Peshkatarë dhe pronarë të disa bizneseve kanë bllokuar mëngjesin e sotëm rrugën që të çon në Pashaliman. Ata kundërshtojnë oraret e reja që janë vendosur për kalimin në këtë zonë.
Rregullat e reja për kalimin e automjeteve në këtë zonë kanë ardhur si pasojë e masave për parandalimin e bimëve narkotike në këtë zonë, por edhe për të forcuar sigurinë në bazën ushtarake.
Urdhri i Ri i bazës ushtarake të Pashalimanit përcakton se orari për lëvizshmëri në këtë zonë do të jetë nga ora 08:00 deri në orën 15:00, ndërkohë që ky vendim është kundërshtuar nga punonjësit të cilët thonë se duhet të punojnë përgjatë 24 orëve.
Prej dy orësh me dhjetëra automjete presin në radhë për të hyrë në postobllokun e kësaj baze. Punonjësit kërkojnë një zgjidhje dhe një takim me drejtuesit e kësaj baze, por asnjë zgjidhje nuk iu është dhënë.
Ata shprehen se do të bllokojnë hyrjen për në bazë duke mos lejuar asnjë automjet deri në zgjidhjen përfundimtare.