Është mbyllur edhe java e 29 e Kategorisë Superiore, ku Partizani ka shkatërruar Kukësin me shifrat 4-0, duke u tregua i pamëshirshëm. Në Durrës, Tirana ka mposhtur 0-2 Teutën, duke rindezur shpresën titull, me durrsakët që zbresin në vendin e tretë tashmë.
Në “Air Albania”, Partizani ishte fantastik ndaj Kukësit, ku edhe pse ndeshja nisi e ekuilibruar, të besuarit e Ilir Dajës shënuan dy herë në fundin e pjesës së parë. Një supergol i Jasir Asanit në minutën e 38’, u pasua nga një tjetër gol i Erald Çinarit vetëm 3 minuta më vonë.
Pjesa e dytë nisi me të njëjtin ritëm, ku Partizani shënoi edhe dy herë të tjera. Fillimisht ishte Stenio Junior që shënoi një gol mjaft të bukur, ndërsa në fund Esat Mala vulosi fitoren 4-0 me një goditje me të majtën. Kështu, të kuqtë fitojnë 4-0 ndaj Kukësit dhe ngjiten në vendin e dytë, me 52 pikë, 1 pikë më pak se Vllaznia.
Nga ana tjetër, në “Niko Dovana”, Tirana surprizoi me lojën e saj, ku dominoi krejtësisht Teutën, të cilën e mposhti 0-2. Dy gola në fund për kampionët në fuqi, ku Batha në të 79’ shënoi me një goditje dënimi, ndërsa Hoxhallari vulosi 0-2 në minutën e 86’. Vendi i pestë për Tiranën, që tani e sheh veten 7 pikë larg kreut.