Stivat e dosjeve që iu duhen vite për të parë dritën e gjykimit janë kthyer në një normalitet në gjykatat shqiptare. Këtij normaliteti të pazakontë nuk i ka shpëtuar as Gjykata e Apelit Administrativ.
“Aktualisht në Gjykatën Administrative të Apelit janë rreth 14 500 dosje të cilat presin për t’u gjykuar nga ana e kësaj gjykate”, thotë Kastriot Selita, kryetar i Gjykatës Administrative të Apelit.
Sipas titullarit Selita, kjo ngarkesë është akumuluar ndër vite dhe shkaku kryesor është numri i ulët i gjyqtarëve në këtë gjykatë, i vetmi Apel Administrativ në gjithë vendin.
“Numri i gjyqtarëve është i tillë që nuk mund të përballojë një angazhim maksimal numrin e çështjeve që vijnë. Aktualisht në këtë gjykatë janë duke u shqyrtuar çështje të vitit 2016, 2017, 2018, 2019 dhe 2020”.
Por si mund të zgjidhet kjo problematikë? “Duhet të zbatohet edhe shtimi i gjykatësve, në raport të drejte me prurjet që vijnë në një vit, si dhe duhet të përcaktohet skema e delegimit”, thotë ai.
Situata aktuale nuk ngjan aspak me përcaktimin në ligj, se çështjet në Administrative duhet të përfundojnë gjykimin brenda 30 ditëve.
Rol në tkurrjen e numrit të gjyqtarëve ka dhënë edhe procesi i vetingut, i cili ka larguar tre gjyqtarë nga Apelit Administrativ duke lënë në të vetëm 9 gjyqtarë.
Si të mos mjaftonte kjo, pandemia ka dhënë ndihmën e saj në përkeqësimin e situatës. “Është vetëm një sallë në dispozicion të gjyqtarëve dhe kjo krijon kufizim në zhvillimin e seancave gjyqësore”, pohon Selita për A2.