Tërë ajo që e themi, si ndaj akuzave të ngritura ndaj pjesëtarëve të UÇK-së, apo për Asociacionin, janë në të vërtetë, prej brenda, naiviteti ynë, jo vetëm në politikë, por sidomos në mënyrën se si e perceptojmë atë që është jashtë Kosovës.
Ka një konflikt qysh në pikënisje të asaj që e themi ndaj gjykimeve e tërë politikës dhe vendimeve që vijnë nga lartë/jashtë.
Nëse ne u shpëtuam nga po të njëjtit, si mund të ndodh që shpëtuesi ynë është dhënë në tërësi që të na dhunojë. Anash besimit ‘qorr’, dhe anash politikës së varur, kjo në të vërtetë është konflikt në vetë të menduarit tonë.
Është naivitet i cili pak më thellë është traumë që shpreh narcisizmin tonë politik edhe të viktimës që kemi qenë për kohë tejet të gjatë; e edhe vetmi e “urave të djegura”, apo thënë ndryshe këputjes së lidhjes sonë me shpëtimtarin tonë, në një realitet të ri që dallon me atë të shpëtimtarit tonë, gjë krejtësisht paradoksale.
Narcisizmi ynë politik dhe i viktimës që kemi qenë për kohë tejet të gjatë, është sjellje politike e cila e nxjerr veten mbi tërë kraterin e interesave që janë të përfshira në këtë kompleks të Kosovës. Në të vërtetë, është problem i pamundësisë për të parë vetë pafuqinë tonë, apo thënë ndryshe dezintegrimin dhe përçarjen tonë, që ndodh dhe është paralizuese në çdo moment dramatik dhe të pragjeve të kalimit të shoqërisë sonë.
Në anën tjetër, vetmia e “Urave të djegura”, apo thënë ndryshe këputjes së realitetit tonë me realitetin e qoftë vetëm të shpëtimtarit tonë, është një naivitet i cili buron nga pamundësia jonë për të parë pafuqinë tonë, e gjë që është politizuar në damkën “defetizëm”.
– Pamundësia për të pranuar pafuqinë tonë – në të vërtetë është tërë politika jonë në njërën anë, dhe në anën tjetër ankthi jonë. Gjë që sjellin prapa në naivitetin e një realiteti të sajuar, përballë pandjeshmërisë së kompleksit apo rrymave dhe kratereve të interesave brenda të cilit gjendemi.
Ne jemi përballë pandjeshmërisë së politikës, interesave të fuqive të mëdha dhe të vogla por të shumta në numër, përballë kompleksit të Ballkanit, kompleksi i Ballkanit përballë Evropës dhe globales. Dhe jemi më naiv se kur kishim dalë prej socializmit/komunizmit të ish Jugosllavisë.
Në të vërtetë ne jemi aq naiv sa që mund të paramendojmë që një botë e tërë është tërësisht e padrejtë ndaj nesh, por pa e llogaritur këtu sjelljen tonë, veprimin tonë dhe atë që shprehim për çdo ditë dhe për çdo rast.Në të vërtetë, derisa shohim në “tërësi” manipulimin dhe abuzimin e politikës jashtë nesh ndaj nesh, nuk e shohim manipulimin dhe abuzimin që i bëjmë çdo gjëje para nesh dhe brenda nesh, nisur prej luftës, e deri tek aktualiteti, e që është një prag dhe hap dramatik po si edhe Rambouillet në kohën e tij.
Duhet pasur në mendje se përpos interesave, fuqitë të cilat po na vendosin para bankës së të gjykuarit dhe të akuzuarit e kanë edhe, së paku, një dozë dhe një fill përgjegjësie ndaj kontekstit ku veprojnë dhe ndaj burimit prej nga vijnë po të njëjtat, gjykata, politika dhe sidomos akuzime dhe gjykime.
Në të vërtetë ne jemi aq naiv sa që e shohim të padrejtë një botë të tërë, derisa nuk e shohim një botë tërësisht të dezintegruar dhe të përçarë brenda vetë nesh.
Ne nuk e shohim tërë politikën, akuzimin, gjykimin që po i bëjmë vetes sonë, dhe që i kemi bërë vetes sonë tërë këtë kohë, e – gjykojmë – se po na akuzojnë të tjerët!