Protestat në Tiranë nuk kanë ndalur; do të rinisin sërish sot dhe këtë herë do të jenë artistët ata që do të kërkojnë të drejtat e tyre.
Regjisori Robert Budina paralajmëroi se pasditen e sotme, në orën 18:00, do të protestohet para Ministrisë së Brendshme, kundër dhunës së ushtruar dje ndaj aktivistëve, të cilët përfunduan pa arsye në Komisariatin nr.1
Në një lidhje për “Fax News”, Budina tha se gjithçka është rrjedhojë e përplasjeve të dikurshme për shembjen e Teatrit Kombëtar, si dhe e vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha nga efektivi i policisë Nevaldo Hajdëraj.
Regjisori i njohur gjithashtu denoncoi dhunën e ushtruar ndaj aktivistëve Donald Martini e Ergys Mërtirit, ndërsa theksoi se artistët bashkë do të kërkojnë dorëheqjen e Ardi Veliut.
“Një nga aktivistët tanë, Donald Martini që sapo kishte fituar çmimin në Los Anxhelos, vjen dhe shpërblehet nga Policia e Shtetit të vet duke u goditur me dhunë në komisariat. I kanë nxirë syrin, i kanë çarë mjekrën dhe për më tepër, Martini është një qytetar.
Këto janë fakte që e rëndojnë pozitën e qeverisë dhe janë shkelje flagrante e të drejtave, ndaj kemi thirrur një reagim. Duhet të hetohet nga vetë Policia për punonjësit e policisë.
Ergys Mërtirit i kanë fshirë videot; janë dhunuar në komisariat, janë sharë me fjalë të ndyra. Ne do të kërkojmë dorëheqjen e Veliut, Drejtorit të Përgjithshëm, të reformohet Policia e Shtetit. Nuk ka ndodhur asgjë për të ushtruar atë dhunë”,- u shpreh Budina.