Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka reaguar sot lidhur me çmimin e naftës dhe të hidrokarburëve që tregtohen në vend. Ajo e quajti Bordin e Transparencës “klub oligarkësh”. Edhe pse çmimi i naftës në tregjet globale ka rënë ndjeshëm, ndonëse qeveritë e vendeve të tjera po ndajnë subvencione për qytetarët, në Shqipëri ndodh e kundërta.
Jorida Tabaku kërkon shkrirjen e Bordit, uljen e taksave të panevojshme që e mbajnë 60 lekë për litër me shtrenjtë naftën në vend, si dhe një hetim të detajuar të tregut të hidrokarbureve.
Reagimi i saj vjen në një kohë kur një litër naftë po tregtohet aktualisht me 248 lekë. Vendimi i fundit i Bordit të Transparencës përfaqëson rritjen e katërt radhazi. Në fillim të muajit gusht, litri i naftës shitej 27 lekë më lirë. Ndryshe nga nafta, benzina dhe gazi kanë pasur këtë periudhë luhatje më të qëndrueshme, duke mbyllur muajin përkatësisht me 201 dhe 79 lekë në pompat e karburanteve. Shqipëria renditet ndër vendet me çmimin e naftës më të shtrenjtë në botë.
Reagimi i plotë i Jorida Tabakut:
Nafta arriti rekord historik në vend më 17 qershor, me çmimin 265 lekë
Klubi Oligarkëve Naftës dhe misioni tij
Kjo çmenduri me çmimet e larta të naftës që përcaktohen nga Klubi i Oligarkëve të shndërruar në bord është një luftë e hapur që i bëhet Tregut të Lirë dhe logjikës së lirisë.
Alibitë që kemi dëgjuar se gjoja Klubi Oligarkëve të Naftës bashkë me qeverinë po mbrojnë konsumatorët nga çmimet e larta ngjajnë si një eksperiment ku Klubi po përgatitet të mbajë tanimë çmimet mbi 200 lekë për litër.
Ironikisht Klubi Oligarkëve që do mbronte shqiptarët nga abuzimi nuk e ka zbritur thuajse asnjëherë çmimin poshtë 200 lekë/litër ndërkohë që fitimet i ka rritur. Një koordinim perfekt me qeverinë që ka pjesën e saj në çmimet e kripura dhe të hidhura të naftës.
A ka shkuar qeveria të negociojë me Klubin e Oligarkëve për çmimin e naftës në pompën e benzinës kur çmimi ka rënë në çmime poshtë 100$/barrelë? Asnjëherë! Përkundrazi ministra dhe zv kryeministra janë angazhuar në mbrojtjen publike të Klubit ndërsa shqiptarët e paguajnë sa “frëngu pulën” një litër naftë.
Efektet në ekonomi gjithnjë e më të dukshme. Produktet e qumështit, mishit, vajrat, orizi të gjitha në rritje si pasojë e kësaj sjellje të pandershme dhe anti-kapitaliste.
Në Gjermani mund të udhëtoje për 3 muaj të verës me një çmim prej 9 euro kryq e tërthor me transport publik. Në Shqipërinë e socializmit dhe Klubit të Oligarkisë paguan 220 lekë për litër çmimin e naftës, më i shtrenjti në rajon.
Asnjë subvencion nga qeveria që merr 60% të çmimit taksa. Shqiptarët paguajnë taksa si vendet e OECD dhe marrin shërbimet si vende të botës së tretë!
Kështu nafta është shembulli më i mirë se si gërshetohet sistemi ekonomik dhe politik që ka instaluar Rama në këto 8 vite;
Së pari taksat e larta që aplikohen mbi çmimin e naftës fundor.
Së dyti, kapja e tregut nga Klubi Oligarkëve të Naftës që tanimë përcaktojnë dhe çmimet.
Tani, me ç’duket, çmimi do mbetet i lartë edhe kur lufta të mbarojë. Arsyeja e ekzistencës së Klubit të Oligarkëve të kthyer në Bord çmimesh është pikërisht ajo e vendosjes së kufirit të ri të çmimit, mbi 200 lekë/litër.
Justifikimet dihet që do jenë qesharake por do të propagandohen nga ortakët e këtyre oligarkëve që sot qeverisin.
Kush do qe zgjidhje?
Së pari, shkrirja e këtij Klubi Oligarkësh të kthyer në Bord. Tregu i Lirë e shpëton konsumatorin dhe spekulimin jo klubi oligarkëve. Heqja e Bordit do ndihmonte tregun dhe konsumatorin.
Së dyti, heqja apo ulja e taksës së qarkullimit dhe taksave të tjera që do të ulte automatikisht çmimin e naftës në pikat e benzinës. 60% e çmimit të naftës sot janë taksa dhe tarifa të padobishme që i merren konsumatorit.
Së treti, subvencione reale tek konsumatorët dhe hetim i plotë i tregut të shitjes së naftës.
Këto tre hapa mund t’i kryejë një qeveri e përgjegjshme që nuk ndan aksionet dhe fitimet e përfitimet me Klubin e Oligarkëve.