Editorial

Partitë lindin nga frakturat shoqërore, jo nga frakturat personale








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 22:10 - 27/10/20 |
Gentian Gaba

Pak muaj përpara zgjedhjeve të 25 prillit, duket se ka një turravrap nga ana e disa personazheve të politikës për t’u rreshtuar në startin e kësaj gare me siglat e tyre fringo të reja.


Këto nisma kanë prodhuar debatin e zakontë brenda Unazës së vogël të Tiranës, një pjesë e të cilit është mbajtur gjallë sidomos nga eksponentë të mazhorancës, të cilët paralajmërojnë edhe numrin e saktë të tyre. Sidomos të partive që ende nuk kanë ardhur në jetë.


Megjithatë, duke e lënë mënjanë pyetjen jo pak të rëndësishme se kujt i shërbejnë këto subjekte të reja, është e rëndësishme t’i bëjmë pak apel shkencës së politikës, për të kujtuar si dhe pse lindin partitë politike, dhe pse partitë “fast food”, që hapen si kioska përpara zgjedhjeve, nuk janë të afta të ngrihen në lartësinë e pritshmërive të themeluesve dhe financuesve të tyre.



Për këtë na vijnë në ndihmë dy studiues, Stein Rokkan dhe Seymour Martin Lipset, të cilët në vitin 1967 botuan “Sistemi politik dhe rreshtimet e votuesve”. Një vepër e shënuar për t’u kthyer në një pikë referimi për kërkimet politike dhe sociologjike, në të cilën përpunohet një model që është ende aktual.


Ai i frakturave sociale apo shoqërore. Bëhet fjalë për konfliktin dhe antagonizmin brenda shoqërisë, pra fraktura, të cilat dalin në sipërfaqe dhe legjitimohen (institucionalizohen) nëpërmjet formimit të partive politike, funksioni i të cilave është përfaqësimi, formulimi dhe promovimi i interesave të anëtarëve. Modeli i zhvilluar nga dy politologët identifikon në veçanti katër ndarje, përgjegjëse për konsolidimin e sistemit partiak siç na paraqitet sot. E para është ajo midis shoqërisë urbane dhe asaj rurale, një nga konceptet sociale më të lashta.


Ajo zhvillohet në gjenezën e shoqërisë moderne, me formimin e zonave të para urbane, kur lindën kundërshtimet e para midis banorëve të fshatit dhe feudalëve, banorë të qyteteve. Rritja e fortë urbane që shoqëroi revolucionin industrial më pas shkaktoi një rënie të interesit për zonat rurale.

Pikërisht partitë rurale që formohen në zona të ndryshme të botës përfaqësojnë, në fakt, përpjekjen e disave për të rivlerësuar traditën e tokës së tyre, në kontrast me interesat sipërmarrëse dhe tregtare të zonave urbane. Fraktura tjetër, është ajo që lindi nga konflikti midis Shtetit dhe Kishës, ose midis klerit dhe forcave laike, e cila çoi në lindjen e partive me bazë fetare dhe partive të ndryshme laike.

Fraktura e tretë është ajo midis qendrës dhe periferisë, apo midis pushteti qendror dhe atij lokal. Në këtë konflikt gjejnë forcë pjellore partitë etno-rajonaliste, të ndezura nga një ndjenjë që Lipset dhe Rokkan e quajnë “nacionalizëm rajonal”. E katërta është fraktura e klasës, ose fraktura midis kapitalit dhe punës.

Ajo u bë e rëndësishme kur e drejta e votës u shtri së pari ndaj punëtorëve, pastaj grave. Sigurisht, konflikti midis kapitalistëve dhe punëtorëve qëndron në themel të koncepteve të së majtës dhe të djathtës. Në mënyrë tipike, partitë e djathta mbrojnë interesat privatë dhe të biznesit, parimin e tregut të lirë dhe ndërhyrjen minimale të shtetit në ekonomi. Ndërsa partitë e majta mbrojnë të drejtat e punëtorëve dhe nevojën për një shtet të mirëqenies.

Ndonëse demokracia hibride shqiptare nuk është ende në nivelin e modeleve më të mira të përfaqësimit, partitë, historike apo në fazë embrionale, nuk mund t’iu shpëtojnë ligjësive të politikës apo modelit të frakturave shoqërore të përshkruar nga Rokkan dhe Lipset.

Andaj, kur parti që nuk janë ende motake, shfaqen pak muaj përpara zgjedhjeve, jo si pasojë e ndjeshmërive të reja të shoqërisë, por, në rastin më të mirë, si përpjekje individuale të themeluesve të tyre apo, në rastin më të keq, të dorës që tërheq fijet e marionetave dhe mban qesen e parave, bëhet e qartë se nuk mund të flitet për grupime që mund të krijojnë konsensus zgjedhor. Pasi nuk lindin për nevojë të shoqërisë, por për nevojë të themeluesve të tyre.

Për këtë arsye, partitë njëpërdorimshe, pa program dhe pa struktura, që hapen pak muaj përpara zgjedhjeve dhe mbyllen pak ditë pas tyre, nuk kanë pasur kurrë sukses në elektoratin shqiptar. Ato mund të jenë punëprishëse, sidoqoftë, përtej llogarive shumë të vogla, nga të cilat përfitojnë vetëm kryetarët e tyre, historia është e krejt e pakujdesshme ndaj produkteve laboratorike, të cilat injorojnë ligjësitë e politikës dhe interesin publik.

Sepse, cilado qofshin shqetësimet e nistorëve të këtyre grupimeve, për sa kohë që këto parti nuk lindin nga frakturat shoqërore, por nga frakturat personale, duke nënkuptuar pakënaqësitë që kanë ndaj lidershipit të partisë nga e cila vijnë, ato nuk kanë për t’u shpaguar nga votues që kërkojnë të zgjidhin hallin e tyre dhe jo të kryetarit të partisë së radhës.

Një shembull i freskët për pamjaftueshmërinë e këtyre subjekteve ishin votimet e 30 qershorit të shkuar. Ku Bindja Demokratike, fringo e re dhe e futur në garë me mik, sipas OSBE/ODIHR u regjistrua në kundërshtim me ligjin, në Tiranë u reshtua forcë e tretë në një “garë” midis dy subjektesh, pasi në vend të dytë dolën fletët e votimit të pavlefshme.

Për disa ky mësim nuk është kthyer në pësim. Ngaqë më shumë se nga ligjësitë e politikës, rroken nga trazimet personale që i bëjnë të bien preh e një dinamike folklorike, e cila, për inat të vjehrrës, i shtyn në krahët e mullixhiut. Dhe kjo nuk është asgjë e re, përkundrazi.


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas