Një nga monumentet më të famshëm të Spanjës, bazilika Sagrada Familia në Barcelona, ka rihapur dyert e saj për vizitorët për herë të parë që kur u mbyll në mars për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Në ditët e para, hyrja në strukturën e lartë do t’u jepet vetëm atyre që ndihmuan në luftimin e virusit në qytet, përfshirë punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe oficerët e policisë.
Faza tjetër do të mundësojë banorët e Barcelonës të kenë qasje falas në ndërtesë, të projektuar nga arkitekti spanjoll Antoni Gaudi.
Kryevepra ende e papërfunduar e Gaudi-it është ndërtesa më e vizituar në Spanjë, duke tërhequr rreth 4.5 milion njerëz në një vit normal turistik.
Hapja për një numër të kufizuar të punëtorëve kryesorë të shtunën do të tregonte se masat distancuese mund të ndiqeshin, ndërsa vizitorët gjithashtu mbanin maska.
Për tre muajt e fundit, Sagrada Familia ka qëndruar bosh për vizitorët për shkak të kufizimeve në lokacionin turistik për të parandaluar përhapjen e Covid-19.
Turistët do të lejohen të kthehen në një datë të mëvonshme, e cila pritet të njoftohet.
Të premten, një operacion pastrimi në shkallë të gjerë u zhvillua në sitin popullor turistik përpara rihapjes.
Spanja ka regjistruar më shumë se 250,000 raste të konfirmuara të koronavirusit, dhe 28.385 vdekje të lidhura me Covid-19, sipas të dhënave më të fundit të përpiluara nga Universiteti Johns Hopkins.//BBC//
Përshtati: Mapo.al