Një mozaik dyshemeje, jashtëzakonisht i ruajtur mirë, që tregon një shumëllojshmëri të pasur peshqish, kafshësh, zogjsh dhe anijesh, është rikthyer në vendin ku u gjet për herë të parë, në një periferi të Tel Avivit, pas një turneu dhjetëvjeçar në disa prej muzeve më të mirë në botë.
Mozaiku 1700 vjeçar, i periudhës së vonë romake, u zbulua në vitin 1996 gjatë punimeve të ndërtimit të autostradës, por nuk u ekspozua deri në vitin 2009, kur u dhuruan fonde të mjaftueshme për ruajtjen e tij.
“Mozaiku shumëngjyrësh, 17 metra i gjatë dhe rreth 9 metra i gjerë mund të ketë shërbyer si holl i një pallati në një lagje të pasur të Lodit, afër asaj që tani është Tel Aviv”, tha Autoriteti i Antikiteteve të Izraelit në një deklarate.
“Pronari ishte ndoshta një tregtar shumë i pasur, sepse ai udhëtoi nëpër botë dhe pa gjëra, si të gjitha anijet dhe peshqit e ekspozuar në mozaik,” tha arkeologu Hagit Torge nga Autoriteti i Antikiteteve të Izraelit.
“Dizajni i mozaikut u ndikua nga mozaikët e Afrikës së Veriut dhe i mungojnë figurat njerëzore, duke sugjeruar se mund t’i përkiste një të krishteri ose një çifuti, që donte të shmangte atributet pagane si përshkrimi i perëndive romake”, tha arkeologu Amir Gorzalczany nga Antikitetet e Izraelit.
Mozaiku tani do të ekspozohet në një qendër arkeologjike të ndërtuar aty ku u gjet, në Lod.