Aktualitet

Pasiguria – Larje hesapesh dhe vrasje, 48 orët e krimit














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:59 - 13/05/21 |
Mirgen Çela

Bilanc kritik është shënuar dy ditët e fundit në vend. Tre persona janë vrarë me armë zjarri, dy prej tyre në atentate mafioze. Ndërsa një person është plagosur rëndë. Krimi duket se ka dalë jashtë kontrollit. Larja e hesapeve nga bandat kriminale vijon të prodhojë viktima e panik në qytetet kryesore të vendit.






Nga Mirgen Çela


Elbasani mbetet qyteti më problematik, ku krismat e armës zor se ndalen. Edhe Vlora nuk mbetet mbrapa duke u pasuar nga Tirana. Një plagosje e rëndë shënohet në Korçë. Gazeta MAPO, në numrin e fundjavës së kaluar bëri një bilanc të vrasjeve krahasuar me një vit më parë. Në 2020 për 6 muaj u shënuan 24 vrasje, ndërsa në 2021 për 4 muaj u shënuan 20 vrasje. Policia duket shumë pasive në veprime, ndërsa thotë përmes deklaratave të zakonshme se ka nisur hetimet pas çdo krimi, por paniku e viktimat nga të shtënat e armëve sa vijnë e shtohen. Nga shteti nuk raportohet për asnjë masë të marrë në kuadër të rritjes së ngjarjeve kriminale. Gazeta MAPO, sjell kronologjinë e këtyre vrasjeve në 2 ditët e fundit.







Mafiozët godasin në Vlorë



Mesditën e së hënës, 40-vjeçari Bledar Birçaj u ekzekutua brenda në makinë. Raportohet se ai ka marrë mbi 10 plumba në trup, nga autorët të cilët e qëlluan me breshëri kallashnikovi. Viktima në makinë, shoqërohej me një polic të antidrogës dhe nga një i ri 20 vjeç, i identifikuar si Edison Zeneli. Dy të fundit mrekullisht iu shpëtuan plumbave. Në dukje, falë atentatorëve të saktë në shënjestër. Pjesa dërrmuese e plumbave janë orientuar në xhamin e parë të X5-ës, kjo në mënyrë që autorët të siguroheshin për neutralizimin e viktimës. Bledar Birçaj nuk është një emër i panjohur për drejtësinë shqiptare. Në vitin 2011 ai është arrestuar për vrasje, por u lirua për mungesë provash. Ndërsa rreth një muaj më parë, 40-vjeçari ishte kthyer nga Spanja. Për këtë rrugë të cilën mësohet se ai e bënte shpesh, ka dyshime të jetë përfshirë në trafikun e drogës. Hetimet janë përqendruar tek e shkuara e viktimës, i cili në qytetin e Vlorës kishte dhe biznes në zonën e Lungomares. Sa u përket autorëve, këtë s’di ta thotë as policia.



Vrasje në Tiranë- Miku i VIP-ave vritet nga dora e shokut

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Tiranën mbrëmjen e të hënës. I riu Mehmet Qema është qëlluar me një plumb në gjoks nga shoku i tij. Miku i VIP-ave, nuk iu mbijetoi plagëve dhe ndërroi jetë në spital. Dyshohet se ngjarja ndodhi aksidentalisht. Autori i vrasjes, është shoku i tij Marjus Demaj, i cili u vetëdorëzua në polici së bashku me një person tjetër, që ka qenë në vendngjarje në momentin e krimit. Policia ka arrestuar edhe 4 persona të tjerë. Të rinjtë, njiheshin si “Djemtë e 5 Majit”, apo “Banda e 5 Majit”. Personat në fjalë, njihen edhe për lidhjet e tyre me personazhe të Showbizit. Mehmet Qema është parë kohët e fundit në videoklipin e moderatorit të njohur nga Kosova, Meriton Mjekiqi në bashkëpunim me reperin Meriton Ademi.

Sipas hetimeve, në lokalin ku ndodhi ngjarja është gjetur edhe një makineri që prodhon bitcoin, monedhë virtuale. Marjus Demaj, i akuzuar si vrasësi i Qemës, qante me ngashërim përpara bluve të qytetit, duke thënë se i vinte keq që vrau shokun e tij, ndërsa ai është dërguar sërish në vendngjarje për të ndërtuar dinamikën e krimit. Ai ka thënë para autoriteteve se armën me të cilën ka qëlluar, e ka sjellë vetë i ndjeri Mehmet Qema, ndërsa ka shtuar se arma ka qenë e vjetër dhe se nuk kishte karikator. Demaj ka theksuar se nuk e dinte nëse arma kishte fishek brenda. Mësohet se të rinjtë e përfshirë në këtë ngjarje dhe viktima punonin me makinerinë e monedhës virtuale. Për këtë arsye në vendngjarje u paraqitën edhe efektivë të Krimit Ekonomik.

