Qeveria e Kosovës do të mbështesë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për strehimin e shtetasve të afganit që do te evakuohen për shkak të pushtimit prej talibanëve.
Lajmi konfirmohet si nga presidentja Vjosa Osmani ashtu dhe nga qeveria Kurti.
Osmani shton se bisedimet kanë nisur në 16 korrik me një kërkesë të presidentit Biden.
Kërkesa kishte të bënte me strehimin e përkohshëm të afganëve, civilë të pafajshëm, të cilët tani ishin në shënjestër të Talibanëve, vetëm sepse kishin qëndruar në anën e aleatëve tanë, në anën e paqes e demokracisë, në anën e barazisë e të drejtësisë.
Ata ishin punëtorët lokal që kishin punuar bashkë me forcat amerikane, si dhe familjet e tyre, përfshirë fëmijë.
Osmani shprehet se ka dhënë pëlqimin pa asnjë hezitim apo kushtëzim nga parimi njerëzor se nuk i mbyllen dyert atyre që pa fajin e dëshirën e tyre janë të detyruar të lënë vatrat.
“Kosova e respekton të drejtën ndërkombëtare dhe obligimin që rrjedh nga ajo për mos t’i mbyllur derën refugjatëve; dhe e treta, për shkak se ne duhet t’u qëndrojmë miqve tanë, e sidomos Shteteve të Bashkuara në krah, ashtu siç na qëndruan ata neve në të mirë e në të keq.”
Presidentja shton se ka qenë kërkesë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që kjo çështje të mbetet konfidenciale për arsye të sigurisë. E për vendimin ajo sjell në vëmendje dhe historinë e Kosovës
“Askush më mirë se ne nuk e di çka do të thotë të dëbohesh e të largohesh me dhunë nga vendi ku je rritur, të ndahesh nga më të dashurit, të detyrohesh të ikësh për të shpëtuar jetën. Atëherë, shumë vende anembanë botës, hapën dyert për ne pa asnjë kërkesë e asnjë kusht. Na shpëtuan. 22 vite pas atij tmerri, tani Kosova do të dëshmojë se ne kurrë nuk e humbim njerëzoren brenda nesh.”
“Populli ynë i urtë thotë: ‘Shtëpia është e Zotit dhe e Mikut”, e mbyll mesazhin Osmani.