Në mars të 2018-ës, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dërguar një letër porosi në Panama për të marrë më shumë informacione mbi kompaninë shqiptare, ‘Arbri Garden’, në kontenierët e së cilës u kapën 613 kilogram kokainë. Dy letër-porosi të tjera janë dërguar në Kolumbi dhe Ekuador.
Dy ditë më parë në Panama ka zbritur ambasadorja shqiptare në SHBA, Floreta Faber, që mbulon edhe marrëdhëniet me shtetin e Amerikës Qendrore. Arsyeja zyrtare e vizitës së Faber në kryeqytetin panamez është dorëzimi i letrave kredenciale te presidenti Juan Carlos Varela, tre vite pasi ajo është dekretuar ambasadore.
Gjatë bashkëbisedimit, presidenti Varela i ka propozuar dhe i ka ofruar ambasadores shqiptare bashkëpunim në luftën kundër trafikut të drogës. Propozimi është konfirmuar nga zv/presidentja e Panamasë, Isabel de Saint Malo, e cila ishte gjithashtu e pranishme në takim, raporton Politiko.al.
Rastet e trafikut të drogës nga Panamaja drejt Shqipërisë nuk kanë munguar edhe në të kaluarën. Ngjarja e fundit rezulton në vitin 2010, kur 5 persona janë arrestuar si të përfshirë në linjën e trafikut midis dy shteteve. Në vitin 2015-të, u ekstradua nga Venezuela shtetasi A.G., i dënuar në vitin 2012-të nga Gykata e Tiranës për trafik droge në linjën Panama-Shqipëri.