Aktualitet

Pandemitë janë të tmerrshme, por mund ta bëjnë botën më të mirë





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 19:30 - 29/03/20 |
mapo.al

Nga Peter Frankopan


Me qytete të izoluar, rrugë të shkretëtuara dhe shumicën dërmuese të dyqaneve të mbyllura, Covid-19 tashmë na e ka ndryshuar mënyrën e jetesës. Ndërsa ka disa rezultate pozitive – ulja dramatike e zhurmës në rrugë dhe e ndotjes, në vend të aeroplanëve në qiell dëgjojmë duke kënduar zogjtë – fakti që jemi zhytur në heshtje gjithashtu është i tmerrshëm. Heshtja është diçka e mirë kur e zgjedh; por është torturë kur nuk e do. Kështu po jetojmë këtë kohë që duket ogurzezë dhe e pashembullt.


Të detyruar


Sigurisht, kjo është mënyra se si duhet të përballim epideminë shkatërruese që na kërcënon të gjithëve. Jo më kot mjekët dhe praktikuesit mjekësorë i kanë kushtuar vëmendje të madhe identifikimit të sëmundjeve infektive për mijëvjeçarë.


Shkrimet që i atribuohen Hipokratit, për shembull, pothuajse dy mijë e pesëqind vjet më parë, përqendrohen gjerësisht në vlerësimin e simptomave dhe përhapjen e epidemive – përfshirë “Kollën e Perintusit” që shkakton infeksion të traktit të sipërm respirator.

Ata që shkruanin më pas e kuptuan se sa e vështirë ishte të përmbahej epidemia, dhe për këtë arsye u përpoqën të kuptojnë nga vinin sëmundjet infektive dhe si të parandalonin përhapjen.

Edhe në të kaluarën e largët, autoritetet e kishin kuptuar se mënyra më e rëndësishme për të ndaluar daljen e epidemive nga kontrolli ishte ndalimi i njerëzve që lëviznin dhe përhapnin sëmundjen.

Në botën e sotme, mënyra se si jetojmë e bën jo vetëm më të vështirë përmbajtjen, përkundrazi siguron kushte të përsosura që koronavirusi, një nga shtatë koronaviruset e njohura për infektimin e njerëzve, siç janë Sindromi i Rendit Akut të Rëndë (Sars) dhe Sindromi i Frymëmarrjes së Lindjes së Mesme (Mers), të përhapet në mënyrë agresive.

Ne jetojmë aq afër se kurrë më parë në historinë njerëzore. Numri dhe madhësia e qyteteve është rritur në mënyrë dramatike në 30 vitet e fundit, veçanërisht në Azi, por edhe në kontinentet e tjera.

Në Afrikë, tre dekadat e ardhshme parashikohet të shohim një rritje nga rreth 40 përqind e popullsisë që jeton në qendra urbane në gati 60 përqind. Sot jo vetëm që më shumë prej nesh jetojnë në qytete, por ne jetojmë më afër njëri-tjetrit në hapësira më të ngushta nga barakat në Rio, në banesat në Mumbai dhe në apartamentet në N’Djamena, kryeqyteti i Çadit, ku qiratë mujore rivalizojnë ato të Londrës dhe Nju Jorkut.

Mënyra se si ne jemi të ndërlidhur me rrugë, hekurudha dhe linja ajrore bën që njerëzit dhe mallrat, dhe për të njëjtën arsye edhe patogjenët, të lëvizin nëpër botë më shpejt sesa kurrë më parë. Pothuajse çdo qytet në planet mund të arrihet në më pak se 24 orë, ose të paktën kështu ishte deri kur linjat ajrore bllokuan 80 përqind ose më shumë të kapacitetit të tyre.

Gjetja e shpëtimit

Në të kaluarën, ata që shpëtonin pas shpërthimit të sëmundjeve infektive që vrisnin me mijëra ishin fatlumë. Xu Shuëei që kishte mbetur jetim në moshën 11 vjeç, në fund të shekullit të 11-të në dinastinë Song në Kinë vendosi të studiojë një ilaç për të ndihmuar të tjerët të shmangin të njëjtin fat. Ai u njoh si “mjeku hyjnor” me aftësinë e tij për të shpëtuar më shumë se tre të katërtat e pacientëve duke kuptuar se nga ata vuanin.

Kjo pasi nëna e tij kishte vdekur nga një sëmundje infektive. Shumë të tjerë iu drejtuan hyjnores në kohë krize. Në Evropë, kjo përfshinte falënderimin e Shën Sebastianit ose të tjerëve, siç ishte edhe perendia me emrin e duhur, e njohur si Shën Corona.

Në Azinë e Jugut, tekste si Sadhanamala këshillonin bërjen e flijimeve për Parnasavari, një hyjni Budist i njohur si shëruesi nga sëmundjet epidemike. Gjatë Murtajës së Zezë, e cila goditi rëndë Lindjen e Mesme, manualet arabe rekomanduan recitimin e vargjeve që lidhen me jetën e Muhamedit 11 herë, si një mënyrë për të shmangur sëmundjen.

