Mapo Letrare

Pas vetëvrasjes, letërsia është shansi i fundit për t’u ndjerë i lirë!





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 14:04 - 01/06/20 |
Nga Mark Simoni

Bisedë me shkrimtarin e mirënjohur Arbër Ahmetaj


(Bashkëbisedoi Mark Simoni)


Arbër Ahmetaj ka lindur në Tropojë. Ka studiuar farmaci në Tiranë e Gjenevë, jeton e punon si farmacist në Sion, të Zvicrës. “Fletëhyrje për në varr”, “Varri i Braktisur”, “I huaji ai Kosovari”, “Një natë te Luiza”, “Procesi 3K/1988” janë titujt e romaneve të tij, botuar nga Skanderbegbooks. “Riva H.”, “69 gra” përmbledhje me tregime.


Proza e tij është botuar në anglisht, frëngjisht, rumanisht, hungarisht etj. Ka botuar libra me analiza, publicistikë si dhe përkthime nga anglishtja e frëngjishtja. Tregime e poezi të tij botohen vazhdimisht tek Revistaletrare.com


Libri juaj “Fletëhyrje për në varr” mendoj se ka qenë ngjarje e lirisë së shkrimit. A mendoni se letërsia jonë përfitoi nga kjo liri dhe realizoi vepra të pëlqyeshme, apo shkrimtarët tanë u gjetën të pa përgatitur me lirinë dhe nuk realizuan pritshmërinë që kish lexuesi dhe shoqëria?
“Fletëhyrje për në varr” ndoshta erdhi pak shpejt. Fakti që një nga anëtarët e jurisë kombëtare të konkursit vjetor qe shprehur se “sinqerisht nuk e kam kuptuar librin”, dëshmon për këtë prurje të hershme. Sapo kishim dalë nga një prej shoqërive më të egra komuniste. Vargjet e poetëve kqyreshin me lupë nga togerë të përgjakshëm të sigurimit, nëpër burgje kishte dhjetëra e dhjetëra shkrimtarë, një poet e varëm në mes të qytetit. Një bilanc kaq i zi, hedh hije të rëndë mbi lirinë e shkrimit, mbi lirinë në përgjithësi. Fati i librit, ndoshta, është përcaktuar nga dy rrethana: Unë s’isha shkrimtar me shpresa botimi e lavdie, pra shkruaja në terr, u kënaqesha teksteve të mia në terr. E dyta nuk njihja teknika shkrimi të mësuara në shkolla. Romanet e mia edhe sot “vuajnë” nga kjo dobësi. Por, për fatin e mirë të tekstit letrar, lexuesit ishin aq të etur të shihnin një shkrim ndryshe, sa kjo e solli romanin tim në vemendje edhe të shoqërisë dhe botës letrare. Poezia ishte më e furtunshme: Rikthimi i Reshpjes, Fredit tonë të madh (i përunjëm hijeshisë së vargut të tij) poetëve si Ervin Hatibi, Agron Tufa, Luljeta Lleshanaku, Ilir Belliu, Lindita Arapi, Myftar Gjana, Flutura Açka etj, shënjuan me modernitet e forcë lexuesin. Në prozë Zija Çela, Fatos Kongoli, Petrit Palushi, Adrian Kyçyku, Aurel Plasari plotësuan pritshmërinë e lexuesit. Nuk duhet për asnjë çast të harrojmë se romane të mrekullueshme simbolike, moderne, të fuqishme janë shkruar nga autorë shqiptarë në Kosovë,  e që rigjetën hapsirën e lirisë edhe tek lexuesi i masakruar nga letërsia e shëmtuar e komisarëve politike në Shqipëri. Madje proza dhe poezia shqipe e levruar jashtë kufijve të republikës që ruhej me qenë, bunkere e tela me gjemba, rezultoi të ishte shumë herë më e cilësore, më moderne. Martin Camaj dhe vepra e tij u bë pjesë e pasurisë së leximit. Ardhja e shndritshme e At Zef Pllumit, Pjetër Arbnorit, Visar Zhitit, Uran Kalakulës, Arshi Pipës dhe më vonë edhe e shkrimtarëve tjerë si Bashkim Shehu, Fatos Lubonja, ribotimi i Havzi Nelës e plotësuan etjen e madhe të lexuesit. Romani im, “Fletëhyrje për në varr” ka meritën se vinte nga një autor krejtësisht i panjohur. Shenjë se shkrimi nuk është pasuri që jepet me kredi, talenti nuk është tesër partie. Me atë roman, kam dashur të vë shenjën e mjeshtrit, me provën e parë. Fakti që romani ka mbijetuar në kujtesën e lexuesit, e ma përmendin sa herë, tregon që deri diku ia kam arritur. Por kjo është rrugë e gjatë…

