Aktualitet

Paraziti i korridoreve të Brukselit







Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 13:14 - 08/10/20 |
Nga Armand Maho

Piktori kryeministër që ideohej nga kancelaritë evropiane si artisti ekstravagant, me qasje properëndimore, ka tjetër imazh tashmë. Çdo ditë e më shumë, ai po vizatohet si parazit që herë pas here sillet korridoreve të Brukselit apo ndonjë qeverie mike, për të zhvatur ndonjë fjalë të mirë, që e shet më pas në publik si mbështetje të madhe ndërkombëtare.


Kryeministri i një vendi anëtar të NATO-s, dhe kreu i OSBE (privilegje të trashëguara nga qeveria e mëparshme, kompleksi ndaj të cilës bën që mos i përmendë kurrë) nuk mund të nëpërkëmbej më keq se kaq.
Një proces që do duhej të mbaronte që katër vite më parë, shtyhet e shtyhet, duke dhënë një mesazh të qartë se ai (Rama) vetëm seriozisht nuk mund të merret. Në sytë e ndërkombëtarëve ka marrë pamjen e një shtetari pa shtet, një aksident i keq politikës dhe shoqërisë shqiptare që ka shpërdoruar sa ka mundur shanset që i janë dhënë.


Dhe ja ku jemi! Në vigjilje të vitit të tetë të qeverisjes rrezikohemi të na mbyllen të gjitha dyert e integrimit. Evropa s’ka se si t’i japë kartë elektorale hapjen e negociatave, një njeriu që ka shkelur çdo parim demokratik në vendin e tij, që ka bërë paratë e buxhetit rrush e kumbulla me PPP dhe gjithfarë lloj shpikjeje të vjedhjes, që ka shkatërruar trashëgiminë kulturore, demokracinë e drejtësinë. Që ka shumëzuar me zero çdo arritje në këto 30 vite, duke u vetëreklamuar në mënyrë të neveritshme nga sejmenët e tij si rimëshirimi i Skënderbeut. Prandaj BE i shton kushte pas kushtesh, duke e futur në 100 artifica diplomatike e ligjore.
Historia e këtyre viteve ka treguar se Shqipëria ia ka dalë dhe në procese shumë më të vështira. Anëtarësimi në NATO ose liberalizimi i vizave ishin dukshëm dy të përpjeta shumë herë më të pjerrëta se hapja e negociatave.



Për të mbuluar dështimin e “Rilindjes” armata e militantëve i justifikojnë arritjet e qeverisë së para 2013-ës me fjalën “kish ardhur koha”. Në fakt s’është çështje kohe por është çështje përfaqësimi. Dhe sot Shqipëria përfaqësohet ndoshta dhe më keq se qeveria e Adil Çarçanit në 1989-ën. Dikur Evropa akuzohej si antikomuniste nga regjimi, sot nga një tjetër regjim rreket të akuzohet si raciste që po i bie më qafë kot kësaj qeverie virile. E vërteta është se s’kemi qeveri por kemi të bëjmë me një grupim malinj, që sa gdhihet e deri sa ngryset e ka mendjen te hiletë e mbajtjes së pushtetit, te zhvatja e financave publike, te pastrimi i parave të drogës, apo te vënia nën thundër e sistemit të drejtësisë.


Në rast se Rama, kërkon t’i gënjejë kancelaritë e Evropës ashtu siç gënjen nostalgjikët e komunizmit rron në një botë të gënjeshtërt. Prandaj sot ka ardhur në këtë pikë, dhe po trajtohet siç trajtohen nga shoqëria parazitët dhe gënjeshtarët, ata që dinë vetëm të flasin e mos bëjnë asgjë, mos marrin asnjë përgjegjësi por shohin si të zhvatin ndonjë qindarkë a favor duke përfituar nga zemërgjerësia atyre që i rrethojnë.


Marrëdhëniet mes shteteve nuk ndryshojnë shumë nga ato njerëzore, dhe kjo shkruhet në të gjitha tekstet e marrëdhënieve ndërkombëtare. Shtetet e zhvilluara e shohin njësoj me përbuzje një lider autoritar, të korruptuar dhe abuziv me popullin e tij, por puthadoras me më të fortët ashtu siç e sheh shoqëria një individ, që ndryshe sillet në familje e ndryshe sillet në shoqëri kur kërkon të përfitojë diçka prej saj.

Natyrisht, ajo (shoqëria) mund t’i buzëqeshë për etikë, por nuk do e pranojë kurrë mes vetes, pavarësisht qyfyreve që ai tenton të bëjë kur askush “s’ia ka ngenë”. Prandaj, sot Rama ka marrë pamjen e parazitit të korridoreve sa të Brukselit e sa të Bundestagut. Ku troket derë më derë me shpresën se diku do shohë një fytyrë mike. Diku i buzëqeshin sa për të kaluar radhën dhe diku e refuzojnë ta takojnë. Por në të dyja rastet duan thjesht që ta mbajnë larg.


Etiketa: , , , ,

Pas