Pas premierës “La Boheme” që e ngjiti në skenën shqiptare me një rol, sopranoja Evis Mula rrëfen projektet e ardhshme. Më i afërti është Desdemona në operën “Otello”. Ajo zbulon se është rikthyer në Tiranë dhe po punon me disa role.
Cilat janë emocionet që merr me vete nga vënia në skenë e operës “La Boheme”
Gjithçka që përfundon bukur, të lë një shije të mirë. Dhe këto janë ndjesi që mbesin gjatë në memorie. Efekti e një pune serioze, të palodhur i një ansambli profesionistësh e kolegësh, të cilët u angazhuan për të nxjerrë në pah vlerat e një “Boheme”, e cila i rikthehej publikut shqiptar pas 11 vjetësh. Dhe për mendimin tim, “La Boheme”, e cila është një nder operat që me së shumti vihet në të gjitha skenat botërore, nuk mund dhe nuk duhet t’i mungojë kaq gjatë publikut shqiptar, i cili e mbushi sallën e TKOB –it në të tria netët e shfaqjeve. Sadisfaksioni dhe kënaqësia që mora mbrëmë, gjatë dhe pas shfaqjes nga duartrokitjet e publikut, qè i madh. Më dha të kuptoj që publiku e vlerësoi punën time disa vjeçare për përgatitjen e këtij roli. Por natyrisht që, rruga e artit është e gjatë , impenjative dhe nuk reshtet kurrë së punuari dhe kërkuari së përmirësuari.
Si u ndjeve me publikun shqiptar? A të kishte munguar?
Publiku shqiptar është ai që më tepër të vë në sedër, si mund të thuash , dhe përpara përgjegjësisë dhe detyrimit që të japësh një interpretim sa me profesional dhe shpirtëror. Nëse e bën këtë publiku ynë di të jetë më i sinqerti dhe bujari me ty.
Po reagimi i prindërve? A të kanë ndjekur ata vazhdimisht në skenat e huaja ku ke performuar?
Për ta shfaqja e mbrëmshme e “Boheme” ka qenë një emocion i madh. Mendoj se kanë qenë ata më të emocionuar se unë. Im atë praktikisht e kishte ndjekur shfaqjen nga holli i teatrit, që do të thotë më tepër ka jetuar me jehonën e tingullit që vinte nga salla. Ime më si më guximshme e ka ndjekur ulur me disa nga koleget e saj të e punës. Gjatë viteve që kam studiuar në “Scala” në koncerte dhe në opera, prindërit nuk më kanë ndjekur. Dhe ky më ka mbetur një peng për faktin që nuk na u realizua mundësia. Ndaj Bohema e mbrëmshme qè më së shumti një dhuratë për ta, për të gjithë miqtë e mi dhe për ata të cilët dinë të shijojnë muzikën e bukur.
Ishte një ftesë që t’u bë për të qenë në Tiranë dhe pikërisht në këtë opera?
Po, ishte një mundësi e ofruar nga trupa drejtuese e TKOB –it për të interpretuar në rolin e Mimisë.
Ishte hera e parë që u shfaqe në skenën e Operës pas largimit në Itali?
Jo, në fakt në skenën e madhe të operës jam rikthyer para dy vitesh në një koncert recital me Koncert Maestër Elda Laro, që zhvillon aktivitetin e saj profesional në Gjermani, ku kemi interpretuar së bashku në një game të gjerë repertori nga kryeveprat botërore operistike.
Vitin e shkuar po ne TKOB, jam rikthyer me një tjetër bashkëpunim, këtë herë me Koncert Maestër Ardita Bufaj Qafoku, ku kemi ndarë së bashku eksperiencën e një koncerti që u mirëprit ne mënyrë të veçantë nga publiku. Koncertet, përveç roleve për një këngëtar lirik janë tejet të rëndësishëm sepse shpesh ofrojnë dhe një sfidë më të madhe. Por, e vërteta është që në TKOB me një rol të ri rikthehem pas 6 vjetësh, pikërisht atëherë kur filloi gjithçka, me debutimin tim në “Porgy e Bess” të Gershwin, në rolin kryesor të Bess –it .
A ke një afeksion të veçantë me “La boheme” dhe veçanërisht me Miminë?
Po Mimi, është një rol tepër i dashur për mua. Ka qenë partitura e parë origjinale e operës që kam blerë kur kam shkuar për herë të parë në Milano dhe kur kam filluar studimet në “Scala”.
Nga mosha 21-vjeçare, Mimi është zgjuar tek Evisi si një dëshirë apo ëndërr e madhe. Dhe kam që nga ajo kohë që hulumtoj për ndërtimin e këtij personazhi qoftë vokalisht, qoftë skenikisht. Kanë qenë disa modelet e mia. Një ndër këto pedagogia ime e viteve të ‘Scala’ –s, një ndër Mimi-të historike, sopranoja Mirella Freni. Kam ndjekur disa shfaqje live të sopranos ruse, Anna Netrebko, kur ka interpretuar “Boheme” në Milano më 2012-ën, por një nga modelet më të afërta e inspiruese për mua ka qenë Inva Mula. E kam ndjekur Invën kur e ka interpretuar këtë rol në dy produksione të ndryshme në Monte Karlo dhe ne Zyrih. Inva është një Mimi, sublime. Natyrisht kam pasur fatin që këtë rol ta studiojmë së bashku dhe të marr mendime të vyera sesi të krijoj një personazh të Mimisë krejt timin, sa më origjinal.
Po largohesh sërish. Rikthimi i radhës, kur do të jetë?
Po, por po largohem për pak. Një koncert recital me një kolegun tim bariton. Do të jetë një mbrëmje ariesh dhe duetesh për publikun italian. Por do të kthehem sërish në Tiranë.
Tashmë ke prekur skenat botërore. E mendon karrierën jashtë vendit, apo një kthim të mundshëm përfundimtar këtu?
Është e vërtetë që ndonëse në moshë të re kam pasur fatin të prek disa nga skenat më të rëndësishme botërore, por Evisi është ende e re si profesioniste, dhe gjithçka për mua fillon pikërisht tani. Sepse kjo është mosha, në të cilën vokali, fiziku më lejon të këndoj rolet e mëdha ose ndryshe rolet e heroinave, ndaj nuk do të beja dallime mes skenave ndërkombëtare apo asaj kombëtare. Aktualisht Evisi është rikthyer në Shqipëri, po studioj dhe po përgatitem për të punuar disa role , të cilat do te kisha shume dëshirë t’i vija në skenë . Dhe natyrisht që do të isha më se e hapur për bashkëpunime të reja me TKOB.
Cilat janë projektet e afërta që të shohin të angazhuar?
Një koncert recital surprizë dhe po përgatitem për dy debutime të reja në Operën “Otello” në rolin e Desdemonës dhe atë të Nedda-s, në operën “Pagliacci”.