Çmund të na prezantoni nga letërsia përfaqësuese e vendit tuaj, dhe a do të ishte mirë që ndonjëra nga veprat e atjeshme të vinte në shqip?
Do t’ju përgjigjem shkurt. Në Zvicër peizazhi kulturor është tmerrësisht fragmentar. Po aq kozmopolit. Autorë nga gjithë planeti, zgjedhin të jetojnë e të shkruajnë në zvicër. Unë lexoj miqtë e mi që shkruajnë frëngjisht. Një lumë e nda këtë rajon gjuhësor me atë gjermanofon. Tjetër botë, tjetër kulturë. Të duket vetja “jashtë shtetit”. Një qafë mali na nda nga kultura italiane. Zviceranët krenohen me një nobelist të tyre gjermanofon të vitit 1919 Carl Spitteler, romani i të cilit “Imago” më ka pëlqyer tej mase. Është një libër që gjendet në frëngjisht e gjermanisht në internet. Max Frisch e Fridrich Dürrenmatt, janë të njohur në Shqipëri. Në botën frankofone une njoh dhe pëlqej Nicolas Bouvier, i cili ka një roman krejtësisht psykodilik e ëndërror, “Le Poisson-scorpion” që më ka pëlqyer, po ashtu edhe libri i tij “L’usage du monde”, me përshtypje udhëtimi. Jacques Chessex, Ramuz, M. Zermatten, Corine Bille janë emra të njohur të letërsisë së vendit tim.  Do të doja shumë që “Imago” ose ndonjë roman tjetër i nobelistit të parë në letërsinë zvicerane të përkthehej në shqip.

A mendoni se në shqip ka ardhur pjesa më e mirë e letërsisë botërore, dhe çfarë do të propozonit për të mbërritur akoma?
Ne jemi me fat. I kemi të përkthyer në shqip autorët më të famshëm të planetit. Mos harroni disa kryevepra janë përkthyer nëpër burgje. Përkthyes me dritë në zemër i kanë bërë nder gjuhës sonë. Kemi Danten në shqip, Shekspirin, Homerin, Eskilin, Gëten, Niçen, poetët persë, Hugoin, Balzakun, shkrimtarët rusë, amerikanolatinë, britanike, amerikanë. Buxatin e Dritan Çelës, kemi Joyce, përkthyer nga miku im Idlir Hazizi. Hollebecq e Pamuk botuar nga Skanderbegbooks. Tani duhet të kërkojmë libra të autorëve që s’bëjnë aq zhurmë, por që shkruajnë letërsi të madhe. Letërsia e madhe nuk ka komb, në kuptimin që autorët e mëdhenj mund të jetojnë kudo. Në Afganistan? Në Marok? Në Islandë? Në Bosnje? Në Izrael? Në Iran, në Rusi, kudo ka autorë të mëdhenj. Libra magjikë. Sugjerimi im është që shqiptarët e ditur e të talentuar që jetojnë kudo nëpër planet, nga Meksika në Irlandë, nga Argjentina në Suedi ta vëzhgojnë jetën letrare në vendet e tyre, të bëhen bujarë, të gjejnë libra të bukur e t’ua propozojnë botuesve shqiptar. Nuk e di a është në shqip Luis Ferdinand Céline? Po Roland Cailleux? Ja propozimi im…!

Mu kujtua një shkrim i Vitorio Stradës ku thotë që Majakovski në 1914 tha “Nga anija e letërsisë ne duhet të hedhim në det Tolstoin, Pushkinin, dhe gjithë klasikët”. Strada shtron pyetjen “Po ne çfarë të bëjmë me Majakovskin? Ta hedhim në det?” Cili është mendimi juaj për letërsinë e traditës dhe a do kishit ju një selektim radikal si ky i Majakovskit?
Nga anija nuk duhen hedhur shkrimtarët as veprat e tyre. Nga anija duhen hedhur ata që na stërvisin me zor për të lexuar letërsi të keqe. Lexuesi ka intuitën dhe hijeshinë njerëzore të jetë seleksionues. Bandat e gangsterëve të subvencionuar, kur shohin një idol të tyre të perëndojë në shpirtin e lexuesve, e marrin dhe e rrasin përjetësisht në programet shkollore, e u vëjnë nota fëmijëve tanë, në varësi të dijeve të tyre për atë shkrimtar. E di që jam shkrimtar i zbehtë, rritur nën hijen e madhështisë së Dantes ose Shekspirit, e di që gjethet dhe filizat e mi letrar do ta kenë vështirë të arrijnë dritën e Steinbeck apo George Bernard Shoë, e di që Mitrushi e Koliqi shkruanin tregime më të mira se unë, se Anton Pashku shkruante romane më të mira se të miat.  E di që letërsia e keqe vdes, letërsia e mirë rritet e ruhet. Nga anija do të doja të hidhja me gurë në qafë, ata që për shkak të një konjukture të përkohshme kanë mundësi t’i japin çmim librave të dobët të miqve të tyre, të fusin në tekstet shkollore, ata autorë që ua dikton partia.

