Mapo Letrare

Pas lindjes








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 22:20 - 14/11/20 |
Bujar Balliu

-E zezë, yt shoq ka një vit i ikur, me kë e zure?


– Do t’ia tregoj vetëm dherit.


-Mirë bën. Po mua do të ma thuash se afër varrit jam. Frikë nuk kam asgjë. As vdekjen tënde. Ndaj mos e rrudh gojën. Fol!



Nuses i ra në fytyrë pamja e njeriut që i ka ardhur në majë të hundës e prej saj mund të merrje çdo gjë që i kërkoje.


Pëshpëriti emrin e të kunatit.


-Nuk u paska parë njeri ferrave.

-Do të më vrasë babai.

-Nuk do ta marrë vesh.

-Si do bëhet?

-Do ta hedhësh.

-Kur?

-Sa të ndjesh dhimbjet, eja këtu.

Dhe ajo ditë erdhi.

Plaka e vuri në minderin e dhomës ku gatuante që ta kishte në sy. Nusja filloi të shtërzonte ende pa u shtrirë, edhe pse sipas llogarive të saj, barra ende ishte në muajin e tetë. Pas gjithë gjasash, fëmija do të dilte  i vdekur.

Qëndrimi i nderë dhe i stepur i gruas së re, frymëmarrjet e saj të shpeshta, gjithë qenia e saj e dorëzuar, e bënin plakën të vështronte si rrëqebulli: herë prenë e herë shtegun nga të çajë.  Me ferishten nën sqetull, do të shkonte te vrima pa fund. Vetëm gryka e saj përcillte e s’ bënte zë. Kush humbte, thoshin e përpiu ajo. Arsyet i merrte viktima me vete.

Graja e re shkerhej me shkulme lotësh. Klithmat u shuan në jastëkun e ngjeshur mbi fytyrë.

Plaka doli jashtë dhe u kthye shprejt. U dëgjua dera e jashtme, gërvishtja kur u hap dhe kërcitja kur u mbyll duke u përplasur.

Dhe pastaj heshtje.

Maçokut buzë vatrës iu ngritën qepallat vetvetiu dhe i ranë përsëri duke mbuluar sytë e përgjumur.

Plaka mbushi me gjellë petën e nderë mbi palare duke mbajtur sytë mbi nusen, dorëzuar plotësisht dhimbjeve të lindjes. Iu afrua. E shkundi.

-Jepi fort, shumë fort!

Përvëloi duart me ujin e ibrikut që ziente ndanë vatrës. U përpoq t’i përshtatej detyrës së mamisë.

Kur u shfaq koka e vogël e lagësht e foshnjës, e humbi sigurinë.

“Ç’ bëhet tani?”

Klithma e fëmijës i futi drithmat. E rrëmbeu. Për pak sa nuk i rrëshqiti nga duart dhe instiktivisht e hodhi në tepsinë ku do të vendoste lakrorin. Ulërimat e fëmijës e alarmuan. Qe aq e sigurt se do të lindte i vdekur, sa nuk mori asnjë masë, bile dhe dritarja ishte hapur. Lehona ka humbur ndjenjat.

Hodhi sytë përqark. Të vetmin mjet të përshtatshëm gjeti saçin e nxehtë. E kapi për vegje, e vuri mbi trupin e fëmijës që përdridhej e këlthiste pa pushim. Zhurmat u shuan, por era e mishit të djegur i shpoi hundët. Mori frymë thellë. U qetësua. Mbushi kacinë me prush në vatër, ia hodhi maçokut të dremitur. Atij i erdhi e papritur nxehtësia e menjëhershme, u shkund. Flaka i përpiu gjithë trupin. U vërtit nëpër dhomë disa çaste deri sa pikasi dritaren e hapur. Vendin e mishit të djegur e zuri grahma mbytëse e leshit të maçokut.

I hodhi lehonës ujë të ftohtë dhe u zgjat në dritare të shohë nga u vithis lëmshi i zjarrtë. Dy fëmijë iu vunë mbrapa me britma. Pastaj dhe zëra të rriturish. Udha mbeti shkretë.

Plaka u kthye në dhomën e mbushur me tym, hoqi saçin. Trupi i fëmijës me kokën mbi gjunjë, duart lëshuar paksa mbrapa, qe dorëzuar duke u dhënë fund përpjekjeve për të hyrë në këtë botë.

Tërhoqi një rreckë përfund dyshekut, e hodhi mbi ferishten e përzhitur, e mbështolli, e futi në një qese bezeje.

Doli. Pa u menduar, zu të rendë. Ndaloi.

Nuk duhet të krijojë dyshim. Filloi të ecë me hapin e grave të vetmuara që kanë dalë të kryejnë punët e mërzitshme  të ditës.

Duke lënë prapa dhe shtëpinë e fundit, vuri re se pijaneci i lagjes, dikur mësues, shtrirë nën hijen e ferrave buzë rrugës, po e shikonte gojëhapur. Po të qe esëll, gjë që nuk ndodhte shpesh, mund të kishte parë gjithçka hyri e doli në shtëpinë e saj.

Mbaroi punë shpejt.

Kur nusja erdhi në vete, plaka qe zhdukur. Kërkoi me duar pranë vetes dhe, si nuk preku gjë, kuptoi që kërthia nuk ishte për fajin e saj. Veçse këtë nuk mund t’ia thoshte askujt. Dhimbja zuri vend diku në gjoks si guri bigorr me vrima të mëdha.

U ndje e mjerë. Dhe shumëçka tjetër prej gjirizi.


Etiketa:

Pas