fbpx

Aktualitet

Papa u kërkon falje Romëve: Ju diskriminuam, ju keqtrajtuam





               Publikuar në : 17:41 - 02/06/19 |
mapo.al

Gjatë vizitës në Rumani, Papa Francesku shkoi në lagjen Barbu Lautaru, më e vjetra e Blaj, ku u takua me komunitetin Rom. Fjalimi i tij ishte tejet prekës, kur tha se “kam një peshë në zemër për të gjitha padrejtësitë që u janë bërë Romëve”. Papa kërkoi falje dhe përçoi një apel të madh kundër paragjykimeve.


“Ungjilli i gëzimit transmetohet me gëzimin e takimit e me vetëdijen se kemi një Atë të përbashkët, që na do. Nga mënyra si na shikon Ai, mësojmë si duhet ta shikojmë njëri-tjetrin. Me atë sy – u kujtoi Papa – ju shikoj edhe unë ju, sot, në këtë takim!”.



Ju shikoj – vijoi Françesku – por me një peshë në zemër. Është pesha e diskriminimit, e racizmit, e keqtrajtimit, që kanë pësuar e pësojnë bashkësitë tuaja. Historia na kujton se edhe të krishterët, edhe katolikët kanë gisht në këtë të keqe:


“I kërkoj falje, në emër të Kishës, Zotit e ju për të gjitha diskriminimet që pësuat nga ne në rrjedhë të historisë. Ju diskriminuam, ju keqtrajtuam, ju shikuam shtrembër. Me syrin e Kainit. Jo të Abelit! E nuk qemë të aftë t’ju pranojmë, t’ju çmojmë e t’ju mbrojmë, ashtu si jeni”.

Kainit nuk i bëhet vonë fare për të vëllain – vijoi Françesku. – E pikërisht indiferenca ushqen paragjykimet e ndez urrejtjen. Sa herë gjykojmë me fjalë që plagosin; me sjellje, që mbjellin urrejtjen; me fyerje, që na largojnë edhe më shumë nga njëri-tjetri:

“Po kur ndokush lihet mbrapa, familja njerëzore nuk mund të shkojë përpara. Nuk jemi të krishterë me fund, e as njerëzorë, nëse nuk dimë ta shikojmë njeriun, më parë se ta paragjykojmë a ta gjykojmë”.

Në historinë e njerëzimit ndeshim gjithnjë Kainin e Abelin. Dorën që ndihmon e dorën që torturon! Takimin e kacafytjen. Mirëpritjen e përjashtimin. Atë që shikon në tjetrin vëllain, e atë që shikon pengesën! Ndeshim qytetërimin e dashurisë e atë të urrejtjes.

Çdo ditë na duhet të zgjedhim ndërmjet Kainit e Abelit. Ndërmjet udhës së pajtimit, e asaj të hakmarrjes: “Ta zgjedhim udhën e Jezusit. Udhë që të lodh, por të jep paqe. Udhë që kalon përmes faljes. Larg mllefeve! Sepse e keqja nuk e ndreq kurrë të keqen; hakmarrja – drejtësinë; inati nuk i bën kurrë mirë zemrës; mbyllja nuk afron”.

Papa, në vijim, i vlerësoi lart romët, i quajti popull që luan rol protagonisti, me karakteristika të veçanta, për të cilat kanë nevojë të gjithë. E kujtoi vlerat e solidarietit, të dashurisë për jetën e familjen, të mikpritjes, të mbrojtjes së më të ligshtëve, respektit për të moshuarit, aftësisë për ta gëzuar jetën me fund!

Në përfundim, i ftoi romët të ecin së bashku për të ndërtuar një botë më njerëzore, duke i shembur muret ndarëse, me besimin reciprok e dinjitetin e atij, që e fiton me djersë bukën e përditshme, me dinjitetin e lutjes! Duke shkuar gjithnjë përpara:

“Ky takim është i fundmi i vizitës në Rumani – kujtoi Papa. – E tani kthehem në shtëpi i pasuruar, duke marrë me vete vende e çaste, por mbi të gjitha, fytyra. Ju falënderoj, e ju marr me vete. E tani ju bekoj, por duke ju kërkuar më parë një favor: lutuni për mua!”.


Etiketa: , , , ,

Pas