Aktualitet

Pas 8 viteve – Rama pranon abuzimin e qeverisë me tenderat














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:40 - 14/07/21 |
mapo.al

Gjatë një takimi me titullarë të institucioneve që merren me prokurimet publike, kryeministri Rama ka pranuar se në 70% të institucioneve të qeverisjes së tij, kryhen tenderime abuzive. Sipas tij, situata me qeverisjet e mëparshme është e pakrahasueshme, por gjithsesi ka punë për të bërë. Por në një raport të KLSH-së të vitit 2020, thuhet se përgjatë periudhës 2014-2019 kohë që në pushtet ka qenë qeverisja e majtë, dëmi ekonomik nga tenderimet kap shifrën e 2 miliardë eurove. Vetëm në vitin 2015, dëmi i shkaktuar nga prokurimet dhe marrëveshja me ÇEZ që mban firmën e ish-ministrit Gjiknuri, është më i madh se 12 vitet paraardhëse të marra së bashku. Si pasojë e abuzimeve vetëm në një vit arkës së shtetit iu shkaktua 1 miliard euro dëm






Kryeministri ka mbledhur dje titullarët e institucioneve dhe drejtorët e prokurimeve publike, për t’iu bërë të ditur iniciativën e tij të re në luftën antikorrupsion. Rama tha se në rast se vihen re tendera abuzivë atëherë gjithsecili që është përfshirë në këto procese do përfundojë në SPAK. Duket se takimet vijnë në kuadër të disa arrestimeve të ndërmarra nga ana e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, ku dhe ditën e djeshme u lajmërua hetimi dhe gjykimi i ish-kreut të Bashkisë Pogradec Eduart Kapri, i cili akuzohet për një tender drush zjarri për ngrohje të shkollave dhe kopshteve në vlerën e 9 milionë lekëve, si dhe për pengim të zgjedhjeve të vitit 2019.


Më parë SPAK ka vënë në pranga kryebashkiakun e Lushnjës Fatos Tushe, si dhe 9 zyrtarë të Ministrisë së Brendshme për tenderin e uniformave. Rama pranoi se më shumë se 70 për qind e institucioneve të qeverisë së tij kanë abuzuar me tenderat. “Nga analiza rezulton se nga 24 institucione 21 prej tyre 30-50 të procedurave i kanë vetëm me një operator ekonomik. Pavarësisht se procedura është e hapur. Janë hetuar 57 procedura prokurimi, ajo që ka rëndësi është se janë konstatuar probleme në përllogaritjen e fondit limit, kritere kualifikimi pa lidhje me objektin e kontratës, fitues që nuk plotësojnë kriteret”.







2 miliardë euro abuzime
Por Kryeministri u shpreh se pas ardhjes së tij në pushtet situata ka ndryshuar. “Nëse shohim gjithë ecurinë e prokurimeve nuk ka asnjë krahasim me ‘ku ishin e ku janë sot’, por kjo nuk e ka ndryshuar perceptimin dhe këtu nuk kemi asnjë shans që këto llogari t’ia kërkojmë popullit”, -tha Rama. E megjithatë shifrat flasin ndryshe. Gazeta MAPO iu referua një raporti të KLSH, i cili flet për abuzime të tejskajshme gjatë qeverisjes së rilindjes. Madje vetëm në vitin 2015, dëmi ekonomik që i është shkaktuar shtetit është më i madh se 13 vite të marra së bashku që nga viti 2002. Sipas raportit, që i referohet periudhës 2012-2019 dëmi nga prokurimet është në shifrën e rreth 254 milionë lekëve ose 2.3 miliardë euro nga të cilat rreth 2 miliardë i takojnë viteve 2014-2019.

Lexo edhe :  Bashkim Shqipëri-Kosovë? Rama tregon si do të votonte në referendum



Sipas të njëjtit raport, i publikuar në marsin e vitit 2020, përgjatë viteve 2012-2019, për shkak të tenderave dhe mosrealizimit të të ardhurave në tatime dhe dogana shtetit i është shkaktuar një dëm prej 6.2 miliardë euro nga të cilat 5.9 miliardë mbajnë firmën e qeverisë Rama. Këtu nuk janë llogaritur viti pandemik, ku mendohet se gropa është 1.2 miliard euro, apo dhe gjashtëmujori i parë i këtij viti. Specialistët mendojnë se kjo është gropa më e madhe financiare e krijuar ndër vite, si pasojë e abuzimeve pa kriter dhe mosfunksionimit të sistemit të mbledhjes së të ardhurave.



Viti 2015
Por çfarë ndodhi në vitin 2015 që fatura financiare e dëmit ekonomik shkoi në më shumë se 1 miliard euro. Për këtë çështje ka një padi në prokurori ndaj ministrit të Energjisë së asaj kohe Damian Gjiknuri. Ky i fundit nënshkroi një marrëveshje mirëkuptimi me kompaninë çeke ÇEZ, e cila sipas KLSH i ka sjellë buxhetit të shtetit një dëm prej 479 milionë eurosh. KLSH pretendon se marrëveshja e firmosur ka qenë abuzive dhe në dëm të buxhetit të shtetit në një masë që do duhen vite për ta shlyer. Pala shqiptare jo vetëm që i ka paguar në dorë 95 milionë euro kompanisë, por i ka njohur në masën e 352 milionë eurove dhe faturat e prapambetura.

Nga ana tjetër ka marrë përsipër dhe shlyerjen e një kredie prej 17 milionë euro nga BERZH si dhe overdraftet që kish marrë kompania në atë kohë në bankat e nivelit të dytë. Për këtë qëllim qeveria shqiptare hoqi dorë dhe nga gjyqi në arbitrazh që ish hapur në atë kohë dhe që zgjaste prej dy vjetësh. Pala shqiptare prishi kontratën me ÇEZ në vitin 2013 me pretendimin e investimeve të pakryera.

ÇEZ pagoi rreth 102 milionë euro për blerjen e 76 % të aksioneve nga qeveria shqiptare, dhe nuk kreu asnjë investim përgjatë tri viteve. Për të marrë mbrapsht aksionet e saj, pala shqiptare i bleu ato me një çmim 4.7 herë më të lartë. Pra, në rast se do i referoheshim fjalës së Ramës dje, nisur dhe nga faktet se çfarë është bërë në këta tetë vjet, ata drejtorë që ishin dje në takimin me të, ose duhet të ishin shkarkuar tashmë ose duhet të ishin përpara drejtësisë si dhe nëpunësit e Ministrisë së Brendshme. Rama tha se do përgatitet dhe legjislacioni për këtë qëllim, por duke harruar se korrupsioni nuk luftohet me ligje, por me vullnet politik.

1


Etiketa: , , ,

Pas