fbpx

Aktualitet

Pano Soko: Sinjalet janë të qarta, ekonomia është e sëmurë





               Publikuar në : 10:21 - 09/11/19 |
mapo.al

“Pagesat e koncesioneve janë një litar që po i shtrëngohet gjithnjë e më shumë në fyt financave të vendit”, kështu shprehet eksperti i ekonomisë, Pano Soko në një intervistë për Mapon. Ndërsa i pyetur se si mund të përmirësohet ekonomia në vend ai u shpreh se “që të krijohen kushtet për rritje duhen thithur investitorë të huaj, duhen stimuluar investitorët vendas dhe duhet rritur konsumi”.


Buxheti 2019 po përballet me probleme të shumta. Sipas jush a është kjo një “kronikë e paralajmëruar”?



Soko: Në thelb qendron ekonomia shqiptare e cila është në kufijtë e stanjacionit. Rritja ekonomike anemike e regjistruar në 2 tremujorët e parë të 2019-ës dhe vijueshmëria e pritshme e saj në nivele të ngjashme, është një sinjal i qartë që ekonomia është sëmurë. Dhe kjo situatë ka pak shanse të ndryshojë dhe në 2020. Pavarësisht parashikimit optimist për efekte marketingu politik, prej 4% të rritjes ekonomike në 2020, nëse shikon parashikimet buxhetore, duket qartë që edhe vetë Qeveria e di që 4%-shi i rritjes është thjesht një iluzion. Dhe për t’i paraprirë të pashmangshmes ajo preferon të projektojë një buxhet konservator. 2019-a ishte një leksion i qartë për qeverinë që ekonomia është një subjekt rigorozisht ekzakt dhe nuk ndikohet nga asgjë përpos numrave. Qeveria e parashikoi rritjen e 2019 në fillim 4.3%, u detyrua ta ulë në 3.4% dhe do ta ulë prapë në fundvit për t’iu përafruar nivelit real prej 2.5-2.6%. E njëjta gjë do t’i ndodhte dhe në 2020, nëse projeksionet e të ardhurave buxhetore do të ishin të fryra. Problemi thelbësor pra është ekonomia e sëmurë.


Ngarkesa e buxhetit me koncesione a po impakton te gjithë treguesit e tjerë, përfshirë paga e pensione?

Soko: Patjetër që pagesat e koncesioneve janë një litar që po i shtrëngohet gjithnjë e më shumë në fyt financave të vendit. Niveli prej mbi 14 miliardë lekësh të programuara për t’u paguar më 2020, është asfiksues. Ato janë parà aq të nevojshme për shumë fusha të jetës ekonomike të vendit, por që kontratat kushtëzojnë që ato të alokohen në ca fusha që s’prodhojnë asnjë efekt pozitiv për ekonominë. Situata me koncesionet është ende në fillimet e saj. Ajo do të rëndohet më shumë në të ardhmen ku fatura vjetore e tyre të kalojë 20 miliardë lekët. Dhe këto lekë do t’i mungojnë drejtpërdrejt investimeve buxhetore, kësaj hallke kaq të rëndësishme për jetën e ekonomisë.

Sa optimiste e shikoni situatën buxhetore 2020?

Soko: Nuk është çështje optimizmi tashmë. Ajo që unë shoh është një ekonomi e atrofizuar që detyrimisht do të prodhojë një buxhet të atrofizuar. Dhe që edhe nga ky buxhet i atrofizuar, shkëputen copa të majme që shkojnë për fusha që s’prodhojnë asgjë. Sa optimist mund të jesh në këtë situatë?

Çfarë ndërhyrjesh janë të domosdoshme për të tejkaluar këtë situatë të vështirë në financat e shtetit?

Soko: Që të rregullohen financat e shtetit duhet rregulluar ekonomia. Që të rregullohet ekonomia duhen krijuar kushtet për rritje ekonomike. Që të krijohen kushtet për rritje duhen thithur investitorë të huaj, duhen stimuluar investitorët vendas dhe duhet rritur konsumi. Që të ndodhin këto të tria duhet mos kesh krizë politike, institucione që ekzistojnë dhe funksionojnë (sidomos gjykata), duhet të luftosh monopolet dhe çdo gjë tjetër që vret konkurrencën, duhet politikë fiskale e stabilizuar që nuk ndryshon çdo vit, aparat shtetëror profesionist dhe jo ryshfetxhinj të rëndomtë agresivë, qytetarë që kanë shpresë se e nesërmja do të jetë më e mirë se e sotmja, minimizim i korrupsionit mbytës dhe politika buxhetore të dobishme dhe jo klienteliste. Dhe që të ndodhin të gjitha këto duhet një klasë politike e përgjegjshme, profesioniste dhe që zgjidhet nga populli, jo nga dy-tre njerëz me interesa dhe për interesat e tyre. Shkurt muhabeti duhet demokraci politike, shtet ligjor dhe konkurrencë e ndershme. Vetëm kur të arrijmë këto të tria mund të shohim ndryshim kursi të ekonomisë. Në të kundërt, do të ecim me hap rreshtor drejt krizave dhe hemorragjisë së njerëzve.

/Mapo.al


Etiketa: , , ,

Pas