Deputeti i PS, Spartak Braho është treguar i ashpër dhe me ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj në Kuvend, teksa po diskutohej për raportin vjetor të Institutit të Studimit të Pasojave dhe Krimeve të komunizmit. Braho tha se nga ambientet e ministrisë së brendshme janë nxjerrë dokumente të klasifikuara, nga studiuesit Kastriot Dervishi dhe Dashnor Kaloçi.
“Mos e bëni ministrinë han që të studiojë i gjithë mileti, keni ju dy hajdutë aty që është Dervishi dhe Kaloçi që kanë vjedhur dokumente te ju aty, dhe mbushin shtypin. Të nderuar deputet shumë nga ju as që nuk e dinin se ekzistonte ky institut i miratuar nga qeveria e Sali Berishës në 2010-tën”, tha Braho. Ai nuk kurseu akuzat në adresë të kreut të ISKK-së, Agron Tufa, duke thënë se po tentohet që të zhbëhet lufta Nacional Çlirimtare.
“Ky institut drejtohet nga një letrar që ka mbaruar shkollën në Bashkimin Sovjetik, Agron Tufa. Më erdhi në mend një debat, që ky studiues kërkonte që të hiqte nga qarkullimi filmat e para viteve ’90. Me pak fjalë duhen zeruar të gjitha veprat e Kadaresë dhe Agollit. Në njërën prej botimeve të publikuar nga ky institut konsideroheshin kriminelë afro 260 drejtues të luftës. Botim qesharak qe ai që bënte fjalë për këngën e Ballit Kombëtar. Së pari, vepra e institutit ka shkelur ligjin që organizohej dhe do perifrazoj kryemninstin që tha larg duart nga vitet ’41-’45. Sepse neofashistët e tipit Tufa dhe Çela kërkonin mes shtrembërimeve të glorifikionin bashkëpunëtorët e fashizmit e nazizmit”, tha Braho.
Gjatë raportimit në Kuvend, kreu i Institutit të Studimit të Krimeve të Komunizmit, Agron Tufa, ngriti shqetësimin se ish-oficerë të Sigurimt të Shtetit drejtojnë institucionet e larta shtetërore dhe se mbrohen nga qeveria.