Në meshën e mesnatës në Vatikan me rastin e Pashkës Katolike, Papa Françesku bëri thirrje për më tepër angazhim kundër padrejtësisë.
Sipas Atit të Shenjtë, padrejtësia është kthyer në rutinë dërrmuese që po justifikohet me sloganin “gjithnjë kështu ka ndodhur”.
Dhjetëra mijëra besimtarë nga mbarë bota janë mbledhur në sheshin Shën Pjetër, i blinduar nga masa të rrepta sigurie nga rreziku i sulmeve terroriste.
“Askush nuk e pret, por Ai vjen e të tërheq”, shkruante Papa Françesku në rrjetin social “Twitter” përpara se të përgatitej për fjalimin e Pashkës në sheshin “Shën Pjetri” për të ashtuquajturin mesazh “Urbi et Orbi”.
“Besimi ynë nis mëngjesin e Pashkës. Jezusi është gjallë! Ky është edhe thelbi i mesazhit të të krishterëve”, vijonte postimi i tij.
“Befasitë e Zotit na bëjnë të lëvizim menjëherë, pa pritur aspak”, theksoi më tej Ati i Shenjtë.
“Njerëzit vrapojnë dhe lënë gjithçka me të cilën ishin duke u marrë. Edhe një shtëpiake lë patatet në zjarr, sigurisht që do t’i gjejë të djegura kur të kthehet, por e rëndësishme është të vrapojë për të parë surprizën, atë që është shpallur”.
Duke vijuar më tej, Papa argjentinas tha se “njoftimet e mira jepen gjithmonë me shpejtësi të madhe”.
“Tek Ungjilli ekziston një person që kërkon të marrë kohë, nuk kërkon të rrezikojë, por Zoti është i mirë dhe e pret me dashuri. Po flas për Tomason. Zoti ka durim edhe me ata që nuk vrapojnë. Ndaj duhet të bëjmë pyetjen: a jam i aftë të vrapoj me të tjerët, apo të përgjigjem gjithmonë me fjalët ‘nesër, nesër me kismet’?”.