Lulzim Basha dhe Sali Berisha vijuan edhe sot replikat në distancë lidhur me përjashtimin e ish-kryeministrit nga grupi parlamentar.
Kryedemokrati përsëriti se nuk do të ketë asnjë mbledhje të Kuvendit Kombëtar për të diskutuar vendimet e SHBA-së, ndërsa iu përgjigj edhe akuzave të Berishës se është peng i kryeministrit Edi Rama. Basha tha se nuk është as peng i Edi Ramës dhe as kukull e Sali Berishës.
Pas kësaj deklarate, Basha është ulur te kafja ngjitur me selinë e PD, i shoqëruar nga një grup deputetësh.
Në tavolinë me kryedemokratin janë rrethi i ngushtë i bashkëpunëtorëve të tij si Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi, kreu i grupit parlamentar, Alfred Rushaj, njëherazi edhe nënkryetar i PD, si dhe tre nënkryetarët e tjerë të PD, Enkelejd Alibeaj, Jorida Tabaku dhe Grida Duma.
Pas deklaratës së Bashës, nuk vonoi përgjigjja e Sali Berishës i cili u shpreh se Kuvendi Kombëtar i PD nuk do të mblidhet për të shqyrtuar non grata-n e tij, por për vendimin e Bashës, të cilin ai e quan të marrë peng nga Edi Rama.