdo u kërkonim të paguanin energjinë dhe ujin “një më një” siç tha kryeministri. Do kishte shumë herë më tepër mjete mbrojtëse dhe para për mjekët të cilët çdo ditë rrezikojnë vetën dhe familjarët e tyre në luftën me koronavirusin.
Do kishte më shumë para për policët që smbahet mend që kur s’u janë paguar orët jashtë orarit, ushtarët, punonjësit e pastrimit dhe të gjithë ata që në këto ditë janë të detyruar të lenë vatrat e tyre për të zbatuar ruajtur njerezit. Po flasim me “sikur” sepse dëmi tashmë është bërë. Dreqi ta hajë një grusht njerëz kemi mbetur!
Situta ku ndodhemi tregoi se i vetmi aleat i madh i Ramës në informimin e opinionit publik është ajo media që mekohet nga propaganda e tij.
Qeveria smund të fajësohet për virusin që ka nënshtruar tashmë botën mbarë. Do ishte mediokritet ta mendoje dhe papërgjegjshmëri ta akuzoje. Ama qeveria, dhe kreu i saj mund të akuzohen tërë ditën e lume, që u soll në mënyrë të papërgjegjshme tërë këto vite. Për premtimin e shëndetësisë falas, për rrogat dhe ndihmën ekonomike qesharake, për shërbimin që e paguam dhe se morëm kurrë.
Shpresojmë që nga ky virus të paktën të ketë mësuar se i ka rënë jo pak në qafë shqiptarëve, të ketë mësuar se para fatkeqësisë janë të gjithë njësoj, i votuar ose jo, ai është aty që të menaxhojë ato para per të cilat ata robtohen dhe i nxjerrin ata nga taksat e tyre. Të shpresojmë se frika që e ka mbërthyer në një masë jo të vogël, qofte edhe për shëndentin e tij, në radhë të parë, t’i ketë shërbyer për diçka. Per nje reflektim, sado vonë.