Lexo edhe :  "E doja Sabrinën", Elton Metaj ia plas të qarës në sallë, Gjykata e lë në burg

Atentat mafioz në Elbasan

Një ngjarje kriminale regjistrohet pasditen e së martës. Everest Cakës, i bëhet pritë në Elbasan. Ai u qëllua me mbi 10 plumba duke mbetur i vdekur në vend, ndërsa u plagos bashkëshortja e tij Silvana Caka. Burime bëjnë me dije se të gjitha qitjet e armës janë bërë nga një distancë e afërt. Kështu thuhet pas autopsisë së trupit të viktimës. Lidhur me krimin, janë shoqëruar në polici rreth 20 persona ndërsa autoritetet kanë sekuestruar kamerat e sigurisë në zonë për të bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorëve. Ndërkohë grupi hetimor ka ngritur disa pista për ekzekutimin e 41-vjeçarit, atë të hakmarrjes, larjeve të hesapeve mes bandave dhe prishja e pazareve të drogës. Çaka kishte vetëm pak javë që ishte kthyer nga Gjermania, ndërkohë që lëvizte me makinën e shokut të tij, pavarësisht se posedonte edhe mjete të shtrenjta. Pista kryesore e ekzekutimit lidhet me vrasjen e kushëririt të tij në Belgjikë Arjan Spahiut.

Ndërsa 41-vjeçarit disa vite më parë në Spanjë iu ekzekutua vëllai. Para 10 ditësh, Everest Çaka është marrë në pyetje nga prokurorë belgë në lidhje me vrasjen e kushëririt Arjan Spahiu, të cilët po hetojnë për zbulimin e vrasjes. Ekzekutimi i Çakës ka ndodhur mbrëmjen e së martës rreth orës 20:10 në lagjen “Skënderbej” në Elbasan, ku Everest Cakës iu bë pritë teksa po shkonte te shtëpia e prindërve të bashkëshortes duke u qëlluar disa herë me pistoletë me silenciator. Goditjet ishin fatale për 41-vjeçarin që njihej me dy emra (Everest dhe Ibrahim Caka) duke ndërruar jetë në vend, ndërsa bashkëshortja e tij Silvana, ka marrë një plagë në dorë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Silvana Çaka ka thënë para grupit hetimor se autori iu afrua makinës së tyre dhe qëlloi ndaj bashkëshortit të saj. Sipas Silvanës, plumbat e kanë kapur 41-vjeçarin në krahë, qafë dhe gjoks. Silvana ka thënë se doli menjëherë nga makina për të kërkuar ndihmë te banorët që ndodheshin aty.

Plumba në Korçë, plagoset i riu

Një person i plagosur me armë zjarri ka përfunduar në spital mbrëmjen e së martës në Korçë. Rreth orës 22:40, në Spitalin e Korçës, ka shkuar për ndihmë mjekësore Marsel Rusi (tashmë i arrestuar), 33 vjeç, banues në Korçë. Sipas policisë, 33-vjeçari në rrethana ende të paqarta, dyshohet të jetë dëmtuar në fundshpinë, si pasojë e përdorimit të armës së zjarrit, i cili aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Sakaq blutë e Korçës kanë vënë në pranga Andi Andrin, shokun e Marsel Rusit. Të dy janë vënë në pranga, për veprën penale “Kallëzimi i rremë”, pasi kanë krijuar prova të rreme, me qëllim shmangien nga e vërteta e ngjarjes. Ndërkohë 33-vjeçari, pasi është ndaluar dhe mjekuar si fillim në spitalin e Korçës, është nisur drejt spitalit të Traumës në Tiranë. Nga burimet spitalore thuhet se Rusi ka shenja në kokë, por nuk bëhet me dije shkaku nga bluzat e bardha. Policia ende nuk ka sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes, por dyshohet që ai të mos jetë plagosur në Korçë. Rusi sipas të dhënave ka qenë person që luante edhe kumar megjithëse, nuk konfirmohet ende që plagosja të ketë lidhje me këtë pjesë. Policia vijon hetimet.

1


Etiketa: , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas