Nënkryetari i PD, Edmond Spaho, duket se ka zbuluar planin politik të opozitës, gjatë një takimi që kishte dje me demokratët e Mirditës. Komisioni i reformës miraton kalendarin dhe caktohen prioritetet. Ndëshkim i krimit zgjedhor, dhe garantim i votës. Diskutohet edhe për ndryshimin e hartës territoriale.
Ideja e zhvillimit të zgjedhjeve të parakohshme, tashmë që ka filluar puna për reformën zgjedhore, duket se është ndër prioritetet e Partisë Demokratike. Ditën e djeshme, nënkryetari i PD, Edmond Spaho, në një takim të zhvilluar me anëtarë dhe simpatizantë të kësaj force politike në Mirditë, me rastin e 29-vjetorit të krijimit të kësaj dege, tha se pas 15 marsit Rama do duhet të shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme, ose përndryshe do të duhet të përballet me protestat e opozitës.
Dhe jo më kot, është përzgjedhur mesi i marsit për këtë qëllim. Është pikërisht data kur pritet të marrë jetë reforma zgjedhore, por njëkohësisht Marsi është dhe muaji kur Rama pret po ashtu një përgjigje pozitive për hapjen e negociatave me BE-në, të shtyra prej disa vitesh nga Europa. “Nuk kemi iluzione që Edi Rama nuk dëshiron zgjedhje të parakohshme, ashtu si zvarriti procesin gjatë fundit të vitit të kaluar ashtu do ta zvarrisë edhe këtë që sapo kemi filluar. Jemi të gatshëm t’i përgjigjemi me të gjitha mjetet e duhura. Protestat do të jenë rruga që do të na shoqërojë, nëse pas 15 marsit nuk caktohet data e zgjedhjeve të parakohshme”, -tha Spaho.
15 marsi
Ndërkohë ditën e djeshme është përmbyllur dhe kalendari i punimeve për reformën zgjedhore. Në fakt s’kanë mbetur dhe shumë ditë nga data 15 mars e deklaruar si afati përfundimtari saj. Duke nisur nga 10 Shkurti, tryeza e reformës do të duhet të adresojë një numër të madh çështjesh që kanë të bëjnë me parandalimin dhe goditjen e krimeve zgjedhore, masat kundër shitblerjes së votës, apo dhe ndarjes së politikës nga krimi.
Sipas Oerd Bylykbashit, opozita ka gati dhe propozimet konkrete për këtë qëllim, ku nuk do të kalojë pa diskutime dhe çështja e sistemit zgjedhor. “Do të përfshihen, çështja e shitblerjes së votës, ndarjes së politikës nga krimi, probleme të rënda zgjedhore që ndryshojnë dhe manipulojnë votën e shqiptarëve; çështja e sistemit zgjedhor. Të gjitha masa që kanë si emërues të përbashkët, elementin e vullnetit politik për të ndarë shtetin nga politika, shtetin nga partitë politike. Një angazhim dhe një standard i OSBE-së pa të cilin çdo kornizë ligjore pëson fatin e ndryshimeve që janë bërë deri më sot. Ky është thelbësor në procesin që po nisim që nga sot”, thotë ish-deputeti i PD, bashkëhartues i reformës.
Çështjet
Çështjet e shitblerjes së votës, dhe përfshirja e krimit, ishin dhe arsyeja kryesore se përse opozita nuk mori pjesë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit.Shitblerja e votës, u konfirmua dhe në përgjimet e publikuara nga tabloidi gjerman Bild, ku kapeshin në përgjime eksponentë të lartë të PS-së gjatë zgjedhjeve të pjesshme në Dibër në shtator të 2016-ës. Dosja 184 bën fjalë pikërisht për këto zgjedhje kunë përgjime përfshihet dhe Damian Gjiknuri, një ndër bashkëhartuesit e reformës zgjedhore, asokohe ministër iEnergjetikës, dhe i deleguar në zgjedhjet lokale atje. Por shitblerja e votës u faktua dhe një vit më pas në zgjedhjet e qershorit 2017 ku në përgjimet e prokurorisë të publikuara nga Bild, shfaqej grupi i Avdylajve të Shijakut të përfshirë në trafikun e narkotikëve, të cilët u angazhuan në shantazh dhe blerje vote, për llogari të Vangjush Dakos, ish-kryetar i Bashkisë Durrës, dhe ish-drejtues politik i mazhorancës në atë zonë. Aty dolën edhe eksponentë të tjerë të PS-së së qarkut Durrës. Reforma zgjedhore e kërkuar fort nga opozita ka si qëllim pikërisht prerjen rrugë të këtij fenomeni, që s’ka të bëjë vetëm me shitblerjen e votës, por dhe të përfshirjes së krimit në politikë.
Shqipëri, sa vështirë të shkosh nëzgjedhje të parakohshme
Shqipëria duket se nuk e ka traditë zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme, pavarësisht pretendimeve të njërit apo tjetrit krah.Megjithëse konsiderohet një formë e zakonshme e demokracisë e cila nxjerr vendin nga kriza, por dhe riafirmon ose jo besimin e qytetarëve te njëra apo tjetra forcë politike, në Shqipëri kjo nuk ndodh që prej së paku pothuaj 23 vjetësh. Zgjedhjet e para të parakohshme u mbajtën më 22 mars 1992, pas krizës politike dhe sociale që përjetoi Shqipëria në fillimin e viteve ‘90.
Protestat masive, pas rrëzimit të komunizmit, e detyruan qeverinë dhe presidentin socialist të asaj kohe të dekretonin një datë të re zgjedhjesh pas atyre të 31 marsit 1991. Zgjedhjet e dyta të parakohshme do të zhvilloheshin në qershor të vitit 1997. Këtë herë ishte Partia Demokratike, që pas pesë vitesh pushtet dhe rënies së firmave piramidale, u detyrua të përballej me një revoltë të armatosur të nxitur jo pak nga opozita e kohës. Më 23 qershor do të mbaheshin zgjedhjet e parakohshme parlamentare të cilat do të sillnin dhe rotacionin e pushtetit. Më pas, në 23 vjet pavarësisht kërkesave të pareshtura të opozitës, si nga njëri apo tjetri liderët nuk kanë pranuar të shpallin zgjedhje të parakohshme.
Në vendet me demokraci të konsoliduar,dhe jo vetëm, zgjedhjet e parakohshme janë mënyra më e zakonshme për të vepruar ndaj krizave, apo situatave që imponohen, dhe në jo pak raste, janë vetë kryeministrat që kërkojnë një rikonfirmim të votës së qytetarëve, e cila mbështetet dhe në rezultatet e tyre. Në vendin tonë kjo nuk ndodh, ndoshta për shkak të një mendësie të vjetër të zaptimit të pushtetit, ndoshta dhe për arsye se në të dyja herët që janë zhvilluar zgjedhjet ka pasur rrotacion pushteti.
PD: Të rishikohet dhe ndarja territoriale
E megjithatë duket se reforma zgjedhore, nuk është e mjaftueshme për opozitën në rast se ajo nuk shoqërohet dhe me reformën territoriale, të ndryshuar nga mazhoranca në vitin 2015. Asokohe nga 385 bashki e komuna reforma territoriale e reduktoi numrin e njësive vendore në 61 bashki. Opozita nuk mori pjesë me pretendimin se mazhoranca do e kalonte këtë reformë me forcën e kartonëve. Çështjai kaloi Gjykatës Kushtetuese e cila e rrëzoi kërkesën e partive të djathta. Nuk ishin të pakët zërat që u shprehen sereforma ishte bërë në funksion të zgjedhjeve. Shumë zona në të cilat qeveriste Partia Demokratike, iu bashkuan Bashkive të mëdha. Nga ana tjetër bastionet u copëzuan, duke i shpërndarë votat e një qarku në një qark tjetër, apo nga njëra bashki në tjetrën. Për sekretarin e Përgjithshëm të PD Gazment Bardhi, reforma territoriale është një nevojë urgjente, ndërsa për kreun e Partisë Republikane Fatmir Mediu, nuk përjashtohet mundësia që te pikat e reformës zgjedhore tështrohet për diskutim dhe reforma administrative.
Gazment Bardhi: Rishikimi i territoriales, nevojë urgjente. Një ndër tre pikat kyçe.
Fatmir Mediu: Tej Reformës Zgjedhore, a mund të diskutohet edhe çështja e Reformës Administrative? Mendoj që duhet ta shohim.
Gazment Bardhi: Nëse do të ishte vetëm në dorën e PD, kjo reformë s’duhet të ishte miratuar, është hartë politike dhe çdo orë e minutë që kalon nuk është në dobi të qytetarëve dhe as të garantimit të barazisë së palëve në zgjedhje.
Fatmir Mediu: E kthyen vendin në kohën e diktaturës kur emëroheshin kryetarët e Bashkive dhe duke qenë në këtë situatë me 30 Qershorin është e domosdoshme t’u japim shans njerëzve të kenë në krye të bashkive ata njerëz që votohen nga qytetarët dhe jo emërohen.
Gazment Bardhi: Reforma ka dështuar, dhe ky dështim ka prekur shumicën e qytetarëve që sot s’kanë një derë ku të marrin shërbim por sorollaten. Shiko ça ndodh në Durrës, me mijëra banorë që duan bonusin dhe kanë dy muaj dhe ende s’e kanë përfituar atë që ligji ua njeh.
Fatmir Mediu: E kemi larguar pushtetin nga qytetarët duke e lënë atë jashtë investimeve për zonat rurale dhe për t’iu përgjigjur banorëve, është një çështje që duhet të diskutohet.
Gazment Bardhi: Ne kemi patur propozimet tona që në vitin 2014, ekspertët i kanë gati propozimet, thjesht duhet që pala tjetër të mos shohë interesat politikë por të qytetarëve.
Fatmir Mediu: Ka disa qëndrime opozita dhe duhet të konsiderohen. Duhet një analizë e qenësishme dhe të shihet se cila është mënyra më e mirë.