Disa të krishterë në Evropë rreth të njëjtën kohë marshonin të zbathur ndërsa rrihnin veten për të treguar hidhërim për mëkatet e tyre, dhe njëkohësisht duke kërkuar faljen dhe mbrojtjen e Zotit.

Epidemitë, pandemitë dhe përhapja e sëmundjeve infektive nëpër kontinente, ashtu si sot, kanë qenë pjesë e përhershme e historisë njerëzore dhe asaj natyrore gjithashtu. Ndërveprimi midis kafshëve shkakton kalime të rregullta të viruseve, të cilat shkaktojnë më pas epidemi tek njerëzit të tilla si gripi i derrit dhe gripi i shpendëve dhe gjithashtu edhe Covid-19, që sic thonë studiuesit, proteinat që përdor ky virus për të pushtuar qelizave njerëzore, vijnë nga përzgjedhja natyrore dhe ritmet biologjike të evolucionit.

Krahasimet edhe vlejnë edhe jo

Sidoqoftë, ndërsa krahasimi i Covid-19 me shpërthime të tjera në të kaluarën mund të jetë i dobishëm në disa mënyra, ai gjithashtu mund të mos vlejë për supozime të ngjashme. Për shembull, janë bërë shumë krahasime me gripin spanjoll të 1918-19, i cili erdhi në tre valë, me shpërthimin e dytë në vjeshtën e 1918 që qe më vdekjeprurëse se e para. Ajo që ne po shohim sot, megjithatë, nuk është e njëjtë.

Kushtet e higjenës në gjithë botën janë jashtëzakonisht më të mira sesa një shekull më parë, dhe gjithashtu edhe nivelet e ushqyerjes, të cilat atëherë kanë luajtur një rol në shkallët e larta të vdekshmërisë që morën miliona jetë.

Po ashtu është domethënëse hulumtimi më i fundit që tregon se pjesa më e madhe e vdekjeve kanë ardhur ose nga një kombinim i infeksionit viral me infeksion bakterial, ose nga komplikimet të tjera. Një paralele më e dobishme mund të bëhet me sëmundjet virale që u përhapen në të gjithë botën në fund të viteve 50 dhe pastaj përsëri dhjetë vjet më vonë.

Me fjalë të tjera, ata mbi moshën 70 vjeç, të cilëve u këshillohet të izolohen, kanë parë edhe pandemi të tjera madhore në jetën e tyre. Në dimrin e vitit 1957-58 rreth nëntë milion njerëz në Britani u prekën nga virusi H2N2 që buronte nga një virus i influencës A të shpendëve. Edhe atëherë, si tani, autoritetet u treguan të ngadaltë për t’iu përgjigjur përhapjes në kontinentet.

Kur u përfshi Britania, që në verën e vitit 1957, gjithçka përmbyti shërbimet shëndetësore. Siç e thoshte një mjek në atë kohë, u tha se duhej të merreshin vendime të vështira se kë të trajtonin, duke kërkuar që përparësi t’u jepet atyre “që vuajnë nga sëmundje të zemrës, diabeti dhe sëmundjet e tjera kronike”.

Kishte edhe ngjashmëri të tjera gjithashtu, si për shembull diskutimet nëse ishte më e rëndësishme të shpëtonin jetë apo të mbronin ekonominë. Efekti në jetën publike ishte shumë i madh. Sëmundja u përhap aq shpejt sa rreth gjysma e të gjithë nxënësve të shkollës u vlerësua se ishin prekur. Punëtorët shëndetësorë vuajtën nga ekspozimi. Një e treta e infermierëve në spitale mungonte gjatë kulmit të shpërthimit në shtator dhe tetor.

Më shumë se një milion njerëz vdiqën në të gjithë botën, përfshirë 14,000 në Britani. Interesante ka qenë gjithashtu se edhe atëherë ka patur ndryshime shumë të mëdha midis niveleve të vdekshmërisë në vende të ndryshme – ashtu si po ndodh edhe sot në Evropë, ku ka dallime të mprehta midis asaj që po ndodh në Itali, Britani dhe Gjermani. Fakti që bota ka parë pandemitë përgjatë historisë dhe në të kaluarën e afët duhet të na japë ngushëllim.

Të gjitha sëmundjet, përhapja dhe efektet e tyre janë të ndryshme, por ata kanë një fund. Ata mund të largohen për shkaqe klimatike, si në Filadelfia në 1793, kur shpërthimi i etheve të verdha mori fund me ftohjen e motit që vrau mushkonjat që bartnin atë sëmundje akute hemorragjike. Vlerësimi i Covid-19 është i vështirë sepse ka shumë gjëra që nuk dihen ende.

Edhe pse gjenomi u deshifrua shumë shpejt dhe testimet e shumë vaksinave janë në zhvillim e sipër, të vlerësosh se kur koronavirusi mund të ndalet, është ende e pamundur. Ndërsa virusi po tregon mutacione në mënyrë agresive, gjithashtu nuk është e qartë se si do të jetë në të ardhmen.

