6 viktima dhe 31 të plagosur në shtatë ditët e fundit janë shënuar vetëm në aksidente rrugore, ndërsa fatkeqësisht, në brigjet e Adriatikut në të njëjtën periudhë kohore janë mbytur 5 persona
Nga Mirgen Çela
Aksidentet rrugore kanë qenë lajm kryesor i mediave ditët e fundit pasi disa prej tyre kanë qenë fatale, por jo vetëm. Tragjeditë nuk janë shënuar vetëm në rrugë, por edhe në det. Gazeta Mapo sjell një përmbledhje të këtyre ngjarjeve të ndodhura në javën që lamë pas. Bilanci është tronditës. 6 viktima dhe 31 të plagosur në shtatë ditët e fundit janë shënuar vetëm në aksidente rrugore, ndërsa fatkeqësisht, në brigjet e Adriatikut në të njëjtën periudhë kohore janë mbytur 5 persona, tre vetëm një ditë më parë.
Ajo çka duhet theksuar, janë masat që duhet të marrë Policia Rrugore. Sigurisht që ‘Rrugorja’ s’mund të ndjekë nga pas çdo makinë apo të parashikojë e parandalojë çmenduritë e shoferëve, por të shtojë masat e sigurisë. Sa u përket ngjarjeve tragjike në brigjet tona, duhen shtuar vrojtuesit e plazheve, pasi në disa zona ata nuk ekzistojnë fare. Tragjeditë parandalohen duke marrë masa. Më poshtë mund të lexoni një përmbledhje të këtyre ngjarjeve.
17 gusht
Më datë 17 gusht një aksident i rëndë u shënua në Berat, ku një person humbi jetën dhe tre të tjerë u plagosën. Viktimë mbeti Zybo Brami, ndërsa të plagosur mbetën Daniel Brami, Roni Brami dhe Astrit Kanaci. Po në të njëjtën ditë, më 17 gusht, në zonën e “Misto Mames” në Kombinat u regjistrua një aksident me vdekje. Dy makina u goditën me njëra-tjetrën dhe për pasojë humbi jetën një këmbësore rreth 50 vjeç. Bilanci i 17 gushtit sa vjen e rëndohet. Një tjetër aksident me vdekje shënohet në Elbasan. Një makinë tip ‘Mazda’ përplasi për vdekje një burrë të identifikuar si Islam Hyseni. Pasditen e 17 gushtit, dy ngjarje të rënda shënohen edhe në brigjet e Adriatikut. Një 75-vjeçar mbytet në Durrës, ndërsa një i ri mbytet në Gjirin e Lalëzit.
18 gusht
Orët e para të mëngjesit të 18 gushtit nuk ishin të qeta. Një i ri në Ksamil, teksa drejtonte një mjet luksoz tip ‘BMW’, ka humbur kontrollin duke përplasur dy mjete të parkuara dhe murin e një biznesi. Për pasojë, mbeti i plagosur vetë shoferi i mjetit. Në aksin Milot-Morinë, po më 18 gusht dy mjete përplasen. Nga ky aksident, mbetën të plagosur 3 persona.
19 gusht
19 gushti, dita ku u regjistrua një tjetër aksident i frikshëm, por fatmirësisht një burrë pësoi lëndime të lehta. Një mjet tip ‘Benz’ e përplasi këtë person në Peshkopi. Videoja e filmuar nga një kamera sigurie u bë virale në rrjet, pasi makina e fluturon burrin disa metra në ajër.
20 gusht
Më 20 gusht, në aksin Fier-Levan, dy fuoristrada u përplasën me njëra-tjetrën dhe për pasojë, 6 persona u plagosën, drejtuesit e mjeteve dhe 4 pasagjerë. Shifrat e këtyre aksidenteve janë tronditëse, pasi duket se siguria në rrugë nuk ekziston.
21 gusht
Rreth orës 8:45 në bypassin e Fierit, dy makina të tjera dolën nga rruga duke u plagosur 3 persona, por fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Jo vetëm kaq. Rreth dy orë më pas (11:00), një tjetër aksident ndodh në Fier. Një furgon përplasi një person me biçikletë. Për pasojë, mbeti i plagosur drejtuesi i kësaj të fundit. Ai ndodhet në spitalin e Fierit ku po merr ndihmë mjekësore, por gjendja e tij raportohet jashtë rrezikut për jetën. Në orët e vona të mbrëmjes së 21 gushtit, një tjetër aksident u shënua në aksin rrugor Mamurras-Thumanë. Nga aksidenti i trefishtë, u plagosën tre persona. Të plagosurit u transportuan me urgjencë drejt spitalit të Traumës në Tiranë për të marrë ndihmë mjekësore.
22 gusht
Orët e para të mëngjesit të së dielës nisën sërish keq, pasi dy të rinj u plagosën në një aksident në aksin Elbasan-Funar. Shoferi humbi kontrollin e mjetit duke përfunduar në përrua. Të rinjtë ndodhen jashtë rrezikut për jetën në spital. Pak orë më vonë në Fier shënohet një aksident ku për pasojë u plagos një 63-vjeçar me biçikletë të cilin e përplasi makina. Ndërsa një tjetër aksident u shënua në Patos, ku një 42-vjeçar përplasi një 64-vjeçar që po lëvizte me motor. Për pasojë ky i fundit u plagos dhe u dërgua në spital për ndihmë mjekësore. Ndërsa në mesditë aksidenti më tragjik u shënua po në Fier në zonën e Marinzës.
Një mjet përfundoi në një kanal të thellë të mbushur me ujë. Dy persona dyshohet se u mbytën dhe për pasojë ndërruan jetë. Sipas raportimeve, shoferi ka pësuar një atak kardiak, çka shkaktoi dhe aksidentin. Mesditën e 22 gushtit, dy ngjarje të rënda u shënuan në pak minuta. Dy pushues nga Maqedonia e Veriut u mbytën në plazhin e Spillesë, ndërsa një tjetër u mbyt në Velipojë. Viktimat janë të moshave 79, 78 dhe 59 vjeç. Në mbrëmjen e 22 gushtit, një mjet përfundoi brenda një dyqani në Berat. Për pasojë u plagosën 6 persona, këmbësorë.