Kryesore

Pas Gjykatës Kushtetuese, në Shqipëri ‘bie’ Gjykata e Lartë





Na ndiqni në Facebook
               Publikuar në : 08:10 - 23/05/19 |
mapo.al

Kolegji i Posaçëm i Apelimit shkarkoi nga detyra gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, Edmond Islamaj për pamjaftueshmëri burimesh, deklarim të paplotë dhe të saktë të pasurisë.


Kolegji i përbërë nga Luan Daci kryesues, Sokol Çomo relator dhe gjyqtaret Ina Rama, Rezarta Schuetz dhe Albana Shtylla shpalli të mërkurën vendimin për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit Edmond Islamaj, duke përmbysur vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që më herët e kishte konfirmuar në detyrë.



Gjatë leximit të vendimit, kryesuesi i seancës Luan Daci shpjegoi se Kolegji kishte arritur në përfundimin se gjyqtari Islamaj nuk ka arritur të provojë ligjshmërinë e burimeve financiare për 3 pasuri të paluajtshme në pronësi të bashkëshortes së tij. Këto pasuri përbëheshin nga një apartament, një njësi tregtare 55 m2 dhe një garazh.


Gjithashtu, sipas kolegjit subjekti ka pamjaftueshmëri burimesh për likuiditet cash të deklaruara në vitin 2012 dhe 2016, si dhe ka bërë deklarim të paplotë dhe të pasaktë.

Në tërësi për kriterin e pasurisë Kolegji u shpreh se subjekti i rivlerësimit kishte bërë deklarim të paplotë, të pasaktë dhe të pamjaftueshëm të pasurisë së tij.

Ankimi i Komisionerit Publik Florian Ballhysa kundër vendimit për konfirmimin e gjyqtarit Edmond Islamaj, ishte ankimi i parë ndaj një vendimi rivlerësimi të KPK-së në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Shqyrtimi i këtij ankimi në KPA ka filluar në 12 nëntor 2018.

Islamaj ka patur një karrierë të gjatë në gjyqësorin shqiptar dhe para se të emërohej në Gjykatën e Lartë, ka mbajtur poste të ndryshme, përfshirë gjykatës i Shkallës së Parë, kryetar gjykate, kryeinspektor në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si dhe gjykatës Apeli.

Me vendimin e Kolegjit kësaj karrierë të gjatë të mërkurën i erdhi fundi.

Me ikjen e Edmond Islamaj, Gjykata e Lartë nuk mund të krijojë më trupë gjyqësore dhe zyrtarisht që nga kjo e mërkurë hyn në krizë, pasi do ta ketë të vështirë të shpallë vendime. Në Gjykatën e Lartë tashmë janë vetëm dy anëtarë, gjyqtarët Ardian Dvorani, që është gjithashtu edhe kreu i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe kryetari Xhezair Zaganjori edhe ai i ankimuar në KPA.

Anëtari tjetër, Medi Bici, i konfirmuar nga vetingu, u largua pasi u votua si anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor. Aktualisht stoku i dosjeve që presin te gjykohen në Gjykatën e Lartë ka kapur rekordin e 31 mijë çështjeve, çka do të thotë se pas rënies së Gjykatës Kushtetuese, edhe Gjykata e Lartë ka hyrë në ditë të vështira.

Ish-ministri: Shqipëria, i vetmi vend në Evropë pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë

Ish-ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi shkruan se që prej ditës së mërkurë, Shqipëria është i vetmi vend në Evropë pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë, duke shtuar se drejtësia në vendin tonë ka hyrë në kolaps total.

Sipas tij, janë rreth 40 mijë dosje që presin të shqyrtohen në këtë gjykatë, duke nënvizuar se deri në fund të vitit, numri i tyre do të shkojë deri në 60 mijë.

Juristi Halimi shkruan se një qytetari apo një biznesi do t’i duhet të presë deri në 8 vite për të shqyrtuar dosjen në këtë gjykatë.

“Nga sot (dje) Shqipëria i vetmi vend në Evropë pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë.

Shkarkimi nga detyra i gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Edmond Islamaj (të cilin e njohin të gjithë si një gjyqtar korrekt) ka si qëllim të vetëm mbylljen përfundimtare të Gjykatës së Lartë.

Nga sot Shqipëria është jo vetëm pa Gjykatë Kushtetuese, por dhe pa Gjykatë të Lartë. Nga sot nuk mund të shqyrtohet ASNJË nga 40.000 dosjet që prisnin në radhë dhe drejtësia përfundimisht është futur në kolaps total. Atë që Komisioni i Venecias thoshte në dhjetor 2015, po dalin çdo ditë.

Dhe në këtë pikë ata që vuajnë nga mungesa e ekzistencës së një sistemi gjyqësor normal hierarkik janë padyshim qytetarët e thjeshtë dhe po aq shumë biznesi. Sikur Gjykata e Lartë të krijohet në fund të vitit kur të jenë më shumë se 60.000 dosje, çdo qytetari dhe çdo kompanie do t’i duhej të paktën 7-8 vjet pritje për t’i ardhur radha”, shkruan Halimi.

Të shkarkuar nga Gjykata e Lartë:

1. Admir Thanza
2. Artan Broci
3. Artan Zeneli
4. Tom Ndreca
5. Shkëlzen Selimi
6. Edmond Islamaj


Etiketa: , , , , ,

Pas