Aktualitet

Pas Bashës duhet të ndiqni dhe Albinin, Kryeministër!





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 20:22 - 10/04/20 |
mapo.al

Këto ditë jo të zakonta për vendin keni kuptuar që Plani Basha për të menaxhuar situatën e jashtëzakonshme të krijuar nga COVID-19 duhet ndjekur. Dhe keni filluar ta zbatoni gradualisht atë.


Shumë mirë bëni pasi është jeta e qytetarëve primare, siguria dhe vazhdimësia e saj.


Por në këto kushte është e mira të ndiqni edhe një tjetër model, atë të Kryeministrit të Kosovës për Pakon Mbështetëse për realizimin e mësimit në distancë.


Kështu, qeveria e Albin Kurtit vendosi pagë shtesë nga 150-300 euro në muaj për mësuesit të cilët janë të përfshirë drejtpërdrejtë në prodhimin e video-materialve online për nxënësit e tyre. Dhe kjo ka reflektuar qasjen e këtij kryeminstri i cili ka cilësuar prioritet të qeverisë tij rritjen e dinjitetit të mësuesit, të mësimdhënësit dhe kthimin e vemendjes nga dija e shkenca.


E pra zoti Kryeministër, ja shembulli i një homologu, shqiptar madje.

Në fakt, ju jeni duke vepruar krejt ndryshe, në vend ta mbështesni mësuesin në këtë situatë  jeni duke e ndëshkuar me ulje page për mësimin online.

Kështu, në vendimin e qeverisë keni ndalur pagesën për orët suplementare, meqenëse mësimi u zhvillokërka në kushtet e shtëpisë, dhe për 4 ditët e festave në muajin Mars, meqenëse nuk qenka realizuar norma javore.

Dy kryeministra për të njëtën situatë, dy vlerësime dhe qasje krejtësisht të kundërta për mësuesin.

Vendimi për ndalesa në pagë është sa qesharak aq dhe i turpshëm!

Pasi kjo nuk është çështje dëshire, ky është detyrim që duhet të përmbushni:

– të paguani shtesë mësuesin për prodhimin e video-mësimeve online, është një produkt ;

– të paguani shtesë mësuesin pasi i është rritur ngarkesa javore dhe mujore mësimore nga 5 orë në ditë ai punon 10 apo më shumë sepse është gjithë kohën në kontakt me prindër e nxënës në WhatsApp dhe regjistrime, dhe, nga 22 ditë pune mujore punon 31ditë ;

-të paguani shtesë mësuesin pasi është duke punuar në kushte e shtëpisë me mjete teknologjike dhe shpenzime të tij, atë mundësi që ju dhe qeveria nuk ia siguruat asnjëherë në shkollë, një tavolinë dhe kompjutët për të punuar dhe realizuar teknologjinë në mësimdhënie.

Por, ashtu si dhe Kryeministri i Kosovës edhe ju reflektoni qasjen tuaj për mësuesin, por me një ndryshim të madh sepse nuk e keni prioritet dinjitetin e mësuesit por shkeljen e tij.

Afër vitit të tetë të qeverisjes suaj nuk e vlerësuat as profesionalisht dhe as materialisht mësuesin se moralisht, dukshëm, nuk është pjesë e filozofisë suaj.

Nuk do të jetë hera e parë që merrni një model nga Kosova, e keni bërë një herë më 2013-ën, por me një kryeministër tjetër të Kosovës, duke marrë kurrikulën shkollore të tyre edhe pse duke e zbatuar në kushtet e pamundësisë për shkollat tona dhe duke hedhur poshtë një punë tre vjeçare (2010-2013) të specialitëve shqiptarë dhe të huaj për zbatimin e kurrikulës shkollore tonën.

Dhe jo vetëm që e morët, por e përdorët si argument pozitiv zbatimin e saj në dy vendet tona në kuadër të planit të bashkëpunimit mes dy qeverive.

Atëherë çojeni derti në fund këtë bashkëpunim, vlerësojeni materialisht mësuesin sepse e meriton plotësisht këtë.

Bëjeni në këto ditë të fundit meqë përgjatë qeverisjes suaj disa vjeçare ia rrite pagën vetëm 6% në 2017-ën, edhe atë ia kalove pas një viti.

Ju një gjë thelbësore nuk e kuptuat kurrë në qeverisje, që pa mësuesin asnjë reformë nuk realizohet dot, që pa mësuesin as mësimi online apo offline, në shtëpi apo shkollë nuk mund të realizohet dot.

Me mësuesin është kontakti i fëmijës me shtetin. Dhe ju e dobësuat qëllimisht atë duke goditur mësuesin pasi ndërmorët një reformë pa e pyetur atë, pa e trajnuar atë, dhe i varët përgjegjësinë e dështimit të saj duke ulur dinjitetin e tyre dhe duke i bërë inferiorë përballë shoqërisë.

Dhe sot, si për ironi të fatit, teknologjinë e munguar në shkollë që kishit detyrim t’ia siguronit por i gënjyet, jo vetëm ia kërkoni në kushte e shtëpisë, por dhe i ndërshkoni me ulje page.

Ndërpriteni këtë maskaradë, bëni njëherë të vetme një gjë të mirë për mësuesin!

Meqë Plani-Basha po funksion në zbatim, bëjeni të funksionojë dhe Modeli- Albin, vazhdojeni bashkëpunimin që keni nisur 7 vite të shkuara me qeverinë e Kosovës por që nuk ka dhënë ende rezultat, bëjeni që  ky të jetë i vetmi produkt pozitiv që do të mbahet mend.

Fundja nuk është dëshirë, është detyrim, pasi mësuesi duhet paguar për punën e bërë!


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas