Sulejman Starova drejtonte Partizanin kampion 26 vite më parë, ndërsa sot është trajner i Laçit. Megjithatë, “Bobi” pritet të jetë në tribunë për të ndjekur derbin, pasi ai e ndien veten pjesë të familjes së kuqe. “Me shumë mundësi do të jem në stadium. Partizani e luan këtë derbi në kushtet e qejfit, ndërsa Tirana në kushtet e hallit”, thotë ndër të tjera Starova në një bisedë ekskluzive për “Panorama Sport” në prag të derbit të kryeqytetit.
Çfarë derbi prisni të luhet sot?
Nuk dua të bëj fallxhorin për këtë derbi. Unë mendoj se gjërat janë konkrete dhe jo abstrakte. Partizani është më komod dhe ka shansin të fitojë e festojë titullin në ndeshjen derbi. Nga ana tjetër, Tirana ka hallet e veta. Kjo është situata kryesore në prag të këtij takimi. Secili nga ekipet kërkon pikët me mënyrën e tyre.
Shanset për të fituar cili i ka më tepër?
Shanset janë thuajse të barabarta, por Partizani ka avantazhin e tifozëve, duke qenë se është edhe pritës. Diferenca në tifozllëk ka të bëjë shumë.
Partizani apo Tirana, cili do t’i ndiejë më tepër mungesat?
Të dyja skuadrat kanë mungesa të rëndësishme, që do të ndikojnë direkt në nivelin e lojës. Pa Asanin dhe Mensah zbehet bukuria e lojës së Partizanit. Mungon edhe Telushi por ai vjen pas dëmtimit dhe u bë kohë që nuk luan. Nëse nuk do të jetë as Edon Hasani, atëherë edhe për Tiranën është problem.
Sulmuesi që keni stërvitur te Partizani, Xhevahir Sukaj, ka thënë se nuk do të ndihen aspak mungesat, duke bërë edhe një krahasim me Liverpulin, që pa Salah përmbysi Barcelonën…
Jo, jo nuk jam dakord me Sukaj për këtë gjë. Lojtari i rëndësishëm i prish punë skuadrës. Mungojnë 3 veta dhe trajneri e do ekipin e plotë. Kjo është dhimbje koke për trajnerin.
Cili mendoni se mund ta bëjë diferencën në këtë takim?
Nuk shikoj ndonjë lojtar që mund të bëjë diferencën në derbi. Ana psikologjike e skuadrave është ajo që bën më tepër diferencën në një derbi. Kjo është shumë e rëndësishme në përcaktimin e rezultatit në një ndeshje të kësaj rëndësie. Në këtë moment, Partizani dhe Tirana kanë gjendje krejt të ndryshme nga njëra-tjetra. Partizani është duke u zyrtarizuar kampion dhe këtë derbi e ka si sulmin e fundit, ndërsa Tirana nëse merr tri pikë, bën një hap të madh drejt mbijetesës. Këto janë vështirësitë dhe lehtësitë që kanë dy skuadrat. Më troç mund të them që Tirana luan në kushtet e hallit, ndërsa Partizani në kushtet e qejfit. Ky është ndryshimi mes dy skuadrave.
Një pikë mendoni se mund t’i kënaqte të dyja skuadrat?
Varet nëse Tirana do ta kërkojë fitoren me çdo kusht apo jo. Ky është avantazh dhe disavantazh. Unë gjykoj që Partizani do të mbrohet, duke qenë i kujdesshëm, pasi i bën punë edhe një pikë. Ndërsa Tiranës nuk besoj se i bën punë një pikë, pasi parashikon që Kastrioti do të fitojë me Flamurtarin. Në këto kushte, duke qenë e ndërgjegjshme se rivali do të fitojë, patjetër që Tiranën e shoh shumë të rënduar psikologjikisht.
Partizani ka më shumë se pesë vite që nuk thyhet në derbi, duke fituar një siguri të madhe…
Shiko, këto janë thjesht statistika që i dëgjon gjithë javës përpara se të luhet derbi. Por, kur nis loja, nuk e ke mendjen aty. E kaluara harrohet në fushë.
Një ditë më parë në “Panorama Sport”, ishdrejtori i Partizanit, Luçiano Moxhi, ka thënë se “duhej të vija unë që Partizani pas 26 vitesh të fitonte titullin”. Keni diçka për t’i thënë?
Për mua ka qenë kënaqësi të punoja me Moxhin dhe vazhdoj të bashkëpunoj, pasi ruaj ende kontaktet me të. Për mua Moxhi ka vendosur një tullë që sot Partizani është kampion. Kam vetëm fjalë të mira për Moxhin pa diskutim./panoramasport.al/
Lexo edhe: