Pyetjes së gazetares Juli Xhokaxhi se çfarë do të ndodhë të shtunën në protestën e thirrur nga opozita, Berisha iu përgjigj me një korrigjim: “Të shtunën ka revoltë”.
“Të shtunën ka revoltë. Revolta synon, dëshiroj unë, të ndajë Shqipërinë nga e keqja. Vendi është pranë një konflikti. Nëse ti u heq qytetarëve edhe shpresën e fundit që është drejtësia, atëherë atyre u mbetet vetëm revolta dhe përballja. Nëse ti u merr Prokurorinë, gjykatat, shemb garantin e Kushtetutës, ti përjashton të gjithë të tjerët nga ky vend dhe ata nuk duhet të ikin por duhet të të shporrin si kalbësirë.
Unë nuk jam më pjesë e lidershipit, por në befasi nuk e kap dot kush opozitën. Opozita duhet të zgjidhë këtë krizë. Rama duhet të dijë se e ka sjellë vendin në situatën më kritike të 27 viteve. Narkomazhoranca duhet t’i përkulet vullnetit të popullit. Pasi të shembet perandoria e drogës, marrja peng e mediave, pasi të shemben shtyllat e narkoshteit, atëherë qytetarët do të votojnë të lirë. PD duhet të jetë e gatshme të paraqesë alternativën e saj dhe qytetarët do të thonë fjalën e tyre”, tha ish-kryeministri Sali Berisha gjatë një interviste në ABC News.