Përfaqësuesi i komunitetit ndërkombëtar në Bosnje ka paralajmëruar se shteti është në rrezik të madh për shpërbërje, dhe se ka rrezik real të rikthimit të luftës.
Në një raport të Kombeve të Bashkuara, të parë nga “The Guardian”, Christian Schmidt, përfaqësuesi i lartë për Bosnje e Hercegovinë, ka thënë se nëse separatistët serbë vazhdojnë të rikrijojnë ushtrinë e tyre, e duke ndarë forcat e armatosura në dysh, më shumë paqeruajtës ndërkombëtarë duhet të dërgohen në vend për të parandaluar një luftë të re.
Forcat ndërkombëtare në Bosnje janë me rreth 700 trupa. NATO-ja mbetet me bazë në Sarajevë. Mandati pritet të rinovohet këtë javë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, por Rusia ka kërcënuar që do të bllokojë një rezolutë përderisa të gjitha referencat për përfaqësuesit e lartë të largohen, duke minuar autoritetin e Schmidtit, si mbikëqyrës i marrëveshjes së paqes së vitit 1995.
Në raportin e parë që nga gushti, Schimdti, një ish-ministër gjerman, ka paralajmëruar se Bosnja përballet me “kërcënimin më të madh të ekzistencës në periudhën paslufte”.
Lideri i serbëve në Bosnjë, Milorad Dodik, po kërcënon vendin me dalje nga institucionet dhe krijim të ushtrisë kombëtare brenda mbikëqyrjes ndërkombëtare dhe rindërtimin e një force serbe.
Më 14 tetor, Dodiku ka thënë se do të detyrojë ushtrinë e Bosnjës të tërhiqet nga Republika Serbe dhe nëse Perëndimi tenton të intervenojë ushtarakisht, ai “ka miq” që i kanë premtuar përkrahjen e kauzës serbe, duke iu referuar lidhjes me Rusinë.
Policia serbe e Bosnjës ka kryer ushtrime “anti-terrorizëm” muajin e shkuar, në vendin nga ku forcat serbe bombarduan Sarajevën në periudhën 1992-1995.
“Kjo është e barabartë me shkëputjen, pa e deklaruar atë”, ka thënë Schmidt, në një raport të dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, të premten. Ai ka thënë se veprimet e Dodikut jo vetëm që kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në vend, por nëse s’ka përgjigje ndërkombëtare – mund të shpijë në prishje të Marrëveshjes së Daytonit.
Përfaqësuesi i lartë ka thënë se ka shumë gjasa që të ketë përplasje të forcave kombëtare boshnjake me ato të policisë serbe në Bosnjë.
“Po që se forcat e armatosura të BeH-së ndahen në dy apo më shumë ushtri, niveli i pranisë ushtarake ndërkombëtare kërkon rivlerësim”, ka paralajmëruar ai. “Mungesa e një përgjigjeje për situatën aktuale do të kërcënonte marrëveshjen e paqes, përderisa jostabiliteti në BeH do të kishte ndikime më të gjera. Mundësitë për ndarje të mëtejme dhe luftë janë shumë reale”.
Paralajmërimet e Schmidtit u dorëzuan teksa Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara po përgatit rezolutën vjetore për të rinovuar mandatin e paqes për EUFOR-in dhe NATO-n, me votimin që pritet të bëhet të mërkurën.
Moska po kërcënon se do të bllokojë rezolutën përderisa të gjitha referenca për te përfaqësuesi i lartë të hiqen.
Kremlini e ka kundërshtuar caktimin e Schmidtit dhe refuzon ta njohë autoritetin e tij.
“Dyshoj që ajo që Rusia e do është të heqë qafe autoritetin e zyrës së përfaqësuesit të lartë që t’ia ndalojë atij informimin e Këshillit”, ka thënë një diplomat.
Kurt Bassuener, bashkëthemelues i Këshillit të Politikave të Demokratizimit, një think-tank në Berlin, ka thënë se “duket sikur amerikanët, britanikët e francezët janë pajtuar me heqjen e referencave të përfaqësuesit”.
Javën e shkuar, zëvendësndihmës sekretar i Shtetit, Gabriel Escobar ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po punojnë me Bashkimin Evropian për t’u siguruar që do të ketë ndëshkime për çfarëdo veprimi ilegal apo destabilizues në Bosnjë.