Aktualitet

Tërmeti/ Soko: Anulimi i koncesioneve do të përballonte situatën





               Publikuar në : 09:36 - 07/12/19 |
mapo.al

Ekonomisti Pano Soko jep recetën si mund të përballohet nga buxheti i shtetit rindërtimi i zonave të shkatërruara nga tërmeti.


Tërmeti i 26 nëntorit pati pasoja katastrofike me 51 viktima, rreth 1 mijë të plagosur dhe mijëra të pastrehë. Si e vlerësoni reagimin e menjëhershëm të emergjencës dhe situatën e tanishme post-tërmet nga qeveria?
Natyrisht një ngjarje e rëndë, e cila ka për të mbetur gjatë në memorien tonë. Dy do të ishin momentet që unë do t’i konsideroja si ato që do të kujtohen nga kjo ngjarje edhe pas shumë kohësh. Një e mirë dhe një e keqe. E para është solidariteti mbarëpopullor. Një reagim i menjëhershëm solidarizues ka përfshirë gjithë kombin, brenda dhe jashtë kufijve të shtetit. Të gjithë u bashkuan për të shpërndarë dhimbjen dhe hallin e për ta bërë atë më të vogël. Dhe e gjitha ishte një gjë e mrekullueshme që sikur e fashiste pak atë hijen e ngjarjes së rende.



E dyta ishte fakti që vendi ynë ishte totalisht i papërgatitur për ngjarje te tilla, anipse ne jemi një vend që ka bashkëjetuar gjithë kohën me fatkeqësitë natyrore. Imazhet e skuadrave të shpëtimit që përveçse dëshirës së madhe për të shpëtuar jetët e njerëzve, nuk kishin asnjë mjet të nevojshëm, duke filluar nga ato më të parëndësishmet e deri tek aparaturat e teknologjisë së lartë. Dhe kjo ishte e turpshme dhe duhet patjetër që vetë kjo ngjarje duhet të ketë përgjegjësit e vet përpara drejtësisë. Nuk mund të falet fakti që ne, një vend me kaq shumë histori me fatkeqësi natyrore, të jemi absolutisht të papërgatitur në këtë drejtim.


A mund të kemi një përllogaritje se cila është fatura reale e kësaj katastrofe? Cilat janë pasojat më afatgjata të këtij tërmeti në ekonomi, sa mund të shkojë fatura e rimëkëmbjes së vendit?
Për momentin ende nuk mund të gjykojmë sesa do të jetë fatura financiare. Por, nga parashikimet paraprake gjykohet që do të jenë në total rreth 10 mijë familje që do të trajtohen përgjatë një periudhe 3–4-vjeçare. Fatura imediate përfshin ndërtimin e rreth 5000 apartamenteve, me vlerë rreth 200 milionë Euro, pjesën më të madhe të së cilës shteti shqiptar do ta mbulojë vetë, ndërsa një pjesë do ta mbulojë nga ndihmat e miqve të huaj dhe qytetarëve shqiptarë. Në një prognozë paraprake, efektet e tërmetit do të prekin gjithë ekonominë e vendeve që ka prekur, në një periudhë afatgjatë. Efektet imediate te turizmi do të ndihen që në këtë sezon, si në Durrës edhe në Kavaje e Lezhë.

Por ajo që do të marrë një dimension të ri do të jetë koncepti i të ndërtuarit në këto zona. Unë pres që për shkak të rregullave të rinj, shumë të fortë që do të vendosen në këto zona për ndërtimet e reja, si dhe kufizimet e shumta që do të vendosen për ndërtimin e ndërtesave në këto zona, do të bëjë që kostoja e apartamenteve (dhe rrjedhimisht dhe çmimet) do të pësojnë rritje të konsiderueshme, sidomos në zonën e Durrësit dhe Tiranës. Dhe ky do të jetë vetëm një nga efektet që do të formësojnë ekonominë e ardhme të këtyre rajoneve. Natyrisht numri i popullsisë së këtyre rajoneve do të jetë një tjetër komponent që do të ndryshojë për shkak të kësaj ngjarjeje.

Qeveria ka nisur një fushatë për mbledhje fondesh. BE dhe vende të ndryshime kanë ofruar mbështetje dhe nga ana tjetër, po mblidhen fonde dhe nga shoqata e individë. Por ka disa propozime nga opozita dhe faktorë të shoqërisë që kërkojnë anulimin e disa koncesioneve si një përgjigje direkte e qeverisë për mbulimin e faturës së tërmetit. Si e shikoni këtë propozim?
Siç e përmenda dhe më lart, fatura e pritshme prej rreth 400-500 milionë euro në total, do të duhet të përballohet në një masë dominante, tip 85-90%, nga fondet publike. Dhe natyrisht, një zë buxhetor i cili do të mund të kontribuonte shumë mirë në zbutjen e peshës së efekteve financiare, është ai i koncesioneve. Kjo pasi, çdo mënyrë tjetër që do të zgjidhej, qoftë duke rritur taksat apo qoftë duke shkurtuar investimet publike, do të dëmtonte shumë ekonominë, tashmë në lëngim, të vendit tonë. Vetëm zëri i koncesioneve, për shkak të ndikimit gati zero që ato kanë në ekonomi, do të mund të na furnizonte me fondet e mjaftueshme për përballimin e faturës, pa ndikuar ekonominë.


Etiketa: ,

Pas