Se cfarë do të ndodhë saktësisht në 2 Mars, deri më tani, e di vetëm Presidenti i Republikës. Ajo që opinioni publik di, falë konferencave të përditshme të Presidentit, është se ka një përdorim të institucioneve nga ana e mazhorancës për të aneksuar Gjykatën Kushtetuese.
Denoncimet, përfshirë edhe kallëzimet në SPAK, e kanë bërë të qartë, edhe për analfabetët e politikës, se mazhoranca, duke përfituar nga mungesa e arbitirit, që është Kushtetuesja, po vepron në shkelje të ligjit për të mbajtur pushtetin që ka akumuluar si dhe për ta thelluar atë. Një pushtet që ka për qëllim vetëm maksimizimin e pushtetit; një pushtet absolut që historia jonë dhe ajo botërore ka njohur, madje i ka cilësuar si absolutisht të korruptuara.
Përballë pamundësisë për të mbrojtur me argumeta ligjore shkeljet që kanë bërë në përpjekje për të kapur Kushtetuesen, heshtja e Ramës kundruall publikimit të fakteve nga ana e Presidentit flet më shumë se cdo gjë, mazhoranca ka zgjedhur një tjetër rrugë për zhvillimin e betejës, sulmi ndaj Ilir Metës.
Është më e thjeshtë për mazhorancën të sillet sikur është në opozitën e përpara 2013, sikur nuk ka qeverisur me atë, sikur nuk e ka zgjedhur President me votat e saj, sesa të sqarojë në publik arsyet pse po shkel Kushtetutën.
Të kapur gafil, po e pikturojnë veten si viktima të qëllimeve okulte të Ilir Metës, pre e ambicjes së tij për pushtet. Andaj po artikulohen publikisht teza që kanë për bazë diversionin, si tentativa për të kthyer qëndrimin e drejtë të Presidentit në raport me Kushtetuën, si një vegj për t’u kthyer në politikën aktive.
Kjo përpjekje për t’i dhënë trajektoren që dëshirojnë veprimeve të Presidentit merr forma të ndryshme. Herë e miklojnë, duke e portretizuar si lideri i fshehtë i opozitës. Herë e përçmojnë, duke i përshkruar veprimet e tij si të diktuara nga frika e humbjes së rolit të ‘kingmaker’. Herë e banalizojnë, duke e identifikuar betejën e tij ndaj mazhorancës me refrenin e lodhur të ‘frikës nga drejtësia e re’.
Madje vullneti për t’iu arratisur shkeljeve të tyre, ka arritur t’i ndërtojë edhe një parti të re Ilir Metës. Një parti për të cilën, sipas mazhorancës dhe përkrahësve të saj, ai po punon nga zyrat e Bulevardit Dëshmorët e Kombit. Një parti imagjinare për të cilën do të flitet përherë e më shumë ditët në vijim, me të vetmin qëllim që mos të flitet për rënien e rendit kushtetues dhe antiligjshmërinë e mazhoranxës.
Sigurisht që në rrethana të tjera, veprime të ngjashme të Presidentit mund të kishin ngritur dyshime mbi qëllimet e tij. Por, të shtrënguar nga kokfortësia e fakteve të paraqitura, dhe nga momenti aspak i zakontë, veprimet e Presidentit marrin një kuptim të plotë.
Ndonëse aspak tipik; ndonëse jo pranë formës klasike me të cilën i drejtohet popullit një President; ndonëse jo politikisht korrekt, Meta po arrin të thyejë izolimin me të cilin është kushtëzuar nga amputimi që kanë pësuar kompetencat e Kreut të Shtetit ndër vite. Britma që kërkojnë veshë shqiptarë dhe të huaj, për t’i ndërgjegjësuar mbi gjendjen reale në të cilën dergjet shteti ligjor. Dhe, me sa duket, më e forta prej tyre do të ndihet më 2 Mars