Mbi të gjitha duhet vlerësuar fakti i atyre që e përballojnë ndonëse e kanë virusin, pra se kush është asimptomatik – domethënë, sa njerëz që nuk kanë simptoma po e përhapin patogjenin.

Kjo është një arsye pse puna e studiuesve në Universitetin e Oksfordit (ndër të tjerë) në zhvillimin e testeve për të kontrolluar njerëzit nëse janë prekur është kaq thelbësore për hartimin e politikave rreth distancimit social. Të gjitha këto ndryshore e vështirësojnë matjen e ndikimit dhe pasojave të Covid-19. Ata do të varen nga kursi dhe kohëzgjatja e epidemisë.

Të traumatizuar

Duhet thënë se, pandemitë, ashtu si lufta, prodhojnë trauma të thella në shoqëri. Humbja e jetëve, prishja e ëndrrave, ulja e ambicieve dhe shkatërrimi i familjeve e bëjnë pandeminë të ngjashme me luftën. Përparime të mëdha janë bërë vitet e fundit për të kuptuar më mirë çrregullimin e stresit post-traumatik në ushtarët e ekspozuar ndaj ngjarjeve shumë stresuese, të frikshme ose shqetësuese.

Në mënyrë të pashmangshme, mjekët heroikë, infermierët dhe stafi mbështetës që luftojnë ditë-natë, nëpër spitale, do të përjetojnë pikërisht këto ndjenja. Kjo mund të sjellë përkeqësim nga frika për sigurinë e tyre, nga numri i rasteve që mund të kemi – së bashku me parashikimet e asaj që na pret në javët e ardhshme. Natyrisht, nuk janë vetëm ata në vijën e parë që punojnë mes stresit, por edhe familjet dhe miqtë e tyre. Vetë-izolimi dhe periudhat e zgjatura me ndërveprim të kufizuar shoqëror janë sfida për të gjithë ne, pasi duhet të mësohemi si të hamë, të jetojmë dhe të sillemi në mënyra të ndryshme ngase kemi bërë deri më tani.

Shpresa për më mirë

Pas lotëve nuk është për t’u habitur që shpesh na ndjek euforia. Kur shkatërrimet e Murtajës së Zezë kaluan, modelet e shpenzimeve ndryshuan në mënyrë dramatike, me kërkesën për mallra luksoze (dhe jo vetëm nga të pasurit). Siç kanë treguar studimet e fundit mbi mbetjet skeletore në Londër, dietat u përmirësuan pasi njerëzit shpenzuan më shumë për ushqim, me sa duket si një reflektim i dëshirës së tyre për të shijuar të mirat e kësaj jete – në vend që të kursenin për një ditë që mbase nuk i zinte kurrë.

Diçka e ngjashme ndodhi pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore dhe sapo Gripi Spanjoll kishte kaluar përfundimisht. Dekada që pasoi u bë e njohur si “Njëzetat e Zhurmshme”, një kohë e kënaqësisë, e dekadencës dhe madje e çlirimit të hershëm seksual. Në mënyrë të dukshme përfituan edhe gratë, të cilat fillimisht fituan të drejtën e votës në perandorinë Ruse pas një proteste në 8 Mars 1917, kjo është arsyeja pse Dita Ndërkombëtare e Grave festohet tani në atë datë çdo vit.

Sidoqoftë, euforia nuk qe e njëtrajtshme. Lehtësimi dhe kapërcimi i sfidave u manipulua me thirrjet agresive për rilindje, përtëritje dhe hakmarrje. Vitet 1920 pas prarimit të “The Great Gatsby”, fustaneve të hapur dhe veturat Model T, kishin dhe anën tjetër të medaljes: ngritja e liderëve populistë në Itali, Gjermani, Rusi e gjetkë që mahnitën ndjekësit e tyre me thirrjet e tyre për t’i bërë vendet e tyre përsëri të mëdha.

Kjo me siguri duket se është tendenca më e rëndësishme që ka të ngjarë të pasojë pasi Covid-19. Para se të fillonte, forcat të fuqishme në pothuajse çdo vend po e shtynin botën e globalizuar në drejtime të ndryshme. Në botën me modelin “Amerika e para”, shtetet gjithnjë e më shumë po e shihnin njëri-tjetrin si konkurrentë.

Kjo tendencë mund të përshpejtohet si rezultat i pandemisë. Por ekziston edhe mundësia e kundërt që vështirësitë me të cilat po ndeshim të gjithë të na kthejnë në një bashkësi globale më të dhembshur, që pranon se nevojitet një bashkëpunim edhe më i ngushtë.

Nëse kjo ndodh, një përfitues direkt do të jetë klima: në fund të fundit, mushkëritë e botës tashmë po marrin frymë më lehtë falë rënies së prodhimit industrial. Kush thotë që kjo pandemi nuk ofron një pikë kthese në historinë botërore? Pavarësisht numrit të lartë të pesimistëve që parashikojnë rënie dhe errësirë, kemi një rreze dielli dhe shprese në këtë kohë që është e vështirë dhe e paparë. /The Time

*Autori është profesor i historisë botërore në Universitetin e Oksfordit

 

 


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas