Kryeministri Edi Rama njoftoi sot gjatë mbledhjes me kryebashkiakët në Kryeministri, se Fatos Tushe, pas shkarkimit nga detyra e kryebashkiakut, do të përjashtohet edhe nga Partia Socialiste.
Rama tha se kush luan me taksat dhe fut duart në xhepat e qytetarëve, nuk do të ketë mbrojtjen e PS, por do të jetë i vetëm përballë drejtësisë.
“Kryetari i bashkisë së Lushnjës do të shkarkohet nga detyra dhe do të përjashtohet nga PS, masa që do të vijojnë deri në fund të procesit të tij ligjor. Kush luan me taksat, kush fut duart në xhepat e shqiptarëve, është thjesht i vetëm me avokatin e vet personal përballë drejtësisë,” tha Rama.
Duke dënuar abuzimin me detyrën nga ana e zyrtarëve të Bashkisë Lushnje, Rama tha se korrupsioni e ryshfeti nuk ka ngjyrë politike.
“Arsyeja pse ju thirra është se pa përjashtim, t’i vini mirë gishtin kokës, të kuptoni se mandati i tretë kërkon përkushtim të trefishtë, seriozitet të trefishtë, një vetëdijësim të trefishtë për trefishimin e nivelit të performancës,” tha Rama.
Fatos Tushe u arrestua dy ditë më parë me urdhër të SPAK, si i dyshuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Bashkë me të u arrestuan edhe 10 zyrtarë të tjerë të përfshirë në korrupsion dhe abuzim me detyrën.