Gjyqi për shpifje Johnny Depp-Amber Heard u përmbyll të premten pa një verdikt. Palët mbrojtëse ofruan argumentet përfundimtare pas një gjyqi shtatë javor, që ka tërhequr vëmendjen e publikut në mbarë botën.
Shtatë nga 11 juristët, të zgjedhur për gjyqin kur filloi në prill, kaluan disa orë duke diskutuar për vendimin pas dhënies së argumenteve përfundimtare, por ata nuk do ta bëjnë të ditur deri të martën.
Ekipi ligjor i Heard, u tha juristëve të “mendonin për mesazhin që zoti Depp dhe avokatët e tij po i dërgojnë Amberit dhe viktimave të abuzimit në familje”.
“Nëse nuk keni bërë fotografi, nuk ka ndodhur”, tha Benjamin Rottenborn. “Nëse nuk keni kërkuar kujdes mjekësor, nuk jeni lënduar.” “Depp nuk mund dhe nuk do të marrë përgjegjësi … është faji i dikujt tjetër”, tha ai.
Më tej, ai u tha juristëve, se “nëse Amber ishte abuzuar nga zoti Depp qoftë edhe një herë, atëherë ajo fiton… dhe ne nuk po flasim vetëm për abuzim fizik, psikologjik, por edhe seksual”.
Ai i udhëzoi ata të merrnin parasysh mesazhet me tekst, të paraqitura më parë në gjykatë, që tregonin “gjuhën më të ndyrë, më të neveritshme që mund të imagjinoni ndonjëherë”.
“Këto fjalë janë një dritare në zemrën dhe mendjen e piratit të preferuar të Amerikës,” tha ai. “Ky është Johnny Depp i vërtetë.”
Më herët, avokati i Depp, Camille Vasquez u tha juristëve, se Heard “i kishte shkatërruar jetën duke e gënjyer botën se ajo ishte një e mbijetuar e abuzimit në familje nga duart e zotit Depp”.
Për përmbledhjen e saj, Vasquez risolli regjistrime audio në të cilat Heard pranon se e goditi Depp dhe e quajti atë “një fëmijë”.
“Merrni një minutë për të menduar vërtet për atë që keni dëgjuar atje,” pyeti Vasquez jurinë. “Kjo është zonja e vërtetë Heard, ajo në regjistrimet audio, jo ajo në këtë sallë gjyqi.”
Vasquez më vonë tha se Heard ishte ose “viktimë e abuzimit vërtet të tmerrshëm, ose ajo është një grua që është e gatshme të thotë absolutisht çdo gjë”. Nuk kishte asnjë regjistrim të Depp që pranonte se kishte goditur Heard-in, tha ajo. “Nuk ekziston. Nuk ka ndodhur.”
Vasquez tha se pretendimet e Heard për dhunë ishin “një akt mizorie të thellë” ndaj “të mbijetuarve të vërtetë të abuzimit në familje”. “Ajo hyri në këtë sallë gjyqi e gatshme për të dhënë performancën e jetës së saj… dhe e dha atë.”
Vazquez tha se faljet me mesazhe të Depp për ish-bashkëshorten e tij, “për sjelljen time, unë jam një egërsirë e ndyrë”, nuk kishin qenë kurrë për dhunë ndaj saj.
“Ajo që ne kemi është një mal me akuza të paprovuara që janë të egra dhe të pabesueshme,” tha Vasquez. “Dhe ju nuk mund të zgjidhni se cilat nga këto akuza të egra të besoni dhe cilat të shpërfillni. Ju ose i besoni të gjitha, ose asnjë prej tyre.”
Një tjetër avokat i Depp-it, Benjamin Chew, u tha juristëve: “Tani keni arritur të njihni Amber Heard-in e vërtetë. E frikshme.” Ai tha se Depp kishte luftuar me drogën dhe alkoolin dhe se “nuk e keni dëgjuar kurrë që ta mohojë këtë”, por “ai zotëron të metat e tij. Ai ju tha gjithçka për to. Por ai nuk është një dhunues.
“Ka një dallim midis të pasurit një problem abuzimi me substancat dhe të qenit abuzues,” shtoi Chew.
Secilës palë iu dhanë 61 orë gjatë gjyqit shtatë javor për të paraqitur rastin e tyre, me dhjetëra dëshmitarë dhe ekspertë që analizonin martesën 15-mujore të Depp dhe Heard. Secilit iu ndanë dy orë për të përmbledhur. Me kërshëri pritet që javën tjetër të jepet vendimi, nëse Depp është ose jo një dhunues femrash./Liberale.al