I dyshuari për vrasjen e dy turistëve çekë në Prekal të Dukagjinit, SokolMjacaj, ka qenë shumë i qetë përpara gjykatësve në Shkodër teksa ka dhënë dëshminë e tij.
Ai ka tronditur gjykatësit me qetësinë me të cilën rrëfente grabitjen me pasojë vdekjen e dy turistëve, Anna Kosinova dhe Michael Svatos.
Pasi ka vrarë turistët ai ka shkuar në fshatin Grudë e Re ku ka konsumuar një kafe, ashtu siç bënte çdo mbrëmje.
“Pasi mbarova disa punë që kisha në shtëpi mora automatikun dhe dy krëhëra dhe dola të vjedh ndonjë turist.
Kur pashë makinën me targa të huaja i ngrita dorën dhe ndaluan.
Drejtuesi i mjetit me anë të shenjave dhe disa fjalëve anglisht më tha që nuk kishin vend.
Atëherë i nxorra kallashnikovin duke e kërcënuar.
Gjatë gjithë rrugës e mbaja automatikun në kokën e shoferit me plumb në gojë.
Në një pjesë të rrugës ai tentoi të merrte armën dhe ndaj e qëllova”, ka rrëfyer Mjacaj.