Parlamenti Europian ka votuar këtë të enjte pro liberalizimit të vizave për Kosovën.
Votimi konfirmon mandatin për fillimin e bisedimeve me vendet anëtare të BE-së.
Pas këtij hapi, Kosovës do t’i duhet edhe miratimi nga Këshilli i Ministrave të brendshëm të vendeve anëtare.
Pas miratimit në parlamentin e Kosovës të marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, Komisioni Europian dha më 18 Korrik rekomandimin për liberalizimin e vizave.
Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, që nuk gëzon të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën Schengen.
Tanja Fajon, raportuesja për Kosovën, është shprehur e lumtur për këtë votim.
“Qytetarët e Kosovës një hap më afër lëvizjes pa viza në Evropë. E lumtur që kam marrë dritën e gjelbër nga Parlamenti Evropian me një shumicë për negociatat me Këshillin Evropian për liberalizim vizash për Kosovën. Përballja vazhdon me qeveritë e Bashkimit Evropian, dhe nuk do të ndalem derisa ta arrijmë”, shkruan Fajon në Twitter.