Në vitin 1990 ju keni qenë student dhe, pavarësisht tërheqjes suaj, mbaheni mend si një protagonist i lëvizjes studentore. Cili është qëndrimi juaj sot, dhe si e shihni rolin e atij ndryshimi në letërsi?
Iu kam shmagur gjithmonë pyetjeve që lidhen me angazhimin tim në lëvizjen studentore. Arsyeja është se rezultatet e saj janë fryrë: pluralizmi politik, demokracia, liria etj. Gjërat s’janë krejt kështu. Pluralizmi politik shqiptar ështe ai i projektuari nga komunistët. Ata kanë në dorë pushtetin ekonomik, politik e kulturor. Ata ndërrohen me njëri tjetrin. Nuancat egzistojnë gjithsesi. Disa politikanë kanë bërë më shumë për atdheun. E vetmja përmasë që më gëzon si njeri dhe më bën krenar për betejën time është liria që fituan të burgosurit politikë. Imagjino veç disa shkrimtarë: Uran Kalakula, Visar Zhiti, Fatos Lubonja e dhjetëra tjerë, do kishin qenë edhe sot në burg. At Zef Pllumi do kishte vdekur në burgje. Mijëra komunistë e antikomunistë ishin nëpër burgje. Sot s’janë më. Veç ky aspekt më jep krenari. Tjerat i kam bërë për vete, për lirinë time seksuale, lirinë e fjalës, të lëvizjes, të ndërgjegjes. Në letërsi, liria ka ndikuar shumë. Kemi hequr qafe botuesit me komisar dhe toger sigurimi në rezervë që lexonte dorëshkrime jo me synim për t’i botuar por për të burgosur shkrimtar, kemi rrëzuar rrathët koncentrike të hierarkisë letrare, që kishte si autor të parë, atë që ka botuar më shumë se të gjithë shkrimtarët shqiptare, qindra e mijëra faqe plehëra me kapakë të kuq e shkronja ari, edhe disa tjerë që “konkuronin” me të, për t’ia lënë gjithmonë atij vendin e parë.  Po aq i rëndësishëm ka qenë edhe vërshimi kulturor. Kush ka etje, nuk është kurrë aq buzëhollë. Pi ujë edhe në burime jo aq të pastra. Fakti që liria kërcënohet edhe sot, tregon se duhet të jemi të gatshëm të revoltohemi çdo çast. Revolta ime e asaj kohe, përkonte edhe me rininë time. Të jesh i ri dhe i kënaqur me nivelin e lirisë, apo cilësinë e saj, tregon se të duhen veç dy-tre mijë lek për kafe e duhan. Ky quhet pellg i plogësht me ujë të kalbur. Unë refuzoj të lahem në pellgje të tilla.

Kush janë shkrimtarët tuaj preferencial, dhe cili është kriteri juaj përzgjedhës apo shija juaj që i ka dalluar këto autorë?
Lexoj pa ndonjë sistem të sofistikuar seleksionimi. Se askush s’më detyron ta mbaroj një libër të keq. Shkrimtarët e mi të preferuar janë miqtë e mi. I lexoj librat e tyre me kënaqësi. E shoh me kë jam në garë e i gëzohem pa masë cilësisë së teksteve të tyre. Librat tek kryet e shtratit janë tjerë. Tani po lexoj Cioran dhe Kamasutrën. Për këtë të fundit, Fatmira më pyet me humor: a nuk është pak vonë Arbër? Jo, shpirt, – i them duke qeshur, – pasi dimensioni i dashurisë dhe pranisë fizike të trupit të tjetrit në këtë libër të famshëm të kulturës indiane është në vetvete filozofia e dashurisë dhe familjes. Libri është ndër tekstet më të keqkuptuara në historinë e librave mbi dashurinë. Sigurisht, fari që më bën dritë në përzgjedhje të librave që më pëlqejnë, është intuita dhe ndihma që më vjen nga revista apo radio të specializuara në përzgjedhje të veprave të mira. Kjo mungon në Shqipëri.

Çmendoni për letërsinë që bëhet në Shqipëri, dhe cilat janë defektet apo “sëmundjet” që bien më shumë në sy nga kjo letërsi?
Difekti i saj kryesor është se bëhet letërsi e përzier. Krim, dashuri, filozofi, gjykim mbi botën dhe personazhet. Këto duhen përmirësuar. Duhet një far disipline në gjini të ndryshme të romanit. Por kjo iu shkon për shtat më shumë botuesve të huaj. Ata lypin: romane horror, romane roze, romane policore, aventure etj. Po të shkruhet bukur një libër, kjo s’prish shumë punë. Por, ngul këmbë: Bëhet letërsi shumë e mirë! Një lutje për autorët e rinj: mos shkruani letërsi duke menduar se do bëheni të famshëm. Letërsia është shansi i parafundit, para vetvrasjes për të qenë i lirë. Kaq. Nuk ka gjë më fagocituese, rrënuese se sa shkrimi i librave të mirë. Kjo ndodhë rrallë, e kur ndodh, kënaqësia është kryesisht e lexuesve, jo e autorëve.

Faleminderit

Faleminderit Ju


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas